Albert Rohan, ish-numri dy në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës, i konsideron të tejkaluara dhe të rrezikshme idetë për ndarje ose shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një bisedë për “Kohën Ditore”, diplomati austriak ka thënë se Kosova tashmë ka bërë kompromiset e saj, duke pranuar Pakon e Marti Ahtisaarit, mbi bazën e së cilës Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.
“Me pranimin e të drejtave të gjera për minoritetet, në veçanti për komunitetin serb dhe Kishën Ortodokse Serbe, siç përfshihet në Planin e Ahtisaarit, si dhe decentralizimin e kompetencave administrative, Kosova tashmë ka bërë kompromiset e saj”, ka thënë ish-zëvendësi i Ahtisaarit. Por,
sipas tij, reciprociteti ka munguar nga ana e Serbisë, për të cilën thotë se vazhdon të ketë qëndrim armiqësor ndaj Kosovës.
“Si hap i parë, Serbia duhet të ndalë agjitacionin e vet armiqësor kundër Kosovës, duke bllokuar lirinë e lëvizjes dhe pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrjen në forume rajonale.
Hapi përfundimtar duhet të jetë njohja e sovranitetit të Kos o vës nga Serbia”, ka theksuar Rohan. Muajve të fundit brenda debatit të dialogut ka zëra që avokojnë ndarjen ose shkëmbimin e territoreve të Kosovës si një zgjidhje përfundimtare.
Presidenti Hashim Thaçi refuzon ta quajë shkëmbim, por vetëm korrigjim të kufirit me Serbinë, ani pse e ka institucionalizuar kërkesën e Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën. Por ka refuzuar të tregojë se çka do të jepte Kosova në këmbim të Luginës. Ndërkaq zyrtarët më të lartë serbë, përfshirë edhe ministrin e Jashtëm Ivica Daçiç, vazhdojnë të pohojnë publikisht se kjo është “e vetmja zgjidhje realiste”. “Unë kam kundërshtuar vazhdimisht idenë e ndarjes ose shkëmbimit të territoreve. Këto janë koncepte të vjetruara të shekujve të mëparshëm, të cilat nuk duhet të kenë vend në kohët moderne. TCH