Rivarrimi, Kolonel Ahmet Krasniqi, Heroi i Kosovës po kthehet triumfal në truallin e tij

Premte, 21 September 2018 09:55

“Drejtësia vonon e nuk harron, sepse, Koloneli Krasniqi, Heroi i Kosovës po kthehet triumfal në Kosovë dhe, vrasësit nuk i shpëtojnë dënimit të merituar, moralisht dhe nga drejtësia. Qeveria Haradinaj e ka meritën e hapjes së kapitullit të ri për lavdinë e heroit Ahmet Krasniqi në historinë e re të Kosovës. Kjo është fitorja e Kolonelit”, ka përfunduar Skënder Zogaj, për gazetën “Bota sot”.

Këtë vit po bëhen 20 vjet nga vrasja e Ahmet Krasniqit, ndërkohë që akoma ky rast nuk është zbardhur nga organet e drejtësisë.
Vrasja enigmatike e ministrit të parë të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, e cila tronditi tërë shqiptarinë, hynë në mesin e vrasjeve që konsiderohen si vrasje të kryera për motive politike.
Ani pse nuk dihet se cila dorë shtiu mbi të, eshtrat e kolonelit tashmë edhe zyrtarisht është marrë vendim që nga Tirana, të rivarrosen në Kosovë.
Një gjë e tillë po ndodh pikërisht në 20-vjetorin e vrasjes së tij.
Për kujtuar veprën e kolonel Ahmet Krasniqit,  për gazetën “Bota sot”, kanë folur bashkëpunëtorë të afërt të tij.
 Ata kanë theksuar se, vrasja e kolonel Krasniqit ishte akt i një tradhtie të rëndë, që për qëllim kishte të pengonte bashkimin e të gjitha forcave luftarake dhe organizimin institucional të luftës çlirimtare.

