Letërsia shqipe në gjuhën malazeze

Hënë, 05 August 2019 13:43

Bisedë me Jovan Nikolaidis, shkrimtarin, përkthyesin dhe botuesin malazez (ballkanas), të lindur në Ulqin të Malit të Zi

Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana

Mimoza Hasani Pllana: I nderuar z. Nikolaidis,  keni lindur në një qytet të bukur mediteran, në Ulqin, të banuar me shumicë shqiptare dhe të vizituar shumë nga shqiptarët gjithashtu. A mund të jetë kjo arsyeja që mësuat shqipen dhe vazhduat të mos e harroni këtë gjuhë, jo vetëm për komunikim por edhe për zhvillim kulturor?

Jovan Nikolaidis : E nderuar Mimoza! Po, jam lindur pranë bregdetit, kam shtëpinë tek ullishtet, jam i rrethuar me fqinjë shqiptarë dhe kjo është një prej rrethanave të lumtura në jetën time. Tani, në moshë të shtyer, e falënderoj Zotin që e kam kaluar jetën me njerëz të mirë dhe të qetë. Gjuhën shqipe nuk e kam mësuar për shkak të turizmit, më së paku për shkak të turizmit. Gjuha shqipe, krahas gjuhës malazeze në të cilën shkruaj, ka qenë dhe mbetet gjuhë edhe e familjes sime. I jam mirënjohëse nënës malazeze sepse ka insistuar, që përvec gjuhës amëtare, më duhet ta mësoj edhe gjuhën e fqinjve dhe të miqve. Le të jetë e bekuar nëna ime e meçme dhe bujare!

Gjuha shqipe është e bukur, melodike dhe me shumë mundësi që ta plotësojë dhe fuqizojë misionin. Ajo është gjuhë e shpirtit dhe proverbave. Me të edhe melodia rrjedh pa ndalë, fjalët dhe tonet janë në përputhje. Kjo gjuhë më ka ndihmuar ta njohë Shqipërinë, vend të cilin e kam vizituar shpeshëherë, vend të cilin e dua, me njerëzit e së cilës ndajë fryte të shëndetshme të miqësisë së sinqertë. Shqiptarët e duan bisedën dhe këngën!

M.:Duke qenë se jeni djalë e nip i një familje të përbërë nga kombësi e kultura të ndryshme ballkanike, se jetoni në Ulqin, keni jetuar disa vite në Saravejë dhe jeni botues i njohur në vendet sllave, a mund të bisedojmë me ju për njohjen e letërsisë shqipe në kontekstin ballkanik, në veçanti nga lexuesi malazez, boshnjak, serb dhe maqedonas, sa është e njohur letërsia shqipe nga këto vende ballkanike?

J.N.: Po, në gjakun tim janë të ndërthurura gjene malazeze, greke, shqiptare dhe vllehe. E falënderoj Zotin që nuk jam i përbërë vetëm prej njërit! Ballkani e ka paguar dhe vazhdon ta paguajë shtrenjtë garën e të qenurit autokton dhe autentik, Ballkani lëngon nga sëmundja e rëndë fisnore e egoizmit, gjithë kjo e rëndon të ardhmen e tij. Ballkanasit duhet ta dinë se kush janë dhe nga janë, është e rëndësishme të dihet prejardhja. Por, për mua gjithmonë më e rëndësishme ka qenë të jem Ballkanas sesa vetëm shqiptar apo malazez. Gënjejnë ata që thonë se në Ballkan ekzistojnë popuj me gjenezë të pastër etnike. Nga pellazgët e deri tek popujt e sotshëm të Balkanit kanë kaluar shtrëngata të panumërta, janë krijuar labirinte etnike, është budallallëk të thuhet se je i pastër – atëherë do të jesh më i papastërti. Çfarëdo insistimi në atë qëndrim fuqizon nacizmin dhe fashizmin. Shovinizmi është sëmundje e rëndë. Nuk i duhet Ballkanit një rrezik i tillë. Ruaj tënden, por mos e vendos aty ku nuk e ka vendin, kështu bëjnë ideologët rrugeçër. Më e bukur është dhe ka aromë më të këndshme tufa me lule të ndryshme, sesa me vetëm një lule. Në kopshtin e quajtur Ballkan rriten lule të llojllojshme, por edhe Zoti e pëlqen një përzierje të tillë. Kjo është ajo që do të insistojë deri në fund të jetës. Të pres që ballkanasit të pajtohen, bashkohen dhe si të tillë ta kthejnë drejtë Europës fytyrën e vet të bukur dhe të shëndoshë. Kush mendon ndryshe ndjell katastrofë dhe shkatërrim. Në Sarajevë kam mbajtur këtë qëndrim: të jem i ndryshëm por i njëjtë – njëlloj mysliman, katolik dhe i krishterë. Më së shumti Qytetar. Është e mundur që të pritet paqja dhe të gjinden vlera në jetesën e përbashkët. Për këtë arsye më vjen keq që popujtë sllavë të Ballkanit pak i njohin zakonet e shqiptarëve. Duhet ti njohin, në diversitetin e tyre ka vend për secilin njeri.

M.: Sa lexohet dhe pranohet letërsia shqipe nga kritika letrare dhe lexuesit sllavofolës?

J.N.: Pak, për keqardhje pak! Në librin tim “Shqiptarët dhe unë” (lexojeni kapitullin e katërt “Mbrëmje në Petrelë”) në një mbrëmje mistike kur isha në shoqëri të vëllezërve për nga idetë, shumë qartë e kam vënë theksin në këtë mangësi. Është shumë keq të mos njihet fqiu. Nëse nuk e don fqiun, nuk do ta duash as vëllaun, sepse fqiu është përkrah jush për t’ua shtrirë dorën ndërsa vëllau nganjëherë mund të jetë më larg. Babai im thoshte: “Zot, më jep fqiun, më largo nga kushërinjtë. Fqiu nuk i peshon gjërat në kandar, kushëriu gjithcka peshon në kandar”. Unë jam rritur dhe jetoj i rrethuar me shqiptarë, asnjëherë nuk më ka rastis të humbas nga fqinjësia me ta. 

M.:Sipas mendimit tuaj, a është e vështirë të përkthehet letërsia shqipe në gjuhët sllave?

J.N.:Është e vështirë që të përkthehet autori shqiptar. Gjuha shqipe është e bukur, por në të njëjtën kohë komplekse. Tani, kur jam në një moshë që nuk premton shumë, vetëm tani shoh sesa kohë më tepër më duhet që ta mësoj gjuhën e fqiut tim. Megjithatë, nuk ndalem. Mësoj. Në veçanti

e kanë vështirë ta mësojnë popujt sllav. Paragjykime dhe keqkuptime. Gjuha shqipe ka ndërtim linguistik ndryshe nga gjuhët sllave – është e kundërt me to. Por, kjo nuk është arsyeja pse të gjithë në Ballkan nuk e njohim njëri tjetrin. Ndërsa, kjo arrihet më së miri përmes gjuhës dhe shkëmbimit kulturor.

M.:Ballkani, njihet si një vatër e Evropës që gjithmonë qëndron e nxehtë, e gatshme për t`u ndezuar, sipas mendimit tuaj,  Ballkani, a është “vullkanik”, apo ofron mundësi jetesë në paqe dhe tolerancë ndërkulturore?

J.N.:Nuk është Ballkani vatër e gatshme për tu ndezur. Nëse është ashtu siç thuani, atëherë fajin për këtë e ka Europa më shumë sesa vetë Ballkanasit. Europa është shpesh e ashpër, e pasinqertë dhe arrogante. Por ajo e din shumë mirë që ne jemi e ardhmja e saj. Ballkani është shpresa e Europës. Gjithmonë na kanë vështruar si njerëz jomikpritës, neve na mveshet përkufizimi mitologjik për banorë të errët dhe barbar, njerëz të cilët sillen me bagazh (kufera), presin drunjë, pastrojnë mutëra europian. Dhe heshtin, të hedhur nëpër geto të Europës, duke ëndërruar vendlindjen e largët dhe familjen e varfër në kodrat malore. Mendimi i Europës për ne është një gënjeshtër e vjetër shumëshekullore. Pozicioni i Ballkanit nuk është më fatlumi: është në udhëkryq ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Dhe gjithmonë i ka shërbyer edhe njërit edhe tjetrit për ti realizuar planet e tyre ekspansioniste, për ti shëruar frustrimet e tyre imperiale. Nuk ekziston në planet kolonizator më i madh se Europa! Për këtë arsye Ballkani i reziston okupimit. Ne dëshirojmë të jemi në Europë, ne jemi europian, por jo më si shërbëtor, por si partnerë të mirë. Për paqe dhe tolerancë, për vlera të përbashkëta njerëzore. Ballkani nuk do të skllavërohet më. Fatkeqësisht, Ballkani më së shumti është skllav i vetvetes, ne grindemi me njëri tjetrin. Në secilën grindje më së shumti ka budallallëk. Për këtë insistoj në misionin tim privat për tolerancë, bashkëjetësë dhe afërsi. Detyra ime intelektuale është e vogël, por numri i atyre që mendojnë si unë është duke u rritur, duke u forcuar. Ndaluni njerëz! Qetësojeni zemrën, qetësojini nervat! Aq të ngjashëm jemi saqë për këtë arsye edhe grindemi me njëri tjetrin. Ta shiqojmë njëri-tjetrin përballë, pas shpinës nuk mund ta shikojmë sesa të ngjashëm jemi. 

M.:Kontrastet e jetës ballkanike janë motivet kyqe të krjimtarisë tuaj letrare, poezisë dhe prozës, pastaj keni mendime interesante edhe për simbolet kombëtare të popujve ballkanik, a mund të na thoni cilat janë kontrastet dhe simbolet e mëdha të këtij regjioni multikulturor dhe fetar të cilat kanë mundur të jenë motivet e veprës tuaj letrare?

J.N.:Pyetja është e vështirë, nuk mund të ipet përgjigja me disa fjalë. Por, unë do të përgjigjem me lehtësi në këtë pyetje….

Analizojeni sesi sot Mali i Zi është duke udhëhequr politikën e saj të të brendshme dhe të jashtme dhe do ta gjeni receptin për tërë Ballkanin. Shiqojeni sesa mirë bashkëpunojnë Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria dhe gjithçka do ta keni të qartë. Për atë shkruaj unë: për miqësinë ndërmjet popujve në Ballkan, për ngjashmëritë të cilat i  kemi shumë, por edhe për dallimet të cilat mund t’i tejkalojmë. Për bukurinë e njerëzve tanë, për virtytet e fshehura, mundësitë e mëdha të këtij territori, arritjen madhështore të Ballkanit në hartën e botës së civilizuar. Për shpresën që njëherë të ndalemi në në një stacion më të mirë të njerëzimit.

M.:Në këtë qendër kulturash të përziera, shqiptarët jetojnë në katër shtete, ku kanë qendrat më të mëdha kulturore (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mal i Zi). Si mendoni, cilët janë autorët me përfaqësues të shqiptarëve në hapësirën ballkanike, por edhe evropiane?

J.N.:Nuk e njoh mjaftueshëm kulturën tuaj në mënyrë që të japë mendim. Por e di që gjithmonë keni pasur ndjesi për të bukurën: në tregime, muzikë, lojë dhe aktrim. Gjatë përkthimit të librit të së nderuarës Edi Shukriu kam vërejtur sesa i madh është kontributi i femrës suaj për kulturën e Ballkanit. Me çfarë respekti shenjtëror shqiptarët i duan nënat, motrat dhe bashkëshortet e tyre. Populli i cili i vlerëson femrat, ka ndjeshmëri të fuqishme për të bukurën…

Njoh shumë mirë veprën letrare të Ismail Kadaresë. Ai është një shkrimtar i shkëlqyeshëm. Por – ai nuk është shkrimtari më i madh ndër shqiptarë. Ka më të mirë se ai. Kadare ka pasur më shumë fat politik.

M.:Nëpërmjet veprës tuaj keni kontribuar në njohjen e letërsisë shqipe (në përgjithësi) ndër popujtë sllavofolës dhe madje keni kontribuar edhe për njohjen e elementeve të traditës kulturore shqiptare, duke përfshirë lidhjen tuaj me shqiptarët dhe madje keni shkruar edhe për gratë e shquara shqiptare. Sipas kësaj, çfarë i bënë shqiptarët të veçantë neë Ballkan?

J.N.: Shqiptarët janë martirët më të mëdhenj të Ballkanit. Asnjë popull nuk do të mund të duronte aq shumë telashe dhe dhimbje, e të mos humbasë gjuhën e as krenarinë kombëtare. Asnjë popull i Ballkanit me aq shumë ndjeshmëri dhe fuqi në etnosin e vet nuk ka mundur ta ruajë trashëgiminë religjioze (islami, ortodokcizmi dhe katolicizmi kanë bashkëjetuar në harmoni me njëra tjetrën: keni qenë dhe keni mbetur – shqiptar). Gjithçka tjetër është më pak e rëndësishme. Të ardhmen e keni të shëndritshme.

M.: Së fundi, shtëpia botuese “Koha”, botoi libri tuaj, “Shqiptarët dhe unë”, a mund të na thoni cilat janë lidhjet tuaja me shqiptarët?

J.N.:Në Shkodër, Tiranë dhe Korçë kam kushërinj, në Shqipëri dhe Kosovë miq të mirë. Këto lidhje janë të gjera dhe të thella. Këto miqësi më përcjellin në mplakjen time. Shqiptarët e ruajnë miqësinë, ata i duan dhe i ruajnë me bujari miqtë.

M.: Keni përkthyer librin “Gra të shquara shqiptare”, të autores nga Kosova, Edi Shukriu. Si u prit libri, sa kishte interesime për njohjen e kontributit të grave shqiptare nga lexuesi malazez?

J.N.:Kam pasur disa promovime të këtij libri në Mal të Zi dhe Kroaci. Në Split dhe Zagreb ky libër ka ngjallë interesimin më të madh. Ka pasur edhe reagime: pse disa prej atyre grave janë radhitur në mesin e grave shqiptare? Përgjigja ime ka qenë e qartë: për shkak se ato gra janë shqiptare, dhe jo serbe, greke apo maqedonase. Me këtë përgjigja në këtë temë mori epilog.

M.: Aktualisht, cfarë jeni duke punuar nga letërsia shqipe në kontekstin ballkanik?

J.N.:Pothuajse gjatë tërë dekadës kam punuar në një kronikë mbi familjen time. Vitin e kaluar është publikuar romani i parë i trilogjisë “Roman o Nikoli” (Roman për Nikolën). Quhet “Naši su životi bjekstva” (Jetët tona janë jetë ikjeje). Në këtë roman (të cilin e shkruaj nën pseudonimin Joanis Arvanitas) mund të lexoni sesa Shqipëri ka në Jovan Nikolaidisin. Në proces të shtypit është pjesa e dytë e kësaj trilogjie me titull “Nemoj plakati” (Mos qaj). Në të merrem me historinë e re të Shqipërisë, ashtu si e sheh shkrimtari dhe jo historiani. Romanin e tretë (titulli punues: ““Tišina kiše” – Qetësia e shiut) tani jam duke e shkruar, duke shpresuar se nuk do të vdes para se ta kryej amanetin të cilin ua kam dhënë të parëve të mi. Të gjithë i kanë respektuar shqiptarët.

Fotografi me miqtë në Shqipëri: Besnik Bakiu, Xhevahir Spahiu, Jovan Nikolaidis, Saimir Strati, Arian Leka.

Jovan NIKOLAIDIS: u lind më 1950, në Ulqin të Malit të Zi. Është i njohur si aktivist kulturor malazes, shkrimtar, përkthyes dhe botues. Mbi dhjetë vjet punoi si gazetar në mediat e shkruara në Sarajevë dhe më pas u kthye në Ulqin ku jeton edhe tani. Nikolaidis drejton shoqatën kulturore ‘Plima’, përmes së cilës ka për qëllim të promovoj vlerat multikulturore të Ballkanit. Po ashtu, është i angazhuar edhe për zhvillimin e dialogut kulturor të shkrimtarëve të Malit të Zi dhe vendeve fqinje, si: Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Shqipëri. Ka publikuar disa libra kryesisht në prozë dhe pjesërisht studime politike, si dhe disa librat të përkthyer. Së fundi ka publikuar librin eseistik “Shqiptarët dhe unë”. 

Modifikuar më Hënë, 05 August 2019 13:48
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...