Presidenti Donald Trump njoftoi synimin për të emëruar diplomatin Philip S. Kosnett nga Virxhinia, si Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Z. Kosnett aktualisht është i Ngarkuar me Punë i Përkohshëm në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Ankara.
Gjatë karrierës së tij në Shërbimin e Jashtëm, ai ka punuar në tetë misione të Shteteve të Bashkuara në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme si dhe në pozita të larta drejtuese në Departamentin e Shtetit.
Pjesa më e madhe e karrierës së zotit Kosnett ka qenë e fokusuar në bashkëpunimin ndërkombëtar të sigurisë dhe pajtimin politik.
Ai ka shërbyer si Zëvendës Shef Misioni në Uzbekistan dhe në Islandë; si dhe në pozita politike, politiko-ushtarake dhe ekonomike-tregtare në Afganistan, Irak, Kosovë, Hollandë dhe Japoni.
Në Uashington ai ka punuar në zyrat e Departamentit të Shtetit për Evropën, kundër-terrorizmit, politiko-ushtarake, të Inteligjencës dhe Kërkimeve, etj.
Z. Kosnett është diplomuar në në Universitetin e Harvardit. Ai është nderuar me 10 çmime të Departamentit të Shtetit, ka marrë Medaljen e Zyrës së Sekretarit të Mbrojtjes për Shërbim Civil të Jashtëzakonshëm dhe Medaljen Departamentit të Këmbësorisë për Shërbim Civil të Shkëlqyer.
Z. Kosnett flet turqisht, rusisht, holandisht dhe japonisht. /Voa/