Dhjetëra qytetarë në qytetin e Prizrenit, Marashin e Vjetër, kanë protestuar në vendin ku para disa ditësh u tentua të përdhunohej një femër.
Tuba Kaçamaku, iu bashkua protestës për ta ngritur zërin kundër ngacmimeve seksuale të femrave. Ajo rrëfen se si kishte raportuar dy herë në polici rastet e ngacmimit që kishin ndodhur ndaj saj. E policia siç thotë ajo, ende nuk ka nisur ndonjë procedurë ligjore ndaj personave të njohur tashmë për ta.
Kjo protestë u thirr nga organizata “FEMaktivi”, drejtuesit e së cilës thanë se këto raste duhet të shërbejnë si alarm për institucionet lokale që të ndërmarrin hapa në drejtim të parandalimit të tyre.
Kësaj lëvizje iu bashkuan edhe disa qytetarë, të cilët bënë thirrje që raste tilla të mos ketë në Prizren.
Bazuar të raporti për sigurinë e grave në hapësira publike në Prizren, del që 70% e grave nuk ndihen të sigurta në hapësira publike, ndërsa 76% prej tyre janë ngacmuar gjatë shfrytëzimit të këtyre hapësirave.
Protestuesit kanë kërkuar që këto rrugë të kenë ndriçim publik dhe të bëhet vendosja e kamerave dhe prani të, siç e quajnë ato, të “policisë sociale” .