Të martën në Londër nis samiti i Ballkanit Perëndimor, i pesti i organizuar nën atë që njihet si procesi i Berlinit.
Kryeministrja britanike, Theresa May do të presë shefat e qeverive të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë dhe do të përsërisë angazhimin e hershëm të Londrës ndaj rajonit dhe sigurisë europiane.
Samiti, është i pesti, në kuadër të procesit të Berlinit, pas atyre në Berlin në 2014, në Vjenë në 2015, në Paris në 2016 dhe në Trieste në 2017.
Procesi i Berlinit është ndërkohë një iniciativë e nisur nga kancelaria gjermane Angela Merkel, në 2014. Çdo vit, ai mbledh bashkë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, partnerë të BE dhe përfaqësues të institucioneve europiane, për të punuar së bashku në mbështetje të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.
Në samitin e Londrës janë ftuar edhe partnerë europianë, mes të cilëve Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Sllovenia.
Samiti, sipas programit do të fokusohet tek rritja e stabilitetit ekonomik, përmirësimi i ambientit të biznesit, inkurajimi i sipërmarrësve, adresimi i papunësisë tek të rinjtë dhe promovimi i lidhjeve rajonale. Një tjetër temë e rëndësishme është bashkëpunimi rajonal në fushën e sigurisë, lufta ndaj kërcënimeve të përbashkëta, përfshirë korrupsionin, krimin e organizuar, trafikun njerëzor, drogat etj.
Samiti synon edhe të lehtësojë bashkëpunimin politik, të ndihmojë rajonin të zgjidhë mosmarrëveshjet dypalëshe dhe të hedhë pas shpine çështje të trashëguara nga e shkuara.