Ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish zv/ministër në Qeverinë Haradinaj, Numan Baliq, dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një të mitur në afërsi të fshatit Vitomiricë të Pejës.
Burime të Gazetës Express bëjnë të ditur se e mitura, Selma M., 17-vjeçare, është ngacmuar nga Numan Baliq. Ngacmimi ndodhi 2 apo 3 javë para 4 shtatorit, kur Baliq ishte vetëdorëzuar në polici për këtë rast.
“Vajza ka qenë në nifar aktiviteti të mjekësisë, në një fshat pas Vitomiricës”, thotë burimi për ditën kur ka ndodhur sulmi seksual.
60-vjeçari, Numan Baliq, është vetëdorëzuar në polici më 4 shtator, derisa burimet thonë se rasti ka ndodhur disa javë para kësaj date.
Rastin në Policinë e Kosovës e ka paraqitur prindi i të miturës.
Për sulmin seksual, Policia e Kosovës e ka konfirmuar për Gazetën Express dhe u bë e ditur se prokurori i rastit e ka liruar Baliqin në procedurë të rregullt.
Zëdhënësi për Informim në Rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka thënë për Express se rasti është lajmëruar në polici si sulm seksual.
Edhe Prokuroria Themelore e Pejës, përmes një përgjigje për Express, ka konfirmuar se janë duke e trajtuar këtë informatë dhe duke marrë veprimet e nevojshme.
“Prokuroria Themelore e Pejës e ka trajtuar këtë informatë, ashtu që janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme me qëllim të verifikimit të tyre. Për momentin nuk mund të japim informata me shumë për shkak të konfidecialitetit të hetimeve.”, thuhet në përgjigje.
Numan Baliq ka qenë ministër i Shëndetësisë në vitin 2003, por më pas ishte shkarkuar nga kryeministri i atëhershëm Bajram Rexhepi. Ai, në vitin 2007 deri në vitin 2010, ishte deputet i Kuvendit të Kosovës.
Në Qeverinë e Ramush Haradinajt, Numan Baliq u bë zëvendësministër i Ministrisë së Administratës Publike, por edhe nga ky post ishte shkarkuar në janar të këtij viti./M.K./