“Falja lindi nga varri, le t’i falim të gjithë në Ngjallje”/ Samarxhi: Dashuria, vaksina më e mirë që na dhuroi Zoti

Premte, 14 May 2021 08:09

 


FERDINAND SAMARXHI
“MJESHTËR I MADH”

 


Një pasiguri e përgjithshme është përhapur si një re pluhuri bërthamor në mbarë shoqërinë e sotme, duke shkaktuar vështirësi shqetësuese në frymëmarrje. Shumë përpiqen të përballen me të, duke akumuluar pasuri materiale të çdo lloji. Të tjerë kërkojnë miq të fortë, njerëz me pushtet politik, akademik, social-kulturor dhe ekonomik. Disa gjejnë strehë në ideologji të çuditshme fetare, me mënyra të shumëllojshme.

Tmerr në mjedise të ndryshme; në rrugë, në punë, në familje, shtohen “maskat” dhe zhduken “fytyrat”. Njerëzit zakonisht marrin role, bëhen mbartës të pashpirt. Ata ngjajnë me pajisje mekanike. Nuk janë dhe harrojnë që janë njerëz. Krijohet përshtypja se gjendesh në një realitet, në të cilin njerëzit fshehin identitetin e tyre, por me një dukuri origjinale. Sa herë hiqet një maskë, zbulohet një tjetër. Në një krizë të tillë, bashkëjetesa nuk mund të quhet e as nuk mund të bëhet shoqëri. Ndonëse njeriu është krijuar sipas ikonës, imazhit të Perëndisë, u degjenerua sipas Shën Grigorit të Nisës në një maskë të shëmtuar, ku refuzoi të pranonte një shoqëri dashurie me Perëndinë dhe e shpërdoroi natyrën e vet njerëzore.

Qytetërimi i sotëm dhe zhvillimi teknikoshkencor shfaqin një krizë të tmerrshme lidhur me autenticitetin e njeriut, një krizë identiteti. Njerëzit, pavarësisht nga raca, ngjyra, kultura, edhe pse mbartin ikonën e perëndishme, pra, kanë mendje, vullnet të lirë dhe dashuri, një “tjetërsim” i ngjitur pas egos së tij, kërkon të deformojë, të përcaktojë rrugën e tij të mëtejshme, duke vënë në dyshim shoqërinë me Perëndinë, bazën e unitetit, shoqërisë me njerëzit e tjerë dhe me mjedisin natyror. Kjo rrugë mundohet të prishë identitetin, të mëkatojë, të tjetërsojë thelbin e natyrës njerëzore. Natyra njerëzore, edhe pse gjendet e bashkuar si gjini njerëzore, integriteti i saj si qenie shoqërore, në vend që të shkojë drejt unitetit, nga tendenca e dyfishtë që mbart drejt përafërsisë së karaktereve individuale njerëzore, karakteristikë e ikonës “së perëndishme”, kërkon të shkojë drejt përçarjes, pasojë e rënies në mëkat.

samarxhi-ngjallja-dashuria-zoti (8)

Ngjallja e Krishtit ofron antidotin e efektshëm kundër virusit të tjetërsimit të njeriut, të egos së shfrenuar, të “maskave të shumta” dhe të çdolloj forme që sjell largimi nga e vërteta e ngjalljes. Ngjallja gjallëroi mendjen dhe ndërgjegjen tonë, një të vërtetë që shpesh harrohet, “se Perëndia është me ne”!

Perëndia i pafund dhe i pakonceptueshëm nuk e braktisi botën dhe nuk e la të vetme kundër fuqive të urrejtjes dhe egocentrizmit. Krishti dhe Fjala e Perëndisë mori natyrën njerëzore. Sipas Shën Vasilit të madh, ai erdhi në tokë “për ta sjellë tërë njerëzimin te vetja, për ta rilidhur me krijuesin e tij, Perëndinë”.

samarxhi-ngjallja-dashuria-zoti (7)

