Pas rreth 8 orësh negociatash, Eurogrupi ka arritur një marrëveshje në parim për daljen e Greqisë nga programi i ndihmës, i cili përmban ndër të tjera masa për lehtësimin e borxhit. Ministrat e Eurozonës vendosën që kësti i fundit i kredive të jetë 15 miliardë euro.
Në tetë vjet, Athina ka marrë mbi 273 miliardë euro ndihmë në kuadër të tre programeve shpëtimi, në këmbim të reformave shpesh të dhimbshme dhe masave shtrënguese.
Sipas marrëveshjes, Greqia mund të shtyjë pagesën e 110 miliardë eurove të kredive të marra nga Fondi i vjetër i Kursimeve për shpëtimin e shteteve (EFSF) dhe zgjatet për 10 vjet të tjera “periudha e mospagimit” (dmth. ajo në të cilin nuk vendosen sanksione nëse kredia nuk paguhet).
15 miliardët e këstit të ndihmës përfundimtare do t’i japin qeverisë një shtesë kapitali që do të mbulojë të gjitha nevojat financiare të vitit të ardhshëm.
“Greqia e lë programin e ndihmës me një ekonomi më të fortë, të fituar falë reformave dhe është e rëndësishme që ajo të vazhdojë me përpjekjet për reforma”, thuhet në deklaratën përfundimtare të Eurogrupit, raporton TgCom24.
Moscovic: Një moment historik
“Ajo që shohim sonte është një moment historik dhe i jashtëzakonshëm, kriza greke përfundon sonte në Luksemburg”. Kështu është shprehur komisioneri për çështjet ekonomike Pierre Moscovic në fund të takimit të Eurogrupit.
Rritja e PBB-së së Greqisë ka arritur tashmë në 1.4% të PBB-së në vitin 2017 dhe pritet të përshpejtohet edhe më tej këtë vit, duke treguar një zgjerim prej 1.9%, ndërsa vitin e ardhshëm parashikohet me + 2.3%.
Në fakt, Greqia tani ka një suficit buxhetor prej 0.8% të PBB-së, një hap gjigant nëse mendojmë se në vitin 2009 kishte një deficit prej 15.1%.
“Ne duhet të pranojmë se Greqia ka bërë një punë të madhe”, tha ministri francez, Bruno Le Maire dhe homologu i tij gjerman, Olaf Scholz, duke mbërritur së bashku para takimit.