Diplomati dhe politikani austriak, Wolfgang Petritsch shihet si moderator në zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi. Adelheid Feilcke bisedoi me të para zhvillimit të takimit Thaçi-Vuçiç ditën e premte në Bruksel.
Deutsche Welle: Tema është e qartë Kosova- Serbia. Ju keni folur kohë më parë në një intervistë për Deutsche Wellen dhënë në fund të vitit të kaluar për mundësitë e ndryshimit të kufijve duke thyer kështu një tabu. Për ç'arsye?
Wolfgang Petrisch: Në shumë vite që është duke u zhvilluar dialogu i sponsorizuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës, janë diskutuar variante të ndryshme dhe në përgjithësi është patur gjithnjë parasysh parimi i mosndryshimit të kufijve. Këtë vit gjatë zhvillimit të dialogut në Bruksel është arritur në një situatë të re diskutimi, ku të dy presidentët kanë folur për këmbime territoresh. Refleksi im i parë ishte se kjo bie në kundërshtim me parimin shumëvjeçar të deritanishëm të lënies së kufijve në gjendjen që janë. Nga ana tjetër pata përshtypjen, se për herë të parë në historinë e Ballkanit është duke u bërë një përpjekje për ndryshimin e kufijve jo me gjakderdhje dhe me armë, dhe jo e njëanshme por një përpjekje me rrugë paqësore, për gjetjen e një kompromisi nëpërmjet bisedimeve. Kjo më dha shtysën për të thënë se Bashkimi Evropian duhet ta shohë me kujdes këtë propozim, ose këto propozime, duhet t‘ i shohë më nga afër. Pse? Sepse unë jam i mendimit se duhen marrë seriozisht dhe duhet parë nëse ky variant funksionon apo jo. Unë as tani nuk jam i bindur se mund të funksionojë. Por unë mendoj se përgjegjësia që kanë politikanët kur bëjnë një propozim të tillë është shumë e rëndësishme, sepse nga Bosnja unë e di se zgjidhjet e detyruara nga jashtë nuk mund të funksionojnë.
Deutsche Welle: Ju shiheni si motor i këtij diskutimi. Përveç jush ka pak njerëz të tjerë që e lejojnë këtë opsion. Pse ndodh kjo?
Wolfgang Petritsch: Në përvojën time në Ballkan, në Bosnjë, ku kam marrë shumë vendime që dhe i kam zbatuar pastaj, disa kanë qenë të qëndrueshme. Por vendimet më të mira, kompromiset më të mira që kanë qëndruar deri më sot i kam arritur duke qenë moderator midis interesave të ndryshme. Mbas kësaj përvoje unë thashë, se duhet t'i shohim këto propozime. Bisedimet zhvillohen në Bruksel. Ato nuk janë të lira, që ata të dy të bisedojnë në fshehtësi, bisedimet janë shumë profesionale, një proces që zhvillohet në Bruksel, moderuar prej Mogherinit. Dhe ato aty e kanë vendin, aty duhen diskutuar.
Deutsche Welle: Po, ju e quajtët veten moderator të procesit. Mediat njoftojnë se zyra juaj e avokatisë paguhet prej qeverisë serbe për këto këshillime, prandaj në Kosovë ka kundërshtime…
Wofgang Petritsch: Ky është një keqkuptim. Zyra ime e avokatisë është përgjegjëse për procesin e pranimit në BE, merret me kapitujt e ndryshëm juridikë. Merret me çështjet teknike. Kryesisht merret me shpjegimin e sfondit politik për juristët.
Deutsche Welle: Ju jeni vendosur në shënjestër në njëfarë mënyre. Gazeta gjermane taz nga Berlini, shkruante së fundmi se mbas kësaj fshihen forcat ruse që nxisin këmbimin e territoreve...
