×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 61

Cikel poetik nga Don Gjergj Simoni-meshtar, martir i gjallë

Premte, 25 May 2018 21:49

Nga Nikolin Sh. Lëmezhi (Bashkësia Jeruzalemi i Ri - Shkodër)

E dimë, me termin martirë ose dëshmorë, përkufizohen ata persona që vriten dhe derdhin gjakun e tyre për një ideal: për Atdheun, për besimin, për paqen, për zhvillimin e dinjitetit njerëzor. Martir do të thotë dëshmitar, por dëshmitari është edhe ai që jep një dëshmi me veprat e veta edhe pa derdhur gjakun  e vet. Një rast i tillë është edhe don Gjergj Simoni, martir i gjallë e bashkë me të edhe Kardinali i ri shqiptar Dom Ernest Troshani Simoni. Sot, pata fatin të takohem me don Gjergjin, meshtar rreth 85-vjeçar shqiptar, që me dashuri vazhdon t’i shërbejë Kishës dhe Mbretërisë së Hyjit. Aktualisht don Gjergji kremton rregullisht Meshën e Shenjtë çdo të premte në orën 8.00 tek Kisha e Motrave Klarise në Shkodër dhe është i gatshëm për të rrëfyer e këshilluar të gjitha ata që atij i drejtohen për një mbështetje shpirtërore. Sado që shëndeti i tij fizik shkon gjithnjë e më shumë duke u dobësuar, don Gjergjit i shkëlqejnë sytë kur flet për përvojën e tij, për salvimet që ka pësuar ai dhe familja, për vullnetin e fortë që e ka shoqëruar që t’i qëndrojë besnik thirrjes së Zotit.

Don Gjergj Simoni, ka lindur në Shkodër, më 08. 12. 1933, në një familje qytetare të mesme. I rritur në një mjedis katolik e me prindër të devotshëm fetarë. Që në moshë të vogël ka pasur thirrje të brendshme për t’iu kushtuar Zotit, e cila me kalimin e viteve ka ardhur duke u shtuar pa pasur asnjë lëkundje.

Sa herë takohem me të më tregon pjesë nga historia e jetës së tij, që gjithmonë më duken të reja e të veçanta, siç është e re dhe e veçantë vetë historia e shpëtimit.

Don Gjergji, në takimin e sotëm, më foli në mënyrë sintetike, lidhur me thirrjen e tij si meshtar. Që në fëmijëri, duke marrë pjesë në takimet e ndryshme që atëherë organizonte Kisha, i kishte ardhur ideja të bëhej meshtar. Kur janë mbyllur Kishat në Shqipëri nga regjimi komunist, ai ishte 34 vjeç. Kujton çdo të veçantë. Në Shkodër, - tregon ai, - fillimisht është mbyllur Kisha Katedrale. Ishte viti 1967. Natën e Pashkës 1977, Gjergji doli në gjyq dhe u dënua me akuzën e ashtuquajtur “agjitacion i mbyllur” dhe dënohet me 10 vjet burg. Arsyeja e dënimit ishte se në oborrin e shtëpisë së tij kishte groposur dhe ruajtur në fshehtësi librat më të zgjedhur të Arqipeshkvisë së Shkodrës dhe sa e sa objekta të tjera të shenjta, marrë fshehtas para se të mbylleshin Kishat. Po ashtu, në dhé ka futur edhe shkrimet e vëllait të tij, Imzot Zef Simonit. Gjithashtu ka fshehur në dhé edhe dorëshkrimet e Atë Mark Harapit, të Atë Benedik Demës si dhe qindra vjersha dhe poezi të shkruara gjatë viteve prej tij. Midis tyre dallohet poema satirike me titull “Letra e Luçiferrit drejtuar popullit shqiptar”, ku në fund ka vendosur shënimin: “Luçiferri = Enver Hoxha”, me të cilën ka bërë që të tërbohen nga marazi të gjithë hetuesit dhe gjykatësit gjatë gjyqit të dënimit.

Në burg gjen rreth 15 meshtarë dhe ipeshkvij. Ndër ta edhe vëllain e vet don Zef Simonin, i cili pësoi 12 vite burg si shumë klerikë të tjerë të Kishës. Atyre u beson dëshirën për t’ia kushtuar jetën Zotit nëpërmjet meshtarisë. Disa nuk ia këshillojnë, të tjerë e konfirmojnë në vendimin e tij. Një i ri 34-vjeçar, me dhjetë vite burg që kishte përpara, priste me shpresë që të mbaronte dënimi i padrejtë, me shpresë që të mbaronte diktatura e më në fund të realizonte ëndrrën e tij për të qenë meshtar.

Në fakt kështu ndodhi. Me riardhjen e lirisë fetare në Shqipëri, më 21 prill 1991 në Kishën Katedrale të Shkodrës, kur sapo kishte rënë diktatura komuniste, Gjergji shugurohet meshtar në moshën 58-vjeçare, nga Ipeshkvi Imzot Nikollë Troshani, mes brohoritjeve, duartrokitjeve dhe lutjes së hareshme të shumë besimtarëve të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë për këtë rast. Është meshtari i parë shqiptar që shugurohet pas rënies së diktaturës.

Edhe për këtë njeri të thjeshtë, mund të thuhet se pati një fe si ajo e Abrahamit, i cili në mesin e territ të shpirtit, në vuajtjet e vazhdueshme të ekzistencës, jetoi “duke shpresuar kundër çdo shprese” (Rom. 4, 18). Dhe sot është një meshtar i lumtur. Me të drejtë, Jezusi, kur pa turmën e popullit të braktisur si delet pa bari, tha: “Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. Lutjuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta!”. (Mt. 9, 37). Kemi nevojë për barinj shpirtërorë më shumë se asnjëherë në këto kohë që po përjetojmë shndërrime kaq të mëdha. Por, jemi të sigurtë se Zoti nuk e braktis popullin e vet. Zoti është me ne, në mesin tonë, dhe lufton me ne dhe për ne e na siguron fitore. I lumtur ai që beson në Emrin e Tij të shenjtë!

Shpirti i poezive

Shpirti i poezive të dom Gjergjit ka për tharm temat më themelore të njeriut: Besimin, Dashurinë për Atdheun, bëmat e heronjve të Kombit, martirizimi për binomin Fe˗Atdhe. Poezitë e tij kanë një stil të rrjedhshëm, të pastër, të thjeshtë dhe pa aspak mllef për atë të kaluar të errët që kaq shumë e ka keqtrajtuar atë.

Sidoqoftë, duket qartë se don Gjergji, ka pasur vazhdimisht të qartë dhe të gdhendur në shpirtin e tij fjalët e Mësuesit Hyjnor, që i pati shpallur në njërën prej kodrave në rrethinat e Kafarnaumit:

“Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon sepse e tyre është Mbretëria e qiejve. Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”.

Ja disa poezi të dom Gjergjit, të cilat qenë groposur me të tjera në oborrin e shtëpisë ku ai banonte së bashku me vëllain don Zef Simonin e me motrën Çiljeta Simoni, e që aktualisht janë të botuara në vëllimin “Lule dhe gjak”:

 

NDOSHTA S’E NJIFNI,NDOSHTA AS EMNIN NDI

 

Nga gjini i kësaj toke lindi një njeri

ku shqipja me flatrat e veta e mbulojti,

për popull ai bani punë të mëdha

e me dashuni punoi për atdhe pa bujë.

E, deri sa vdiq, rrojti si një bujar i mirë

që jep pa dijtë kush gja prej tij.

 

Ç’ka nuk dishmon për të?

Dishmojnë armët e grumbullueme për luftë,

dishmojnë të rrahunat e xhandarve e prangat,

dishmojnë plagët ndër duer dhe bri,

dishmon fjala e tij aq e zjarrët,

që luftarvet në dashuni për At’dhe zemrat na ndezi.

 

Ai kurr nuk meni e qe ndër të parët

            për trojet e të parvet tue luftue si brez mbas brezi.

Po, vrapoi ai me flamur n’mes sheshe betejash,

n’mes furtunës e shqotës

në fusha e male plot shkambi,

gjithkund në ballë pa u përkulë fare

i kapun fort prej duerve të luftarëve të tij.

