Charles Baudelaire
Dashuria ulet mbi kafkën
E Njerëzimit,
Dhe mbi këtë fron e poshtëron
Me të qeshur të pacipë,
Fryn gëzueshëm flluska rrumbullake
Që ngjiten ajrit,
Si për t`iu bashkuar botëve
Në fund të eterit.
Rruzulli me dritë e i brishtë
Ia merr vrullthi fluturimit,
Nxjerr e pështyn shpirtin e tij të dobët
Si një ëndërr të florinjtë.
Dëgjoj kafkën për çdo flluskë
Të lutet e gjëmojë:
-“Kjo lojë e pashpirtë është qesharake,
Kur do të pushojë?
Sepse çka goja jote shpirtzezë
Përndan në ajër,
Përbindëshe vrasëse, është truri,
Gjaku dhe mishi im!”
Përktheu : Anila Xhekaliu