Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj ndaj dy persona nën dyshimet për veprën penale “përgatitje të veprave terroriste”, ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it dhe në vendet të populluara me qytetarë.
Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë thuhet se “ekziston dyshimi i bazuar se me datën 02.06.2018, i pandehuri G.SH me dashje direkte i ka bërë thirrje të pandehures E.H, në drejtim të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke udhëzuar që të bëjnë sulm vetëvrasës me materie eksplozive me automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë dhe vende tjera të frekuentuara me qytetarë e duke planifikuar edhe furnizimin me armë të zjarrta dhe materieve eksplozive me qëllim të kryerjes së aktit terrorist”.
Sipas gjykatës, “i pandehuri G.SH dyshohet se gjatë muajit maj deri më datë 02.06.2018, me dashje direkte ka planifikuar përgatitjen e akteve terroriste në Belgjikë dhe në Francë meqë është edhe shtetas belg, duke planifikuar sulm vetvrasës në vende të frekuentuara me qytetarë e që edhe me zbatimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit përkatësisht monitorimin e bisedave në vende publike dhe private nga ana e Policisë së Kosovës, në Prishtinë, i njëjti është arrestuar me dt.05.06.2018”.
“E pandehura E.H gjatë muajit maj deri më datë 02.06.2018 e tutje, në bashkëveprim me të pandehurin G.SH, është përfshirë në veprime inkriminuese të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke planifikuar të bëj sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj forcave të KFOR-it në Kosovë, si dhe vendeve tjera të frekuentuara me qytetarë e duke u furnizuar me armë të zjarrtë dhe materie plasëse me qëllim të kryerjes së aktit terrorist”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Nga mesi i vitit 2012, Kosova është përballur me shtimin e shkallës së radikalizimit të të rinjve posaçërisht me përfshirjen e tyre konfliktet në Lindjen e Mesme. /VOA/