Arbëror Prekazi, ish drejtor i Njësisë Afariste Uji dhe Centrali Elektrik në Ibër Lepenc, tashmë pensionist thotë se liqeni i Ujmanit është një aset me rëndësi pasi është i Kosovës dhe nuk duhet të diskutohet në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel.
Prekazi thotë se liqeni i Ujmanit dhe të gjitha ndërtimet që janë bërë në Zubin Potok janë pronë e Ibër Lepencit dhe për këtë, sipas tij, ekzistojnë dokumente.
“Liqeni i Ujmanit është ndërtuar në mes viteve ‘70-80-ta, dhe është ndërtuar në Kosovë. Më e mira është që fare mos të diskutohet. Ky është një aset me rëndësi, është aset i Kosovës. Dhe atje ku është ndërtuar penda, e të gjitha këto janë pronë e Ibër Lepencit, pronë e Kosovës, pronë e qeverisë, sepse Ibër Lepenci është ndërmarrje publike. Është pronë e qeverisë dhe për atë ekzistojnë dokumente që ajo pronë është e shpronësuar, pronë e sistemit të Ibër Lepencit. Më e mira kish me qenë që fare mos të takohet në tryezën e bisedimeve”, tha Prekazi në një intervistë për Telegrafin.
Ujmani është akumuluesi më i madh në Kosovë, me kapacitet maksimal 375 milionë metra kub ujë, ndërsa kapaciteti i shfrytëzueshëm është diku rreth 350 milionë metra kub ujë.
Sipërfaqja e gjithmbarshme e liqenit të Ujmanit është 11.9 km katrorë, ku 9.2 km katrorë i takojnë Kosovës dhe 2.7 km katrorë Serbisë.
“Rëndësia është shumë e madhe për Kosovën duke pas parasysh që uji nga akumulimi Ujman, nëpërmjet kanalit Pridvoricë- Obiliq, furnizon pjesën qendrore të Kosovës me ujë të papërpunuar. Ujmani është akumulimi më i madh në Kosovë" tregon Prekazi.