“MIK Festival” nis në Korçë, pesë net me aktivitete të ndryshme artistike

Saturday, 27 July 2019 12:42

“MIK Festival” startoi në edicionin e dytë në qytetin e Korçës. Një festival, që bën bashkë artistë shqiptarë dhe të huaj, duke sjell për publikun një program të pasur. Festivali i muzikës internacionale në Korçë (MIK) për pesë net nga data 24 deri në 28 korrik sjell mbi 80 artistë. Përgjatë këtyre netëve do të ketë një larmishmëri aktivitetesh me natyrë kulturore dhe artistike si muzikë klasike, DJ, performancë nga Inva Mula dhe miqtë, “Nata Spanjolle”, “Nata Austriake”, serenata, balet, etj. Teatri i Korçës, pazari i vjetër dhe të tjera vende do të jenë për artistët gjatë netëve të festivalit. Me ideatore dhe drejtore artistike sopranon e njohur Inva Mula, nata e parë e festivalit iu kushtua një familjeje të talentuar, të cilët i janë përkushtuar muzikës për breza me radhë, familjes Papadhimitri. Për publikun, ishte një natë me muzikë të zgjedhur, e paharruar nën tingujt e violinës dhe pianos. Në një reagim më parë sopranoja e njohur Inva Mula shprehet se ky festival ka vëmendje këtë edicion të dytë dhe tek të rinjtë. “Ia kemi kushtuar të rinjve festival. Rinia është ajo që duhet ta mbështesim, është ajo që na jep gjithë energjinë e mirë”, ka pohuar sopranoja Mula. Pak orë para hapjes së festivalit në Korçë, ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se një ide e sopranos së njohur Inva Mula bëri bashkë artistë të ndryshëm. “Pas suksesit të edicionit të parë, rikthehet “MIK Festival” në Korçë. Një ide e sopranos Inva Mula, që bëri bashkë artistë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës, duke krijuar një atmosferë magjike, në qytetin e serenatave. Edhe këtë vit premtohet një program i pasur, ku do t’u bëhen homazh artistëve korçarë, do t’u krijohen hapësira artistëve të rinj dhe do të interpretojnë emrat më në zë të muzikës shqiptare e të huaj. Mbrëmje kushtuar dy piktoreve të para shqiptare "Motrat Zengo". Interpretojnë artistët e familjes Papadhimitri”, shkruan ministrja Margariti për festivalin, që mbështetet dhe nga Ministria e Kulturës.

Në netët e festivalit, virtuozi Kostandin Tashko sjell një koncert recital në piano, "Nata Vjeneze" vjen nesër në mbrëmje, ku do interpretojnë Orkestra Filarmonike "Ibrahim Madhi", Helge Dorsch- dirigjent, Miriam Tola -soprano, Eleva Shemai - mezzo soprano, Fatjon Mesiti- bariton, ansambli “Skënderbeu” si dhe Enada Hoxha dhe Gerd Vaso. Koncerti “Inva Mula & New Friends” do të jetë në datën 27 korrik, tek Pazari i Korçës dhe do të performojë Dj Tchako deri në mesnatë për të gjithë pjesëmarrësit. Koncerti "Didone Abbandonata" në Kishën e Shën Gjergjit në Shipskë do të jetë më 28 korrik me Abigeila Voshtina- violinë dhe Jusuf Beshiri -klaviçebal. Për publikun vjen dhe nata e serenatave, ku rreth 50 artistë do të përfermojnë në pazarin vjetër të Korçës. "Nata Spanjolle" do të kthejë sonte në mbrëmje pazarin e Korçës në shekullin e XIX. Për publikun do të performojë grupi Carol Margado shfaqjen e tij "Bordoneo", ku flamengo dhe kultura spanjolle do të vijnë në Korçë. Festivali “MIK” lindi si ide e inkurajuar nga Inva Mula me miqtë e saj në Korçë, të frymëzuar nga sharmi dhe historia e qytetit, me qëllim të përfshirjes së tij në hartën e destinacioneve të evenimenteve kulturore të rajonit. Koncepti i festivalit është ndërthurja e formave të ndryshme të shprehjes së artit dhe vendosja e tyre në funksion të hapësirës dhe kohës. Sipas organizatorëve, Korça është një qytet që ka dimensionin artistik, audiencën, arkitekturën dhe historinë për të mbajtur peshën e një festivali kaq ambicioz.

Login to post comments