Në Kosovë themelohet Zona e Veçantë Ekonomike Amerikane, Qeveria merr vendimin/
-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Themelimi i Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane përkon me 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe dëshmon përkushtimin e Kosovës për të thelluar partneritetin strategjik me SHBA-të/
PRISHTINË, 26 Qershor 2018/ Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme mori vendimin për themelimin e Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane. Ky vendim është mbështetur në propozimin e grupit punues të themeluar nga qeveria për të shqyrtuar mundësit dhe procedurat e themelimit të kësaj zone.
“Themelimi i Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane përkon me 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe dëshmon përkushtimin e Kosovës për të thelluar partneritetin strategjik me SHBA-të”, tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në mbledhjen e qeverisë u theksua se, themelimi i Zonës së Veçantë Ekonomike do të ketë një rëndësi të madhe për ofrimin e kushteve të nevojshme për investimin e kompanive të ndryshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e gjithashtu do të mundësojë zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe rritjen e punësimit.
Zyra e Kryeministrit do të koordinojë gjithë procesin e themelimit të Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane, sipas propozimit të grupit punues, në bashkëpunim me institucionet tjera kompetente.
Përzgjedhja e lokacionit në komunën e Gjakovës është bazuar në faktin se ky lokacion plotëson kushtet e hapësirës, mbi 500 hektarë, si dhe përparësitë tjera, si kyçja direkt në magjistralen Gjakovë-Prishtinë, qasje e lehtë në Autostradën e Dukagjinit, afërsia me aeroportin e Gjakovës, por edhe të Prishtinës.
Me qëllim të realizimit të projektit, pas miratimit të vendimit nga qeveria e Kosovës, do të përgatitet memorandumi i bashkëpunimit me palën amerikane, hartimi i studimit të fizibilitetit për procesin dhe përzgjedhja e një operatori ekonomik për realizimin e të gjitha aktiviteteve të nevojshme për themelimin e Zonës së Veçantë Ekonomike.
Që në nisje të mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka informuar Kabinetin Qeveritar për punën intensive në finalizimin e Ligjit për pagat, ligj ky që është në fazën e tij finale të përpilimit dhe javën e ardhshme do të jetë pikë diskutimi në Qeveri. Po ashtu, Kryeministri Haradinaj ka theksuar qëndrimin e tij se në ligjin e ri do të ketë rritje pagash për Policinë e Kosovës, punëtorët shëndetësorë dhe kategori të tjera të rëndësishme. Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/