Aktorja Justina Aliaj eshte ngjitur mbrëmjen e djeshme në skenën e Teatrit Kombëtar me monodramën “Mbretëresha” shkruar nga Rexhep Qosja. Aktorja e njohur erdhi me këtë monodramë në skenë në kuadër të Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit. Gjatë këtyre ditëve shfaqjet po vazhdojnë në skenë, ku aktorë të njohur shqiptarë dhe të huaj përmes veprave të ndryshme përcjellin jo pak mesazhe. Të interpretosh tragjedinë “Mbretëresha” është cilësuar sa e vështirë aq edhe privilegj për aktorët. Ajo na paraqitet shumëplanëshe në tërë kompleksitetin e saj si figurë, e të tërheq fort duke e ndjekur nga fillimi deri në fund të veprës. Ngjarja në veprën teatrore zhvillohet rreth vitit 229 p.e.s. Mesazhi që transmeton “Mbretëresha” në skenën e teatrit është sa i qartë aq edhe bindës: Smira, lakmia, urrejtja, ambiciet pushtetore (siç e cilëson autori), mund të çojnë deri në asimilimin e një kombi. “Mjeshtre e Madhe” aktorja Justina Aliaj e sjell këtë herë veprën teatrore me një material më të ngjeshur se sa versioni, që ka qenë më parë në skenën e teatrit. E përgatitur për në skenë nga aktorja e njohur dhe me asistent regjisor Naun Shundi, kjo vepër me autor Rexhep Qosjen është mirëpritur për atë çfarë përcjell përmes mesazheve të saj në teatër. Monodrama “Mbretëresha” vjen për publikun me interpretim nga Justina Aliaj, por kushtet që e sjell në Teatër Kombëtar janë të vështira. Mungon skenografia, fonia, ndërsa ndriçimi është siguruar përmes gjeneratorit nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Teatri Kombëtar është në kushte të vështira, por mbrëmjen e sotme kjo shfaqje me aktoren e njohur Justina Aliaj vjen shumë herë më e fortë dhe më e fuqishme në tekstin e Rexhep Qosjes. Pak ditë më parë aktorja e njohur Justina Aliaj, iu bashkua artistëve dhe qytetarëve, të cilët prej disa ditësh po protestojnë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. “Teatri Kombëtar për mua është i shenjtë, populli është i shenjtë dhe të gjithë ne luftojmë për një çështje të thjeshtë”, deklaroi mes të tjerave aktorja.