Ekspozita “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve” organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar u çel në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Kjo është një ekspozitë lëvizëse, që si fillim po prezantohet në Durrës. Ekspozita fotografike “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve” përmban 60 fotografi të realizuara nëpër qytete dhe fshatra të Shqipërisë nga oficerë e ushtarakë austro-hungarezë. Nëpërmjet fotografive paraqiten aspekte nga jeta e përditshme ekonomike dhe shoqërore e shqiptarëve të atyre viteve. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit përshëndeti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, z. Alban Ramohitaj, si dhe ishin të pranishëm qytetarë të shumtë të Durrësit. Trupat austro-hungareze hynë në Tiranë më 9 shkurt 1916. Në qytet u stacionua divizioni 47 i këmbësorisë, nën komandën e feldmarshall lejtnantit Braun, i cili paraqitet në një fotografi interesante. Tematika e fotografive të ekspozitës “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve” organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar është e ndryshme. Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur fotografi nga qytetet e mëdha të Shqipërisë; 15 fotografi nga Tirana, 14 fotografi nga Shkodra, 2 fotografi nga Berati, 2 fotografi nga Fieri, 2 fotografi nga Durrësi dhe një fotografi nga Vlora. Muzeu Historik Kombëtar në materialin për ekspozitën shpjegon se ata kanë realizuar fotografi nga jeta e përditshme. “Në to gjejmë fshatarë me veshje popullore, por edhe zotërinj fisnikë si Prenk Bibë Doda nga Shkodra. Nuk mund të lemë pa përmendur edhe fotografitë familjare siç është familja e Osman Beqirit nga Peqini. Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur 4 fotografi nga Peqini, 2 fotografi nga Kruja, një fotografi nga Rrogozhina etj”, shkruan Muzeu Historik Kombëtar, që është dhe institucioni që organizon këtë ekspozitë lëvizëse. Të gjitha fotografitë janë realizuar gjatë viteve të administrimit austro-hungarez të Shqipërisë 1916-1918. Ky administrim politik, ushtarak e kulturor përvijoi impakte të shumta në sendërtimin e mëvonshëm të shtetit shqiptar, duke pasqyruar zhvillime pozitive në aspektin e infrastrukturës, shëndetësisë, arsimimit si edhe në jetën social-politike të Shqipërisë së pas Luftës së Parë Botërore. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 9 korrik 2019 në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit.