Një vendbanim antik, që paraprakisht besohet se i përket shekullit të 6 para erës sonë është zbuluar në Bushat të Bashkisë së Vaut të Dejës në Qarkun e Shkodrës. Aktualisht është zbuluar porta hyrëse e qytetit dhe muri rrethues i fortifikimit, i cili është i një trashësie prej 3 metrash, si dhe disa amfora.
Ende nuk ka një të dhëne të saktë sesi është quajtur ky qytet, pasi të dhënat historike nuk janë të mjaftueshme.
Vendbanimi shtrihet rreth 10 km larg kalasë së Shkodrës dhe 20 km nga Kalaja e Lisusit antik, çka është një prej të dhënave më të rëndësishme në identifikimin e qytetit dhe dokumentimin e vendbanimeve ilire. Gërmimet në zonë nisën rreth dy javë më parë dhe po zhvillohen nën drejtimin arkeologut Pjetër Dojçek nga Universiteti i Varshavës dhe Sajmir Shpuza nga Instituti Shqiptar i Arkeologjisë. (Ora News)