“Ngrinin xhaketat t’u dukej koburja“! Flet poeti që u detyrua të punonte me lopatë: Si më mbrojti Kadareja nga sulmet e dy poetëve ushtarakë

Diel, 29 September 2019 10:08

Memorie.al sjell pjesë nga kujtimet e shkrimtarit dhe poetit Faslli Haliti, i cili në fillimin e viteve ’70-të u dërgua në prodhim si puntor me lopatë për vite me rradhë në fushat e Myzeqesë dhe Komunalen e Lushnjes për shkak të vëllimit të tij poetik “Dielli dhe rrëkerat”, ku akuzohej se “nxinte realitetin”. Si i kujton poeti rebel dhe problematik i regjimit, diskutimet e debatet e ashpra në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në mes Kadaresë dhe Agollit, si dhe qëndrimin e shkrimtarëve të tjerë si: Viktor Qurku, Agim Shehu, Luan Qafëzezi etj.

Më vjen një ftesë nga Lidhja e Shkrimtarëve. Më 15 mars 1973 organizohej një mbledhje me të gjithë poetët, në sallën e Lidhjes. U nisa për në Tiranë. Mbledhja filloi. Më vunë në presidium. Mbledhjen e drejtonte Dritëro Agolli. Në presidium ishte edhe Ismail Kadare. Dhimitër Shuteriqi ishte në sallë. Qëndronte ulur në rreshtin e parë dhe mbante shënime për cilindo që diskutonte. Më duket sikur protokollin e mbledhjes po e mbante ai vetë.

Në mbledhje folën e diskutuan shumë krijues e kritikë. Kritikuan poemën time, disa poezi të miat, veçanërisht poezinë e “Njeriu me kobure”, “Vetëshërbim” etj., etj. Krahas poemës sime kritikuan edhe poemën e Viktor Qurkut “Shkëlqimi”.

Poezinë “Njeriu me kobure” e sulmuan sidomos dy pseudopoetët ushtarakë, I.G. dhe L.D., etj. Kur flisnin e diskutonin krijuesit ushtarakë, përvishnin mëngët e gjimnastorkave. Revani i tyre ishte i egër shkumbues. Nuk mbaheshin. Filluan të kritikonin edhe Ismail Kadarenë për tregimin “Zbërthimi”, “Provokacioni” etj. Në këte mbledhje u atakua edhe poema “Pse mendohen këto male”, nga dramaturgu oficer, B.K.

Me këtë dramaturg kisha udhëtuar një ditë më parë në tren, duke ardhur për në Tiranë. Gjatë rrugës ai më ndejti ftohtë. Më foli keq për disa krijime të Kadaresë si dhe për poemën “Pse mendohen këto male”. U çudita. E kundërshtova. Tani që ai po fliste në mbledhje për poemën, tani që po e kritikonte atë, kuptova se ushtarakët sikur kishin një mllef kundër Kadaresë dhe ndaj atyre që kishte në konsideratë për Kadarenë. Kush i ndërsente këta ushtarakë, kush ua hapte syrin edhe gojën këtyre?!

Unë vetëm dëgjova. Nuk diskutova, nuk bëra autokritikë për poemën, për poezitë që m’u kritikuan. Viktor Qurku, diskutoi. Mirë diskutoi. Nuk bëri autokritikë. Ai kishte bindje se poema e tij nuk ishte e gabuar.

Kujtim Spahivogli foli pas Viktor Qurkut. Kujtimi ishte i mendimit se poema “Dielli dhe rrëketë” duhej të ishte më e fuqishme. Pra ai kërkonte më tepër prej saj kur atë edhe ashtu siç ishte po e kritikonin për ashpërsi dhe nxirje të realitetit të mrekullueshëm socialist. Kujtim Spahivogli tha se Viktori duhet të tregonte më shumë buonsens në diskutimin e tij. Ai tha se Kadareja me shokë në vitet ‘60-të kishin treguar shumë buonsens gjatë debatit me “gardën e vjetër” të shkrimtarëve.

Qamil Buxheli ndër të tjera mbrojti poezinë time “Vetëshërbim”. Kjo poezi u kritikua si një manifest i hermetizmit, si një poezi që bënte thirrje për zëvendësimin e partishmërisë proletare me atë borgjeze. Kjo poezi u kritikua më vonë në gazetën “Zëri i Popullit” nga Fiqret Shehu, një vit më vonë po Fiqreti e kritikoi për të njëjtën gjë këtë poezi, si dhe poezinë “Njeriu me kobure” në revistën “Rruga e partisë” Nr.3, viti 1974 me rastin e një vjetorit të fjalimit të 15 marsit 1973 të Enver Hoxhës.

Ruzhdi Pulaha e mbrojti poezinë “Njeriu me kobure”. Ai tha:

-Po ju ushtarakët të pakritikueshëm jeni kështu?

Me këto fjalë Ruzhdiu iu drejtua shkrimtarëve ushtarakë që e kishin shumë zët këtë poezi. Dritëro Agolli tha për poezinë “Njeriu me kobure”. -Hë mo mirë e ka Faslliu. Mburren me koburen disa. Edhe ai faturino i autobuzit ngre xhaketën dhe na tregon koburen.

