‘Koprraci’ i Ferizajt hapi Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Kajro

E mërkurë, 18 September 2019 11:47

Shfaqja “Koprraci” e Teatrit “Adriana” të Ferizajt, me regji të Elmaze Nurës, e hapi edicionin e 26-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor dhe Eksperimental, që ka nisur më 11 shtator dhe mbyllet më 19 shtator 2019, në kryeqytetin e Egjipti, Kajro.

Shfaqja ferizajase ka pasur dy prezantime në këtë festival, më 11 dhe 12 shtator.

Për shfaqjen kosovare u dhanë vlerësime të larta nga kritikët e teatrit, për regjinë, lojën, skenografinë, muzikën etj.

Publiku që kishte mbushur sallën e Teatrit në qendër të Kajros, e ka pritur me duartrokitje lojën e aktorëve kosovarë. Në artikujt e publikuar pas dhënies së shfaqjes, “Koprraci” është cilësuar si një ndër shfaqjen mbresëlënëse të edicionit të sivjetmë.

Drejtuesi i Festivalit, Sameh Mahran, u shpreh me fjalë pozitive për prezantimin e Kosovës. Ai theksoi se kjo shfaqje solli vlera në CIFCET, me të gjitha elementët e saj.

Regjisorja Elmaze Nura falënderoi Teatrin dhe Komunën e Ferizajt për mbështetjen e kësaj ngjarjeje të rëndësishme artistike. “Ishte një prezantim dinjitoz me “Koprracin”, një punë shumë e madhe, që u shpërblye me pritjen që na e bënë në Kajro”, ka thënë Nura.

Bashkë me ekipin e Teatrit ishte edhe drejtoresha e Kulturës në Komunën e Ferizajt, Xhemile Murati – Shabani. Ajo u shpreh e impresionuar nga Festivali dhe paraqitja e suksesshme e trupës, duke potencuar se artistët duhet të mbështeten sidomos në ngjarje të këtyre përmasave botërore.

Pjesëmarrja e Teatrit ‘Ardiana” në Festivalin e Kajros është paraqitja e parë e këtij teatri para një audience të tillë ndërkombëtare, ndërsa është mundësuar nga Komuna e Ferizajt.

Në shfaqje luajnë: Mevlan Saraçi, Vjosa Abazi, Jajush Ramadani, Blin Sylejmani, Ali Krasniqi, Milot Salihu, Uratë Shabani, Sherif Bega dhe Doruntinë Xhemajli.

Skenografia ishte nga Zeni Ballazhi, kostumet Alma Krasniqi, muzika Gëzim Hasani dhe ndriçimi nga Hajrullah Elezi.

Kjo është hera e dytë për regjisoren Nura që merr pjesë në një festival të këtij niveli të lartë, ku janë prezantuar emrat më të mëdhenj botërorë të teatrit. Ajo është prezantuar në CIFCET në vitin 2003 me shfaqjen “Ëndrra e një nate vere”.

Login to post comments