Liderët maqedonas dhe shqiptarë zhvilluan bisedime maratonë në Shkup në lidhje me referendumin që do të mbajnë për çështjen e emrit pas paktit me Greqinë.
Ata nuk kanë rënë dakord për pyetjen që do të ketë fleta e votimit. Kryeministri Zoran Zaev tha se lideri i VMRO-DPMNE-së ka kërkuar amnisti për zyrtarët e kësaj partie opozitare si kusht për të përkrahur referendumin për emrin, por kjo, sipas tij, nuk do të pranohet, transmeton tch.
Ndërkohë, të gjithë kanë rënë dakord që gjatë referendumit në Maqedoni të ketë një qeveri teknike, sipas modelit të Përzhitës, sa herë që në vend të mbahen zgjedhje ose referendume.
Referendumi do të mbahet në vjeshtë dhe një “Po” për emrin Maqedonia e Veriut, vulos marrëveshjen me Athinën dhe nuk sjell më asnjë pengesë për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian.
Pak ditë më parë, Shkupi mori ftesën për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ndërsa qershorin e ardhshëm pret bashkë me Shqipërinë hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.