Komisioneri evropian për çështje që lidhen me migracionin, Dimitri Avramopolus, e ka pritur me shumë gëzim vendimin e Komitetit për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme – LIBE, pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Mirëseardhje për një dritë të gjelbër të fuqishme nga Komiteti LIBE për të filluar negociatat me Këshillin e Evropës për liberalizimin e vizave për Kosovën. Shpresoj se ky vendim së shpejti do të jetë për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor për lëvizje të lirë pa viza”, ka shkruar Avramopolus në llogarinë e tij në Twitter.
Me 30 vota për, 10 kundër dhe 2 abstenime, ky komitet i PE-së ka kaluar çështjen e liberalizimit për kosovarët te Parlamenti Evropian dhe Këshilli për Marrëveshje Ndërinstitucionale për Liberalizim.
Pas këtij vendimi ndërkohë kanë reaguar edhe liderët politik kosovar, të cilët kanë thënë se liberalizimi i vizave do të ndodh shumë shpejt.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se Kosova do të marrë liberalizimin e vizave brenda këtij viti.