Dalan Shapllo në diskutimin e tij tha se poezitë e Faslli Halitit janë të fuqishme, realiste e të sinqerta, etj., etj.

Kështu më kishte folur edhe Dritëroi në prani të tjerëve si dhe në prani të poetit të ri Fatbardh Rustemi:

“Edhe unë shkruaj poezi, por ti Faslli shkruan poezi burrërore, etj., etj” më tha Dritëroi.

Kurse tani thoshte, të shohim, si do të qëndrojë poezia “Njeriu me kobure”, në dritën e fjalimeve të fundit të Partisë. “Nejse. Punë e tij”. Më tha dikush:

-“Tjetër është talenti, tjetër karakteri, shok i dashur”.

Vetëm më vonë do t’i kuptoja këto fjalë.

Në mbledhje foli edhe Kadareja. Ai tha për Razi Brahimin se:

“Raziu ka një vështrim policesk për poezinë”.

Ismail Kadareja foli për trajtimin e temave të mëdha. Kur Ismaili tha se gjuha nuk është superstrukturë e bazës, se këtë marrëzi të akademikut sovjetik Marri, po e përsëriste edhe Razi Brahimi, duke i gjykuar fjalët si superstrukturë të bazës, por ndërhyri Dritëro Agolli dhe e kundërshtoi Ismailin, duke thënë: “Fjala vërtetë s’ka karakter klasor, por kur ajo kthehet në figurë stilistike, merr konotacion klasor”.

Ismaili nuk iu përgjigj objeksionit të Dritëroit.

Pastaj diskutoi Luan Qafëzezi, i cili atakoi në diskutimin e tij Fadil Paçramin. Tha se Fadil Paçrami, poemën “Baballarët” e kishte quajtur konservatore etj., etj., që s’më kujtohen.

Duke dëgjuar Luan Qafëzezin të kritikonte Fadil Paçramin, m’u kujtuan fjalët e Agim Shehut i cili një natë më parë pasi mbaroi mbledhja në sallën e Lidhjes, më kishte thënë: “E di kush është ai “rrufjani” politik, për të cilin flet Enver Hoxha?

-Jo, i them, – s’e di. E si mund ta di unë. Pse ma bën këtë pyetje mua ti Agim. Ç’punë kam unë me këto gjëra?!

Agimi më tha me nervozizëm: “Edhe ai Ismaili yt nuk është pa gjë. Edhe ai me klika vepron. Prandaj mos ma mbaj për idhull ti atë. Dëgjove”?!

I them prerë Agim Shehut: “Dëgjo ti Agim Shehu, Ismail Kadareja, s’është vetëm imi, ai është i gjithë Shqipërisë, është edhe shoku yt i fëmijërisë. Unë e di se ju edhe tani jeni shokë. Si më flet kështu për Ismailin ti? Ku do të dalësh ti? Fol më shkoqur”.

-“Kaq mund të të them tani për tani. Ai rrufjani politik për të cilin flet në fjalimin e tij Enver Hoxha është Fadil Paçrami, që nuk vlen jo për sekretar por as për kryetar kooperative. Prandaj të mbash qëndrim kritik ndaj Ismail Kadaresë. Mos ma mbaj për idhull”, u përgjigj Agimi.

-“Unë, për idhull e kam mbajtur dhe për idhull do ta mbaj” – i them.

-“Mirë – më thotë – bëj si të duash”.

U ndamë. Tani që Luan Qafëzezi kritikoi Fadilin m’u bë e qartë biseda me Agimin.

Kur Luan Qafëzezi po vazhdonte të fliste për Fadilin, Ismail Kadareja u çua. I thotë Dritëroit:

-“More Dritëro, ndërhy… Ç’flet ky”?!

Dritëroi nuk i ndërhyri Luanit. E la të fliste siç deshi.

Duke parë këtë skenë që për mua ishte e qartë pas bisedës me Agim Shehun, kuptova se Ismail Kadare nuk ishte fare në dijeni se ç’po ndodhte. Agim Shehu siç doli më vonë kishte qenë i mirinformuar.

Të nesërmen u muar vesh se Enver Hoxha e kishte kritikuar rëndë Fadil Paçramin. Gjithçka u sqarua.

Nën dritën e këtij fjalimi sekretari i Komitetit të Partisë së Lushnjes, Rrapi Gjermeni, organizoi një mbledhje që mund ta quaj tani me plot gojën një autodafe të vërtetë mesjetare, vetë Rrapin një inkuizitor.

Në fund të mbledhjes, që zgjati gjer në mesnatë, Kadareja gjithë merak për mua më tha: “Po tani, Faslli, ku do të shkosh të flesh”?

-Në hotel – i thashë.

U ndamë.

Në të vërtet unë nuk fjeta në hotel, por në apartamentin e Viktor Qurkut. Në të vërtet nuk fjetëm si dy të kritikuar rëndë, por e kaluam natën duke biseduar për poemat tona, nëse ishin apo nuk ishin ato në të vërtet kaq të gabuara sa thuhej…

Gjatë natës e kaluam duke diskutuar me këtë temë e duke pare piktura në revistat Iskustvo, koleksion i Viktorit./memorie.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...