Me ngjalljen e tij, Krishti e lartësoi përfundimisht dinjitetin e njeriut. Dinjiteti njerëzor bazohet në të vërtetën se njeriu është krijuar sipas ikonës së Perëndisë (Gjoni, 1:20, 27, 5:1) dhe i është dhënë mundësia të ecë drejt “ngjashmërisë”, duke përdorur elementin e llojit hyjnor, i cili ekziston brenda natyrës njerëzore. Vlera e njeriut, dinjiteti ynë, plotësohet dhe përsoset në rrugën tonë për të bërë pjesëmarrës së natyrës hyjnore (2,Petr 1:4). Shën Grigon Theollogu e përkufizon njeriun si “një qenie qe ndërsa jeton këtu, udhëton për në një vend tjetër dhe qëllimi i misterit është të hyjnizohet, si pasojë e thirrjes së Perëndisë. Me ngjarjet e Pashkës, Krishti “vuan” si i vdekshëm dhe nëpërmjet pësimit, të vdekshmin e vesh me hijeshinë e paprishjes (Shën Joan Damaskinoi).

Apostol Pavli thotë: “Perëndia Atë e vendosi Zotin e ngjallur… për mbi çdo autoritet e pushtet, fuqi e zotërim, çdo emër që quhet jo vetëm në këtë jetë, por edhe në atë që vjen dhe i nënshtroi të gjithë nën këmbët e tij”. (Efes. 1:21-21).

Me ngjalljen e tij, Krishti i përmbysi të gjitha ato që shtypnin qenien njerëzore. Dhuroi fuqi për përmbysjen e tyre. Për këtë arsye, ngjallja në ne përjetojmë në çdo kohë mbetet fuqia e pashtershme kundër çdolloj shtypjeje të jetës.

Zoti i ngjallur qëndron mistikisht me durim përpara shumë zemrave të mbyllura, i mbushur me dashur dhe mirëkuptim, për të thënë në mënyrë të përsëritur: “Mos kini frikë! Ja, unë tek jam bashkë me ju, të gjitha ditët e jetës suaj (Math. 28:20). Të gjithë sa përpiqemi të jetojmë ungjillin në fazat e vështira të jetës sonë moderne, ftohemi të ripërtërijmë guximin dhe shpresën tonë”

samarxhi-ngjallja-dashuria-zoti (1)

Dashurinë e pakufishme që e gozhduam dhe e kryqëzuam, triumfoi nga varri i vdekjes dhe errësirës për të na ndriçuar me të vërtetat jetësore.

…nuk ka dhimbje më të madhe sesa të tradhtohesh, të urrehesh dhe mundohesh nga ata që do edhe që u ke bërë kaq shumë. Krishti me vetëdije zgjodhi të vuante nga ne, për ne. Vuajtja e tij solli triumfin: Të dashurisë mbi urrejtjen, të dritës mbi errësirën, të virtytit mbi ligësinë, të shpresës mbi pesimizmin, të humanizmin mbi fariseizmin, të jetës mbi vdekjen, të Zotit mbi djallin. Më mirë të vuajmë, duke bërë të mirën, sepse e dimë që kjo do të ketë një shpërblim të madh, do të jetë një fitore mbi të keqen, urrejtjen, errësirën dhe vdekjen.

samarxhi-ngjallja-dashuria-zoti (5)

Dashuria është dritë, humanizëm, integritet dhe autenticitet. Ai që është veshur me dashuri, është vaksinuar me përjetësi, vërtetësi, drejtësi, paqe e çdo gjë tjetër që buron nga Ngjallja.

Ngjallja e Krishtit na nxjerr jashtë gjendjes shpirtërore që mbizotëron sot te njerëzit, që është boshllëku, dëshpërimi dhe kotësia. Nëse njeriu ka nevojë për diçka, ajo që ka nevojë më shumë është një gjendje e re shpirtërore për të jetuar. Nëpër skena gjendjet e reja krijohen lehtë me anë të ndriçimit, sfondit dhe ndryshime të tjera teknike. Në jetë nuk ka ndryshime teknike, nuk ka sfonde si në skenë, që të sjellin një gjendje të re shpirtërore. Vetëm një gjë mund ta arrijë këtë dhe kjo është Ngjallja e Jezu Krishtit.

samarxhi-ngjallja-dashuria-zoti (9)

“Tashmë që shpëtimtari i të gjithëve ka vdekur për ne, ne që besojmë në Krishtin nuk vdesim më siç vdisnin njerëzit më parë për të përmbushur dënimin që sillte shkelja e ligjit. Ky dënim ka marrë fund dhe tashmë që prishja është shkatërruar me anë të hirit të Ngjalljes, ne çlirohemi nga trupat tanë të vdekshëm në kohën që Perëndia cakton për secilin prej nesh, në mënyrë që të sigurojmë kështu një ngjallje më të mirë”. (Shën Athanasi i Madh, “Mishërimi i Fjalës”)

Ngjallja, triumf, gjendje e re shpirtërore?

