Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli ka thënë sot se ngritja e temës për ndarje të territorit të Republikës së Kosovës në seancën e jashtëzakonshme është e rrezikshme.
Veseli këto komente i bëri në një konferencë për media ku tha se ngritja e kësaj teme të rrezikshme në diskursin politik do ta dëmtoj dialogun në Bruksel. Ai po ashtu theksoi se do të marrin pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme për t’i treguar qëndrimet e tyre.
“Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i shenjtë. Është një bazament ku kemi luftuar për lirinë e Kosovës. Në bazë të këtij territori kemi shpall pavarësinë e Kosovës. Mbi 110 shtete na ka njohur si shtet i pavarur dhe sovran dhe kjo është e pakthyeshme. Legjitimimi i temës së ndarjes në institucionet e Kuvendit pa fakte dhe pa argumente është inskenim i lojës e cila për ne është e papranueshme për ndarje. PDK-ja konsideron se ngritja e kësaj teme të rrezikshmen në diskursin e brendshëm politik do ta dëmtoj Kosovën në procesin e dialogut në Bruksel. PDK-ja është e pa kompromis që ta luaj këtë lojë. Si PDK do të jemi në krye të interesave të atdheut tonë, të partneritetit ndërkombëtar . Seanca e jashtëzakonshme për temën e ndarjes nuk i bën fuqi Kosovës, por i bën dëm. Në të njëjtën kohë krijon pasiguri tek qytetarët në këto moment shumë të rëndësishëm. PDK do të jetë në seancën e jashtëzakonshme për të treguar këto qëndrime me argumente të plota dhe për të evituar lojën që po bëhet për ndarje të territorit të Kosovës”, ka thënë Veseli.
Ai po ashtu foli edhe Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, ku sipas tij nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive, por vetëm në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Për marrëveshjen e Asociacionit me kompetenca ekzekutive nuk do të ekzistoj. Do të ekzistoj vetëm në bazë të Kushtetutës. S’ka kanale të fshehta për të biseduar me Vuçiçin, është Brukseli, janë SHBA-të, institucionet e Republikës së Kosovës. Ky është dialogu jonë. Nuk i frikësohemi Serbisë. E kemi larguar më 12 qershor dhe kurrë s’do të kthehet”, potencoi Veseli.