Dje u shënua 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare përkujtimi i këtij përvjetori është shumë i rëndësishëm për të gjithë kombin në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët.
Janë për tu lavdëruar të gjitha aktivitetet që u organizuan në Prizren dje, ku ishin të pranishëm shqiptarë dhe drejtues të rëndësishëm institucionesh Shqipëria, Kosova, Maqedonia etj.
Por ajo që u vu re ishte mungesa e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Në një ngjarje të tillë, me një rëndësi të madhe historike dhe kombëtare, për të nderuar kontributin e gjithë atyre burrave të shtetit që hodhën bazat e 28 Nëntorit.
Presidenti i Kosovës duhet të ishte i pranishëm në përkujtimin e një date dhe ngjarje, pa të cilën sot ai nuk do të mund ta përkujtonte 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Shtetit që ai drejton.
Por ajo që hedh më shumë dyshime është fakti që nuk u dha asnjë sqarim në lidhje me këtë gjë. Do të ishte e domosdoshme një sqarim për të gjithë shqiptarët, më veçanti qytetarët e Kosovës. Nuk është korrekte dhe normale të mos ketë asnjë sqarim publik për këtë gjë.
Edhe nëse do ta kishte të pamundur të ishte aty i pranishëm vetë, institucioni i Presidentit duhet të kishte patjetër një përfaqësues në këtë aktivitete.
Megjithatë prania e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, shtetit amë të shqiptarëve, ishte mëse e mjaftueshme në këto aktivitete ku u nderua Atdhedashuria dhe sakrifica e heronjve.
/55news.al/