Ka dështuar edhe sot seanca e thirrur nga opozita për të nxjerr një rezolutë ku ia pamundëson presidentit të Kosovës Hashim Thaçi shkuarjen në Bruksel në bisedime me presidentin e Serbisë.
Kjo pasi që nuk kishte kuorum pasi që në sallë nuk erdhi asnjë deputet nga partitë në pozitë.
Pas ndërprerjes së punimeve nga ana e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca tha se tashmë po bëhet e qartë që Kuvendi nuk po funksionon sepse atë po e bojkoton shumica.
“Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, aty ku mazhoranca bojkoton duhet të shpërbehet ai Kuvend. Pushteti nuk ndjehet i sigurt me deputetët e vet. Dje ishte një lojë e Nismës, nuk ishte e sinqertë. Kryeministri nuk e sheh të denjë t’iu përgjigjet nënshkrimeve të deputeteve-identifikojmë krizë institucionale”, tha Konjufca.
Sipas tij ky format i dialogut duhet të ndërpritet duke e quajtur dështak presidentin Hashim Thaçi.
“Jo dështaku me shku me na tregu qysh ndahet Kosova”, tha Konjufca.