Wolfgang Petritsch: Kjo është shumë interesante dhe tregon konfuzionin. Apo jo? Për shembull nëse arrihet ndonjë këmbim territoresh, kjo ka si parakusht që Serbia të njohë Kosovën. Sepse Paktet mund të lidhen vetëm me partnerë të njohur nga e drejta ndërkombëtare. Për mua është mister çfarë kanë të bëjnë rusët këtu. Nëse Kosova njihet atëherë kjo çështje shtrohet para Kombeve të Bashkuara. Që do të thotë se problemi që rusët për shkak të serbëve pengojnë hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, do të zgjidhet.
Deutsche Welle: A mund ta konkretizoni pak këtë. Çfarë duhet të ndodhë sipas mendimit tuaj për të kryer këtë proces?
Wolfgang Petritsch: Unë besoj se ajo që duhet të ndodhë tani dhe shpresoj që të ndodhë është që të peshohen të mirat dhe të këqijat e këtij procesi. Për mua ka rëndësi që njerëzit e prekur, qytetarët në të dy anët e kufirit të përfshihen në këtë proces. Unë mendoj për referendum apo instrumenta të tjera, sigurisht edhe parlamentet në mënyrë që të respektohet i gjithë procesi demokratik. Dhe unë kam besim të madh se Bashkimi Evropian do ketë kujdeset që kjo të ndodhë. Çështja e dytë e rëndësishme është që duke patur parasysh përvojat e përgjakshme të viteve nëntëdhjetë të merren masa që të pengohet të shkohet deri aty ku qytetarëve t‘u duhet të largohen nga shtëpia, fshati ose qyteti. Pika e tretë është që nëse arrihet një zgjidhje, pavarësisht si do të jetë ajo, atëherë ajo do të jetë zgjidhja e një konflikti të madh historik në këtë zonë, në ish-Jugosllavi, konfliktit midis shqiptarëve dhe serbëve. Ky do të ishte fillimi në një të ardhme pozitive. Tani Bashkimi Evropian dhe presidenca e radhës e BE, njëqind vjet pas përfundimit të Luftë së Parë Botërore, tani më 2018, duhet të nxjerrë një deklaratë të detyrueshme ndërkombëtare për të gjitha grindjet kufitare, të cilat nuk janë pak. Procesi i Berlinit ka nxjerrë një listë.
Deutsche Welle: Por gjithë ky diskutim për korrigjime ose ndryshime kufijsh që shkon deri tek çështja e këmbimit të mundshëm të Veriut të Kosovës me Jugun e Serbisë has në kundërshtime masive. Dy argumente të rëndësishme vijnë nga kritikët. E para të mos ketë zgjidhje etnike për vendosjen e kufijve dhe frika nga efekti domino. Si i përgjigjeni ju atyre?
Wolfgang Petritsch: Së pari, është krejtësisht i kuptueshëm shqetësimi, sepse siç e thashë në të kaluarën ka pasur ndryshime kufiri të përgjakshme. Kjo nuk duhet të ndodhë. Së dyti, ka pasur për shembull një arbitrazh ndërkombëtar midis Kroacisë dhe Sllovenisë për korridorin e Adriatikut, në kuadër të të cilit disa fshatra që flasin kroatisht kaluan në Slloveni…
Deutsche Welle: Dimensioni është natyrisht më i madh…
Wolfgang Petritsch: Më i vështirë, por principi i prekjes së kufijve u mirëseardh për shembull më 2008, kur Kosova deklaroi pavarësinë, e cila u njoh menjëherë nga shumë vende të BE, megjithëse kjo ishte në kundërshtim me Rezolutën 1244.
Deutsche Welle: Zoti Petritsch, kundërshtime nuk ka vetëm nga BE por edhe nga Kosova ku është duke u formuar një rezistencë e madhe. Pyetur ndryshe a mund të ndodhë që Kosova të jetë humbësja në këtë marrëveshje? Kjo është frika e popullsisë në Kosovë?