Ngjallja e Krishtit na siguron fitoren, triumfin mbi çdo gjë në jetë. Ajo ishte beteja vendimtare kundër të ligut dhe vdekjes. Lufta vazhdon ende, por fitorja i përket Krishtit. Beteja vendimtare u zhvillua dhe u fitua.

“Sot erdhi shpëtimi në botë. Sot, falja lindi nga varri.

Asnjë le të mos ketë frikë nga vdekja, se na çliroi vdekja e Shpëtimtarit”…

Ngjallja e Krishtit është triumf dhe fitore. Himni ‘…Me vdekjen vdekjen shkeli’, përsëritet shumë herë në mënyrë triumfale, të gëzueshme, madhështore, duke sjellë gëzim mistik në çdo zemër njeriu. Në çdo gjuhë ta dëgjosh, është po aq madhështor e triumfal dhe depërton thellë në zemër triumfin e ngjalljes.

samarxhi-ngjallja-dashuria-zoti (3)

Me ngjalljen e tij, Krishti e lartësoi përfundimisht dinjitetin e njeriut. Me ngjalljen e tij, Krishti përmbysi të gjitha ato që shtypnin qenien njerëzore. Pashka na zbulon se me ngjalljen tani, të gjitha u mbushën me dritë dhe na vendos në perspektivë universale.

Ngjallja e Krishtit do të thotë fillim i një epoke të re të njerëzimit. Dëshmia më e madhe për Ungjillin ishte fuqia e re që mori njerëzimi dhe që jetoi triumfalisht mbi mëkatin që i kishte robëruar më parë.

Ngjallja e Krishtit solli ndryshim drastik në jetën e pasuesve të tij, njerëzimit përgjatë kohërave dhe ajo mund të ndryshojë gjendjen e gjithë botës “kjo është fitorja që mundi botën” (1 Jn. 5:4b).

samarxhi-ngjallja-dashuria-zoti (6)

Zoti i jetës dhe i vdekjes e ka mposhtur dhe e ka mundur plotësisht fuqinë e errësirës dhe na lejon të marrim pjesë në triumfin e tij duke na dhënë fuqinë ta mposhtim botën.

Dashuria mbetet vaksina më e mirë për jetën e njeriut dhe ngazëllim i papërshkruar.

Kushdo që jeton me frymë Pashke, drithërohet nga besimi në jetë; nga siguria se jeta është më e fortë se vdekja; se fundi i ekzistencës së njeriut nuk është shuarja e tij, por ngjallja; se punët dhe veprimet tona kanë rëndësi vendimtare dhe se jeta njerëzore mbyll në vetvete përjetësi dhe pafundësi.

samarxhi-ngjallja-dashuria-zoti (4)

Pashka rrezaton dashuri të guximshme. Me Ngjalljen triumfale të Krishtit u përmbysën tinëzitë dhe urrejtja e armiqve të Tij. Por fitorja e Tij nuk kishte asnjë gjurmë hakmarrjeje. Pashka është triumfi i dashurisë. Asnjë hije antipatie ose pakënaqësie nuk e sfumon dritën e saj. Kisha i fton të gjithë në falje, në pajtim dhe në përqafim të përzemërt dashurie. Kjo ndjen jë e fuqishme e dashurisë e çon krijesën njerëzore në vepra të guximshme vetëflijimi, sepse ata e dinë se nuk ka Pashkë pa Kryqëzim dhe se sakrifica e vetvetishme dhe e painteres e lartëson dhe e denjëson njeriun.

