Kulturocidi që po zbeh kornizën heterogjenitare shqiptare

E Enjte, 30 Janar 2020 16:55

Fjalë promovimi për librin “Qytetet e Ilirisë” të autorit Gani Mehmetaj

Pastor dr. Femi Cakolli

Libri më i ri i shkrimtarit Gani Mehmetaj, i shtypur para përfundimit të vitit të kaluar, mban titullin “Qytetet e Ilirisë”, botuar nga Shtëpia Botuese Titaniku, Prishtinë. Kësaj radhe nuk kemi në dorë ndonjë roman a përmbledhje publikimesh nga aktualiteti ynë kulturor siç jemi mësuar të kemi nga ky autor por tani kemi një vepër të zhanrit udhëpërshkrues, udhëtregues e arkeologjik të 23 qyteteve iliro-shqiptare. Përshkrimi i këtyre qyteteve nis nga Gjakova tok me disa vendbanimeve tjera të lashta përreth saj, pastaj vazhdon me Nishin si qytetin më verior të Dardanisë e pastaj për të zbritur në Pazarin e Ri, Artanë, Domastion, Ulpianë, Cermjan, Rudinë, Prizren, Shkup, Shkodër, Plavë, Guci, Gjytet, Ulqin, Lezhë, Krujë, Kaninë, Pogradec, Korçë dhe Gjirokastër.

Autori kësaj here ka zgjedhur që të lë imagjinatën dhe të braktisë fiksionin letrar, trillimin si mjeti letrar, pra lë rolin e shkrimtarit si primat arti, dhe  vishet më shumë si vizitator duke marrë rolin për mbledhjen e faksioneve (fakteve) si shënimtari ose regjistruesi i arkeologut dhe ciceronit për gjetjet më të fundit nëpër këto qytete ilire, si pjesë e ekspeditave dhe të udhëtimeve të realizuara prej marsit të v. 2017 e deri në mars të v. 2019.

Duke e përcjellë veprën krijuese të autorit Mehmetajt për disa vjet rresht, mund të konstatoj se nga aspekti tematik dhe i shtrimit të materies letrare, i stilit ekspozues dhe i vokacionit artistik kjo vepër që po promovojnë sot nuk përbën ndonjë risi strukturale, formale, përmbajtësor e angazhimor, ani pse provon të kultivojë një zhanër të ri letrar. Veçantia e këtij teksti është sintetizimi i arkeologjisë si prova të antikitetit ilir dhe atij urban aktual i këtyre 23 qyteteve për të përçuar e evokuar një mesazh dhe kundërshtesë për një civilizim të synuar perëndimor të qenies shqiptare.

Në aspektin e kohës autori zgjedh të kaluarën e largët (antikitetin ilir), të kaluarën e mesme (mesjetën arbërore), të kaluarën e afërt (rilindjen kombëtare) dhe të sotmen. Pra kemi një të kaluar në tri periudha dhe të sotmen. Skema është e thjeshtë: dje dhe sot, por diku për një çështje autori lëshon disa lemza dhe për disa tjera trishtime, për të ardhmen tonë kulturale e identitare.

Pse autori flet për këto 23 qytete ilire? Në esencë të këtyre qyteteve, pra kupto në qendër të këtij civilizimi, gjendet perandori bizantin me prejardhje ilire, Justiniani i cili ndërton 8 qytete na fillimi dhe rindërton mbi 50 qytete tjera, kala, fortifikata, kështjella dhe disa prej tyre vazhdojnë jetën edhe sot. Justiniani në këtë vepër nuk është personazh apo vetëm figurë historike por është ndërtuar në ide letrare, është metafora postmoderne autoriale, është modeli, është vlera e yjësive më të larta (paradigma) se çfarë autori ëndërron në projeksionin e tij: t’i luftojmë barbarët; të merremi me rikuperimin e dëmeve arbërore e shqiptare që janë bërë nga barbarë të shumtë. Kjo qasje nuk është  vetëm njëlloj semantike por si një projeksion, pra është një modernitet (ndërmarrje e madhe nga të gjithë dhe me dobi për të gjithë).

Përpos Justinianit figura të tjera historike që hasen në këtë tekst, por me synime e ide të tjera letrare janë: Jerina (e bukura shqiptare; vajzat tona janë mbretëresha shqiptare), Leka i Madh (princi që përhap civilizim në botë), Lekë Dukagjini (princi që mblodhi e kodifikue ligjet, pra ne nuk jemi pa ligje), Pjetër Bogdani (kryeipeshkvi i Shqipërisë dhe i Serbisë që pos uratës ka edhe kamën duke mobilizuar 6000 luftëtarë kundër osmanëve), Lesh Spani, sundimtari i fundit arbëror i Artanës i cili prezanton lakoren historike; Martin Shegyni (Segoni) rrëfimtari i parë i të bëmave të Skënderbeut prezanton idenë e kallëzimtarit mishëruar kaq shumë në vetëdijen dhe kulturën tonë etj.

Përmes këtyre qyteteve autori ka për synim që të plasojë mesazh për brezin e sotëm duke dëshmuar se ne kemi pasur qytetërim, kemi pasur ushtarë, piktura e piktorë, skulptura e skulptorë, vepra e shkrimtarë, ligje, statute të kështjellave, tempuj e kisha (paramendoni se vetëm kisha sase në Artanë të Kosovës i zinte 3000 frymë – kjo faltore ishte aty deri në vitin 1455), monedha, ari etj. Dhe krejt në fund porosit dhe evidenton autori se ka një vazhdimësi dardane nëpër këto qytete andaj ne duhet të shfaqim më shumë dashuri për historinë dhe vendin tonë.