 

E rendja e flamurit pesë shekullor

i tregoi botës se ç’ka asht i zoti shqiptari me ba,

tuj mos pasë kurrë humbje, porse fitore

Ti Shqipni ma e forta kala.

 

Kush asht ai që pak sa shifet

N’at’ balkue mbas flamurit si mëshehun

në shesh të Vlonës, më 28 Nanduer 1912

në mes atij populli të pa njehun

ku Shqipja Arbnore fluturoi e lirë

me krahë të lehtë?

 

Ndoshta s’e njifni, ndoshta as emnin ndi

asht prifti i thjeshtë Nikoll Kaçorri

ky asht emni i tij.

 

DRAGOBIJA

 

Dragobija shkamb e gur,

Dragobija kështjellë e shpellë,

Dragobija ngrit një flamur

për të mos u rrëxue kurrë.

 

Ndonse plumbat e trathtisë

vran’ Herojn të ushqye me sisë

t’asaj shqipe që shqiptarët për nanë e kanë,

prap’ nuk ra Heroi i Shpellës,

prap’ nuk vdiq Heroi i kështjellës,

por qëndroi bir i kësaj tokë

mbi flamur me gjoks tuj e rrokë.

 

Kush mund të thonë se në trojet tona

Heroi Shqipja nuk ka nxjerrë?

Kush mund të thotë se Drini e Valbona

gjak prej tyne nuk ka rrjedhë

veç ai që trathtisë din t’i falet?

 

Dragobija shkamb e gur,

Dragobija kështjellë e shpellë,

Dragobija ngrit një flamur

për të mos u rrëxue kurrë.

 

TË GJITHË SA JEMI

 

Nga malet po zbres ku shqipja Arbnore

nder shekuj ndërtue e ka folenë

e gjak shqiptarit asht’ derdhë përmbi çdo shkamb,

po, nga ata male ku n’anmiq përherë e gjetëm prenë

na, bijt’ e Shqipes, që i deshëm e i duem

kësaj toke çdo pëllambë.

 

Në ditët e netët,

kur ernat përplaseshin kanatat me rrëmbim

e fuqitë e egra të natyrës tërboheshin

me shi, erë e vetëtimë,

në ditët kur dielli digjte e nuk ndihej

ma i lehti flladim

 

Boletini me luftarët ndër malet e ashpërta arrin.

Thirrjes s’atdheut ky bir shqiptari

ndër të parët xen vend

me pushkë në dorë

e xherdanin me fishekë për brez ngjeshun,

pse nuk mujt me durue

dhunën e kambës së huej në këtë vend.

 

Prandej dhe kish dalë ndër malet e rrepta

ku ishte i fortë rrebesh.

Dhe sot mbas treçerek shekulli

më duket se i ndihet jehona

e sikur ecë atyne maleve të thepisun

në mes erës dhe acarit,

 

Burri i Kosovës me trup të hjedhun si vetë malet tona

            kush u thotë atyne që ranë për at’dhe: çonju prej vorrit!

            Mjaft kem’ ndejë n’atë vetminë e kësaj grope

            e harresa mos të na mbulojë me dhé

            se zgjimi i vetë Kosovës pada neve na fton

            të gjithë sa jemi kosovarë me luftue, për at’dhe

            si bijt’ e saj e të Kastriotit që shqipja kurr’ si harron.

 

 ATYNE QË DHANË JETËN

 

 Mbi shkambi si shkerbe ngjitun

forca e juaj na dha lirinë,

atë liri që kemi pritun,

tuj na prin.

 

 Gjaku i juej qe forca e jonë

që u derdh në dhé të parëve,

e u ba kushtrim, jehonë

der te strofka e trathtarëvet.

 

Malet, fushat ku luftuet

e ndigjuene zanin tuej,

dhe anmiqët i tmerruet

der në dhé të huej.

 

Ishit ju që për liri

dhatë jetën kudo në këtë dhé,

e me flamurin kuq e zi.

Modifikuar më Premte, 25 May 2018 22:48
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...