Kushdo që jeton me frymë Pashke, drithërohet nga shpresa dhe ngazëllimi që i përshkojnë gjithë qenien dhe shpërndajnë çdo re melankoli dhe dëshpërimi. Është fjala për një gëzim paqësor, i cili shumëfishohet duke ofruar. Kushdo që akordohet në ngazëllimin e Pashkës, bëhet edhe vetë bartës shprese dhe optimizmi.

samarxhi-ngjallja-dashuria-zoti (2)

Në atmosferën e rënduar që po jetojmë, kemi nevojë për një frymëmarrje të thellë ngazëllimi paqësor. Rezistenca më e mirë e këtij pështjellimi kaotik është ngazëllimi mistik i Pashkës. Ngjallja nuk e injoron realitetin; e kapërcejmë atë me shkëlqimin e dritës së saj, me paqen që u ofron shpirtrave tanë, me sigurinë se forcat e errësirës, të dhunës, të hipokrizisë dhe të padrejtësisë do të përmbysen dhe do të mposhten me fuqinë e Perëndisë. Jezu Krishtin e gozhduan në kryq “me duart e të padrejtëve”. “Por Perëndia e ngjalli, duke e çliruar nga prangat e vdekjes, sepse ishte e pamundur ta mbante vdekja”.

Vetëmohimi sipas Krishtit përbën në çdo kohë identitetin e qenies njerëzore dhe duhet të mbetet karakteristika bazë e jetës. Krijesa njerëzore si qenie individuale e shoqërore nuk mjaftohet thjesht në himnizimin e kontributit flijues të Krishtit, ndërsa vrapon në praktikën e përditshme pas idhujve të ndryshëm – pasurisë, luksit, pushtetit mondan – duke shmangur mundin dhe sakrificën, sigurisht nuk është në gjendje të bindë dhe të frymëzojë njeriun në asnjë kohë.

Shprehja më e lartë e dashurisë pa hipokrizi, mbetet gjithnjë vetëflijimi i sinqertë. Dëshira për vetëmohim përbën sekretin e jetës, gjakun që gjallëron një shoqëri të solidaritetit. Në veçanti këto ditë Pashke, kërkohet vetëmohimi brenda mjedisit në të cilin lëvizim. Të gjithë kemi raste e mundësi për diçka të tillë. Duke përqafuar sa të mundemi më shumë frymën e vetëmohimit në jetën tonë, do t’i afrohemi më thelbësisht kuptimit dhe fuqisë së Pashkës.

Brenda kësaj të kremteje ngazëlluese, brenda dritës së Pashkës, ne thirremi që të kapërcejmë rrethin e vetvetes, për të takuar njëri-tjetrin me mirëkuptim dhe dashuri “dhe njëri-tjetrin le të përqafojmë”

Duke përjetuar Pashkë pajtimi me Perëndinë, pajtohemi me njerëzit që kemi pranë, në shtëpi, në punë, në rrethin shoqëror, kishtar dhe politik, në vendin tonë. Por edhe me ata që kemi larg, duke harruar mëritë, duke falur fyerjet, duke kapërcyer padrejtësitë, të vogla apo të mëdha qofshin.

Pësimin dhe Ngjalljen ta shohim si maturi, por dhe me ngulm që të mbyllen plagët dhe armiqësitë në rrethin tonë, qoftë në atë farefisnor, qoftë në atë politik, qoftë në atë kombëtar apo ndërkombëtar. Kështu do të triumfojë dashuria që është antidoti më i mirë ndaj veprave të errësirës dhe vaksina më e shëndetshme e jetës njerëzore.

Me këtë kërshëri, dashuri dhe dritë perëndie të llambadhes së Pashkës, të bëhemi pjesë e kësaj drite për të ndriçuar zemrën, mendjen dhe shpirtin. Që të bëhemi qytetarë të asaj dashurie për të ndërtuar dhe për marrë pjesë në familjen e madhe europiane, së cilës i përkasim dhe aspirojmë. Le të dëgjojmë edhe një herë thirrjen paskale të Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit, apostullit të Krishtit në Shqipëri që ngjalli shpresën e shqiptarëve, që ringjalli besimin nga varri, që e rindërtoi Kishën nga hiri, që ngriti dhe e lartësoi kishën e Shqipërisë në botë, që sot është zëri më i fuqishëm i kohës, epokës së globalizmit, promovues dhe përçues i paqes dhe dashurisë në botë “Eni, merrni dritë nga drita që nuk perëndon!

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...