Shqiptarët e Maqedonisë: Hallet tona zgjidhen me memorandum

E Enjte, 12 Prill 2018 14:27

Një memorandum më 7 pika ka nisur të firmoset sot në Maqedoni, nismuar nga një grup shqiptarësh , në qendër të të cilit është ndryshimi i Kushtetutës së vendit.

Memorandumi vjen si një thirrjë që interesat e shqiptarëve të mos mbahen peng i “stabilitetit dhe paqes” dhe integrimi kombëtar si prioritet edhe para BE-së.

Intelektualët firmëtarë të këtij memorandumi japin fillimisht arsyet që i shtynë për të dalë me këto shtatë kërkesa. Së pari rendisin krizën e thellë dhe të gjithanshme në të cilën ndodhen shqiptarët në Maqedoni, nëpërkëmbjen e vazhdueshme që u bëhet dhe përjashtimi nga vendimarrjet për çështje të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

Pika e parë e memorandumit kërkon ndryshimin e Kushtetutës për t’iu përshtatur realitetit të një shoqërie multietnike.

“E konsiderojmë si të domosdoshme ndryshimin e Kushtetutës ekzistuese, si jodetyruese dhe për shqiptarët për vetë faktin se përcakton IRJM si “shtet kombëtar i sllavo-maqedonasve” ku jetojnë edhe bashkësitë e tjera etnike, në mesin e të cilëve janë dhe shqiptarët”, thuhet aty.

Intelektualët shqiptarë përjashtojnë çdo formë referendumi nën këtë Kushtetutë.

“E konsiderojmë ndryshimin e kushtetutës dhe rregullimit shtetëror nga ai unitar në federativ, apo konfederativ si të vetmen garanci për realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve si: përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, i simboleve kombëtare, ndarja e drejtë e buxhetit, arsimi i mirëfilltë, jetë kulturore të denjë, shtrirja e administratës në shërbim të çdo qytetari shqiptar. E denoncojmë si të pavlerë, abuzues, të rrezikshëm çdo lloj integrimi të shqiptarëve në pushtet pa u bërë ndryshimet e sipërpërmendura”, vijon e parë.

Në pikën e dytë konsiderohet si i domosdoshëm ndryshimi i emrit të Maqedonisë dhe kërkohet përfshirja e faktorit shqiptar në këtë proces.

“Gjykojmë se injorimi i të drejtave të shqiptarëve për të marrë pjesë në zgjidhjen e çështjes së emrit është shkelje flagrante e të drejtave të shqiptarëve. Çdo propozimi për emrin nga ana e përfaqësuesve shqiptarë në pushtet duhet t’i paraprijë një diskutimi publik. Çfarëdo emri që miratohet, ai, duhet të përkthehet në gjuhën dhe alfabetin shqip. Konsiderojmë se emri i vendit nuk duhet të ketë shtojca gjeografike dhe sllave. Emri i ardhshëm i IRJM të mos identifikohet me emrin e një etnie. Identiteti etno-centrik i shtetit për shqiptarët ka karakter pushtues. Të mos barazohet identiteti shtetëror me identitetin kombëtar të sllavo-maqedonasve. Shqiptarëve nuk u pengon identiteti i sllavomaqeonasve, por i pengon identifikimi i emrit të shtetit me emrin e etnisë”, vijojnë kërkesat e intelektualëve.

Pika e tretë i drejtohet klasës politike shqiptare në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.

“Theksojmë domosdoshmërinë e integrimin e shqiptarëve si komb si prioritar, para çdolloj integrimi tjetër, përfshirë dhe atë të në BE. Askush nuk ka të drejtë t’ua mohojë shqiptarëve të drejtën për integrimin e tyre si komb, duke u imponuar integrime të tjera, si zëvendësim, përfshirë këtu edhe BE. BE nuk është garanci për integrimin e shqiptarëve dhe eliminimin e kufijve mes tyre. Asgjë nuk justifikon copëzimin kulturor, arsimor, ekonomik të kombit, gjë që krijon vakuum, i cili me lehtësi plotësohet nga ndikime të huaja, të rrezikshme për identitetin e shqiptarëve në Maqedoni”, thuhet më tej.

Në pikën e katërt të memorandumit qortohen qëndrimet, sipas tyre, në dëm të interesave të shqiptarëve për hir të paqes dhe stabilitetit të rajonit.

“Të qenit faktor i rëndësishëm për rajonin duhet përkthyer në mundësi për avancim në pozitat negociuese, e jo si dobësi”, thonë intelektualët.

Në pikën pesë, memorandumi thotë se axhendat e shqiptarëve nuk mund të mbahen peng nga një grusht politikanësh shqiptarë të korruptuar.

“Përcaktimi i interesave të shqiptarëve, vendosja e objektivave, thurja e strategjive nuk mund të jetë ekskluzivitet i një njeriu ose i një grushti politikanësh të zgjedhur një herë në katër vite, në rrethana të diskutueshme. Ky proces duhet të jetë transparent dhe nxjerr në pah rolin e pazëvendësueshëm të grupimeve jopolitike, shoqërisë civile, diasporës, ekspertëve etj. Prandaj inkurajojmë përfshirjen dhe angazhimin e tyre në proceset aktuale politike, të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve në IRJM e më gjerë”, deklarojnë intelektualët.

Në pikën gjashtë, intelektualët denoncojnë, sipas tyre, shantazhet që u bëhen politikanëve shqiptarë në Shkup me dosjet korruptive, të cilat pala maqedonase i përdor për t’i kontrolluar.

“I bëjmë thirrje kryeministrit sllavo-maqedon që të ndërpresë menjëherë keqpërdorimin e dosjeve kriminale për eksponentët e klasës politike shqiptare të përfshirë në afera korrupsioni dhe kriminaliteti, të cilat i shfrytëzon aktualisht për të kontrolluar forcat politike që përfaqësojnë shqiptarët dhe ato t’i publikojë para opinionit dhe t’ia dorëzojë sistemit të drejtësisë. Vazhdimi i korrupsionit, kriminalitetit, vrasjeve jo vetëm se nxjerrin në dritën e vërtetë klasën politike shqiptare në pushtet dhe jashtë tij, por edhe qasjen dhe qëllimet reale ndaj shqiptarëve të vetë kryeministri sllavo-maqedon”, thuhet në këtë pikë.

Në fund, memorandumi sjell Zvicrën si shembull që duhet të ndjekë Maqedonia.

“Konfederata zvicerane në aspektin e politikave linguistike është një “aparat i çuditshëm: shtatë milionë banorë flasin 4 gjuhë të ndryshme, me status të barabartë zyrtar: gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe retoromanisht. Madje, dhe për emërtimin e vendit përdoret latinishtja Confoederatio Helvetica, në mënyrë që t’i iket favorizimit të njërës prej katër gjuhëve zyrtare të Zvicrës. Nga kjo zgjidhje linguistike, Zvicra e vogël asgjë nuk humbet ngaqë nuk ka një gjuhë zyrtare të vetme. E, nga ana tjetër, në Maqedoninë po ashtu të vogël, me 2.2 milionë banorë, ku së paku 1/3 e popullatës janë shqiptarë, ka një ligj vetëm për përdorimin e gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit, por nuk ka një ligj që edhe gjuhës shqipe t’i krijonte një status të tillë të barabartë”, deklarojnë intelektualët.

Memorandumi mbyllet më vendosmërinë e intelektualëve shqiptarë për të denoncuar politikat në dëm të shqiptarëve dhe gatishmëria për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare të çështjes shqiptare në Maqedoni.

Modifikuar më E Enjte, 12 Prill 2018 15:02
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...