Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në seancën solemne të Kuvendit, të mbajtur në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në shënim të 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ka thënë se pa këtë Lidhje nuk do ta kishim 28 nëntorin e vitit 1912 dhe as lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me UÇK-në, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin 2008. “Qershori është muaji i ngjarjeve të mëdha të historisë sonë kombëtare. Sot, në kryeqytetin historik të shqiptarëve, në Prizrenin e krenarisë tonë kombëtare, na ka bashkuar kujtimi për njërën prej këtyre ngjarjeve madhështore - Lidhja e Prizrenit. 140 vite më parë, në këtë vend ku qëndrojmë sot, u mblodhën përfaqësuesit e të gjithë trevave shqiptare”, tha më tej Veseli.
“Ne jemi gjenerata më fatlume, për faktin se po e bëjmë realitet ëndrrën e madhe të Rilindasëve tanë për ta parë kombin tonë pjesë të Evropës”, theksoi ai.