Dalloj në këtë vepër kategorinë sa estetike, ndoshta jo të pranuar nga të gjithë ose jo të veçuar nga të gjithë, po kaq edhe kategori biblike e teologjike atë të sakralitetit. Kjo kategori në fjalorin e sotëm të shqiptarëve madje tejet të zakonshëm kur shtyjnë ide a plane përpara së debatuari dhe kur duan që t’i bindin të tjerët këtë e bëjnë me anë të ndrojtjes dhe ngritjes së argumentimit të pakundërshtueshëm, si prej qielli, të argumentimit me bazë e mendësi të paprekshmërisë, të bindshmërisë dhe shumë herë edhe në formë të manipulimit. Sa shpesh pra e dëgjojmë sintagmën “është e shenjtë”, kështu autori ka ndërtuar në strukturimin e tij të menduarit për faktin se qytetet apo vendbanimet e hershme njerëzore të gjendura tek ne janë të shenjta.  Kështu kemi edhe Urën e Shenjtë, Kështjella e Rozafës, vendet e shenjta, gjësendet e shenjta, stelat, shpatat, ushtat, shtizat, luftërat e shenjta, gravurat ilire, shpella e kryqeve, tempulli ilir, rrasat e gurit me vizatime parahistorike etj.

Janë katër qytete që rrëfimtari i idileve u jep më shumë vëmendje: Shkupi, për shkak se ka qenë kryeqendra e Dardanisë dhe tani gati sa nuk është sllavizue; Prizreni, dikur pronë e Kastriotëve i cili vazhdimisht po kozmopolizohet qëllimisht për t’i humbur karakteri arbëror paramendoni si qyteti ku është organizuar Lidhja e Prizrenit tash promovohet si qyteti i etnive e kulturave të ndryshme; Kruja, kryeqyteti i rezistencës së Gjergj Kastrioti; dhe së fundi e që më së shumti flet për të është qyteti i Shkodrës. Shkodra është qyteti i miteve, i legjendave, i kujtesave, i mbretërve e mbretëreshave, i epokave të lavdishme, qyteti i ëndrrave të fëmijërisë së autorit – ëndrra të kopshtuara në fakt nga i ati i vetë autorit.

Të kthehemi tek ideja kryesore e veprës. Edhe pse dominojnë dy lëndë këtu, arkeologjia dhe historia ideja qendrore është kulturociada, pra shkatërrimi sistematik i kulturës ilire, arbërore e shqiptare e nisur nga dyndjet sllave për të vazhduar pastaj fise e popuj tjerë dhe së me pushtimet osmane e serbe dhe nga organizatat turke e arabe. Ky program kulturocid, sipas autorit po ndodh me hov të madh si në Shqipëri po ashtu edhe në Kosovë e Maqedoni këto 20 vitet e fundit.

Është e qartë se nga metodat e studimit të cilitdo tekst përmes leximit qëllimor e kërkimor si metodologji ne e gjejmë kryetemën, temën dhe nëntemat e tekstit. Përmes vëzhgimit të mirë të tekstit ne i gjejmë faktet e mira. Përmes fakteve të mira ne bëjmë interpretimin e duhur, dhe interpretimi i duhur na çon në aplikime të ndryshme por të dobishme. Kështu ky tekst edhe pse me rezervime nuk udhëzon lexuesin për tek aplikimet e synuara, por në fakt kjo i mbetet në ndërdije atij, në ndërgjegje, i mbetet ndër dhëmbë duke hapur e kapur dilemën dhe reflektimet: si nuk po shohim kulturocidin, si nuk po na pengon kulturocidi, si të fitojmë ndaj kulturocidit sistematik.

Shikuar nga pikëpamja e spektrit të kulturës së përgjithshme kombëtare, dihet se kultura shqiptare ka qarqet e veta kulturore të ndërlidhura e ndërshtresuara si pasojë e rrjedhimeve dhe e ndikimeve historike, ashtu saktësisht si edhe autori përmend fatin e fisit Kuçi që disa janë katolikë, disa ortodoksë e disa myslimanë, prandaj mbështetja kaq e madhe e autorit, mbitheksimi kaq i trashë, mbivlerësimi kaq i lartë i njëri qark kulturor shprehur në këtë libër mendoj se pikësëpari nuk është as i qëndrueshëm, as i lakueshëm, as i lakmueshëm, as i dëshirueshëm dhe as i praktikueshëm pasi të gjitha qarqet tona kulturore pavarësisht prej zonave, specifikave, besimeve dhe përcaktimeve tjera i kanë dhënë kombit dhe kulturës shqiptare në momentet e caktuara.

Identiteti i kulturës shqiptare si realitet është ndërtuar mbi parimin e heterogjenitetit dhe mbi parimin e universalitetit, duke shtyrë mënjanë parimet tjera sikurse parcialiteti, ekskluziviteti dhe hemogjiniteti. Kjo është korniza jonë kulturore dhe identitare si komb por krijuesi është i lirë dhe mund të këndojë si ai të dojë meqë është vlerë po ashtu e përcaktimit tonë si shoqëri e hapur dhe kritike.  

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...