Kreu i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, ka habitur paraditen e sotme me deklaratat e tij për luftë në Kosovë.
Sheshel ka shkuar deri aty sa ka kërkuar dhe territore të Shqipërisë deri në Durrës. Ai ka shtuar gjithashtu se Serbia duhet të përgatitet që me luftë sërish ta marrë Kosovën, pasi nga atje të tërhiqen forcat e NATO.
“Në mënyrë që ta çlirojmë Kosovën dhe Metohinë, ne duhet që me forca të fuqishme ushtarake dhe policore të ndjekim të gjithë shqiptarët që nuk e njohin shtetin serb.
Këtë nuk mund ta bëjmë ndërsa NATO është atje. Ndërkohë, derisa presim që NATO të largohet dhe të vërsulemi atje, duhet që nën kontroll të fortë serb të mbajmë një pjesë të Kosovës”, ka shkruar Sheshel.
Ndërsa në një postim të dytë ka reaguar dhe në lidhje me procesin e demarkacionit.
“Nuk duam kurrëfarë demarkacioni me shqiptarët. Ne serbët duhet të bëjmë demarkacionin në Shqipëri me grekët, diku në rripin e Durrësit.
Perandoria Austro-Hungareze e krijoi Shqipërinë si një shtet artificial, për të parandaluar Serbinë të dalë në det. Në Shqipërinë e Veriut, është trashëgimia jonë. Atje gjithçka është serbe, edhe toka dhe guri”, ka shtuar Sheshel.