Wolfgang Petritsch: Jo. Unë kam respekt të madh për protestat nëse ato duan të thonë se nuk duan të arrihet tek një shtet i plotë nëpërmjet kritereve të vjetra etnike dhe të arrihet futja në OKB me anë të kësaj sakrifice. Ne duam një Kosovë ku kufijtë mbeten aty ku janë dhe prandaj ne e hedhim poshtë këtë propozim. Kjo është legjitime. Sipas mendimit tim do ishte madje rruga më e mirë, e cila do mbështetej nga Evropa. Pa dyshim. Por çështja është e thjeshtë, ajo është pranuar nga Bashkimi Evropian dhe Mogherini dhe tani jepen gjykime të tjera. Këto gjykime duhen marrë seriozisht.
Deutsche Welle: Ju përmendët propozimin e Zonjës Mogherini. Më datën 7 zhvillohet takimi Thaçi- Vuçiç- Mogherini ku edhe do të diskutohet ky propozim. Çfarë prisni prej takimit?
Wolfgang Petritsch: Unë pres një deklaratë. Mogherini tha edhe në takimin e ministrave të Jashtëm në Vjenë se shpreson që deri në fund të vitit të ketë një zgjidhje për këtë çështje. Unë mendoj se kjo është optimiste, por nga ana tjetër e përshëndes atë. Duhet të mendoni në çfarë situatë ndodhemi, si në nivel rajonal ashtu edhe atë evropian dhe global. Situata ka ndryshuar në Ballkan në mënyrë radikale në shumë pikëpamje. Në vitet nëntëdhjetë aty kishte dy aktorë të mëdhenj amerikanët dhe evropianët. Amerikanët janë duke u tërhequr në përgjithësi. Evropianët, siç e dini dhjetë vitet e fundit nuk kanë qenë në formë të shkëlqyer. Ndërkohë Kina ndërton rrugën e mëndafshtë nëpër Ballkan. Rusia është shumë aktive me manovrat politike dhe ekonomike. Turqia është lojtari i tretë i rëndësishëm në rajon. Aty shtohen edhe Shtetet e Gjirit që kanë investuar qindra miliona në Bosnjë dhe Serbi. Kina ndërton për shembull urën më të madhe të autostradës në Kroaci dhe linjën hekurudhore Budapest-Beograd. Këto janë sfida të rëndësishme për Evropën. Nuk jam kundër që Kina investon, por dua të them, se kjo duhet bërë sipas rregullave europiane, Por kur nuk e gjejmë kohën për këtë, se prej vitesh merremi me probleme si ai i Kosovës, atëherë them: shikoni që të gjejmë një zgjidhje. Ka dy presidentë që duan një zgjidhje.
Deutsche Welle:...dhe pa tabu?
Wolfgang Petritsch: Kjo është e nevojshme. E di që është e pazakontë. Që do të përdoren formulat e asaj që ka ndodhur para 20 vitesh. Mirë që e kemi kujtesën historike. Por kemi edhe një të tashme, dhe të ardhme,. dhe ka disa politikanë në Ballkan, që arrijnë zgjidhje të mëvetësishme. Shikoni kryeministrin Zave. 26 vite u përpoqën europianët, por nuk arritën gjë. Tani kemi dy presidentë në rajon, që kanë një propozim. Ndoshrta është igabuar, ndoshta ka diçka aty, por ai vjen prej rajonit.
Deutsche Welle: Nëse në takimin e të premtes arrihet një marrëveshje e përbashkët, kur mund të ndodhë zgjidhja me ndryshime të mundshme kufiri?
Wolfgang Petritsch: Komisioni i tanishëm i BE ka afat. Deri në mars të vitit tjetër duhet gjetur një zgjidhje, pastaj Komisioni i BE dhe Mogherini kthehen në histori. Nëse çështja dështon dhe kthehet në gjendjen e mëparshme, atëherë unë nuk mund të garantoj që Komisioni i ri dhe pasardhësja e Mogherinit të merren me këtë çështje. Adelheid Feilcke DW