Ndërsa, për njohësin dhe ekspertin e sigurisë në vend, zhvarrimi i eshtrave të kolonelit dhe prurja e tyre në Kosovë, nuk e amniston Shqipërinë zyrtare nga përgjegjësia për këtë vrasje.
Saim Tahiraj: Vrasje me motive politike
Saim Tahiraj, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë, bashkëluftëtarë dhe bashkorganizator i luftës në Kosovë me Sali Çekajn, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se, në rastin e kolonel Krasniqit, drejtësia ka dështuar si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
“Mbushen 20 vite që kur u vra me një atentat mu në mes Tiranës, ministri i mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqi. Sot e 20 vite më parë nuk u bë edhe përpjekja më e vogël që ky rast të trajtohet nga prokuroria e dy shteteve, andaj nuk mund të themi se drejtësia ka dështuar si në Shqipëri e po ashtu në Kosovë. Pra, një gjë që nuk fillon edhe nuk mundë të dështon. Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit ishte vrasje me motive krejtësisht politike, e organizuar mirë nga strukturat më të larta të pushtetit aktual të kohës në Tiranë, në bashkëpunim me strukturat më të larta të të ashtuquajturit SHP-UÇK-së të cilët ishin të vendosur në Tiranë”, ka thënë Tahiraj.
Bashkëluftëtari i Sali Çekajt, gjithashtu ka thënë se, vrasjen e Krasniqit e bënë persona të specializuar, ndërkohë që ka përmendur edhe dy arsye lidhur me këtë rast.
“Ekzekutimin e kolonel Krasniqit e bënë persona të specializuar të cilët në mënyrë shumë profesionale e kryen aktin makabër pa lënë fare gjurmë. E them se ishte vrasje me motive politike për dy arsye. E para sepse ishte ministër në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës të udhëhequr nga presidenti Rugova, dhe e dyta se i takonte një organizimi politik me orientim djathtist të drejtuar nga atdhetari i madh Metush Krasniqi, që shumë vite më përpara ishte organizuar në të. Arsyeja e mos fillimit të hetimit të kësaj vrasje qëndron pikërisht këtu. Si mund të fillohen hetimet për këtë vrasje ku pikërisht strukturat më të larta të pushtetit në Tiranë organizuan atentatin ndaj kolonel Krasniqit?”.
“Të hetojnë vetveten e tyre, është absurd të pritet një veprim i tillë kur dihet se prokurorin e shtetit dhe gjykatat i kanë dorë ata pushtetarë. Tani e 20 vite është punuar që kjo çështje të bllokohet tërësisht edhe ato pakë gjurmë që ndoshta kanë mbetur të pastrohen tërësisht dhe normalisht që edhe interesimi i opinionit të bie, sepse janë dy dekada dhe kujtesa fshihet, në mos krejtësisht, në masë të madhe po. Në këtë heshtje 20 vjeçare një pjesë të madhe të përgjegjësisë e bartin edhe institucionet përkatëse të Kosovës, e posaçërisht qeveria në krye me njeriun më përgjegjës, kryeministrin Bukoshi, i cili nuk bëri asnjë lëvizje në këtë drejtim. Së paku bile ka mundur të aktivizonte avokat. Avokat vendorë apo ndërkombëtarë dhe të fillonte procedurën, por nuk e bëri.”,  ka thënë veprimtari i hershëm i LDK-së.
Ndër tjerash, ai ka thënë se, kthimi i eshtrave të kolonel Ahmet Krasniqit dhe rivarrosja e tij në Kosovë nuk po bëhet për rastësi.
“Bukoshi jo vetëm që nuk e bëri këtë por ai shkoi edhe më larg, duke i mohuar edhe ekzistimi e FARK-ut që kolonel Krasniqi me oficerë e kishin themeluar. Kthimi i eshtrave të kolonel Ahmet Krasniqit dhe rivarrosja e tij në Kosovë pas 20 viteve nuk është rastësi, pikërisht tani kur në pushtet në Kosovë janë komplet ajo struktura e cila ishte në krye të atij farë shtabi të UÇK-së. Gjithashtu edhe në Shqipëri qeverisë e njëjta parti e cila mbanë përgjegjësin së bashku me këta në pushtet në Kosovë për vrasjen e kolonel Krasniqit”, tha ndër tjerash ai.
Krejt në fund, Tahiraj thekson se një pjesë të përgjegjësisë e mbanë edhe udhëheqja e LDK-së, e cila, sipas tij, kurrë nuk e pati guximin për të vepruar lidhur me këtë rast.
“Qëllimi kryesorë i këtij rivarrimi ne Prishtinë është që dosja e vrasjes së kolonel Krasniqit të mbyllet përfundimisht. Një pjesë të përgjegjësisë e mbanë edhe udhëheqja e LDK-së e cila kurrë nuk e pati guximin që të filloj diçka, edhe pse disa herë e pati pushtetin. Në vitin 2004 i ndjeri ish-zëvendësministri i ministrisë së mbrojtjes Agim Mehmeti bëri një kërkesë me shkrim duke ju dërguar të gjitha institucioneve shtetërore të Kosovës ,për kthimin e eshtrave të kolonel Krasniqit, por ai kurrë nuk e mori përgjigjen nga asnjë institucion edhe pse LDK e kishte pushtetin. Një mundësi të tillë e pati edhe atëherë kur Isa Mustafa ishte kryeministër, por as ai nuk e bëri, edhe pse kishte kërkesa”, ka përfunduar, Saim Tahiraj, për gazetën “Bota sot”.
Skënder Zogaj: Vrasja ishte akt i një tradhtie
Ndërsa, bashkëpunëtori i afërt i kolonel Ahmet Krasniqit, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deklaroi se koloneli ka qenë një strateg i madh ushtarak, më i madhi i kohës, që për një kohë fare të shkurtër themeloi Ministrinë e Mbrojtjes dhe strukturoi Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, që menjëherë iu rrekën veprimeve për e Kosovës.
“Që në themelimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, me seli ne Tiranë, me ftesën e ministrit Ahmet Krasniqi kam qenë pjesëtar krenar i FARK-ut, në kuadër të Qendrës për Informim, si gazetar-analist politik te “Revista ushtarake”. Ajo që mund të them është se, koloneli Ahmet Krasniqi ka qenë një strateg i madh ushtarak, më i madhi i kohës, që për një kohë fare të shkurtër themeloi Ministrinë e Mbrojtjes dhe strukturoi Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, që menjëherë iu rrekën veprimeve për çlirimin e vendit”.
“Një numër i madh oficerësh dhe ushtarësh të karrierës, ekspert të artit luftarak ishin të gatshëm, ndërsa disa edhe ishin futur në Kosovë. Prandaj, kur gjithçka ishte e gatshme për lokimin e gjithë potencialit ushtarak në Kosovë, në krye me komandantin Krasniqi, dora e zezë godet në një terr të mesnatës dhe e vret Kolonelin në Tiranë, 3-4 ditë para se të merrte udhë për në Kosovë”, deklaroi Zogaj.
Tutje, Zogaj shton se vrasja e kolonel Krasniqit ishte akt i një tradhtie të rëndë, që kishte për qëllim të pengonte bashkimin e të gjitha forcave luftarake dhe organizimin institucional të luftës çlirimtare.
“Vrasja ishte akt i një tradhtie të rëndë, që kishte për qëllim të pengonte bashkimin e të gjitha forcave luftarake dhe organizimin institucional të luftës çlirimtare, e cila nuk u konvenonte armiqve të Kosovës. Unë akuzoj grupet ilegale marksiste leniniste dhe padronët e tyre në Tiranë, nga radhët e sigurimit të shtetit, që këtë akt e bën për zhvatje të mëdha materiale, Drejtësia nuk ka dështuar, por ka qenë e penguar që ta zbardhte vrasjen dhe të zbulonte e dënonte vrasësit e Kolonelit”, shoti Zogaj.
Në fund, Zogaj theksoi se Krasniqi po kthehet triumfalisht në Kosovë, ndërsa, siç ka thënë ai, vrasësit nuk do t’i shpëtojnë dënimit të merituar.
“Mirëpo, drejtësia vonon e nuk harron, sepse, Koloneli Krasniqi, Heroi i Kosovës po kthehet triumfal në Kosovë dhe, vrasësit nuk i shpëtojnë dënimit të merituar, moralisht dhe nga drejtësia. Qeveria Haradinaj e ka meritën e hapjes së kaptinës së re për lavdinë e heroit Ahmet Krasniqi në historinë e re të Kosovës. Kjo është fitorja e Kolonelit”, ka përfunduar Skënder Zogaj, për gazetën “Bota sot”.
Fadil Kajtazi: Zhvarrimi nuk e amniston Shqipërinë zyrtare
E, njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, duke folur për kolonel Krasniqin, ka thënë se, zhvarrimi i eshtrave të kolonelit dhe prurja e tyre në Kosovë, nuk e amniston Shqipërinë zyrtare që nuk zbardhi vrasjen e Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës nga strukturat e saja shtetërore,
“Kolonel Ahmet Krasniqi më shumë se çdo kush e meriton një varr në Kosovë. Por zhvarrimi i eshtrave të kolonelit dhe prurja e tyre në Kosovë, nuk e amniston Shqipërinë zyrtare që nuk zbardhi vrasjen e Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës nga strukturat e saja shtetërore”, ka thënë Kajtazi për gazetën “Bota sot”.
Ai gjithashtu ka thënë se vrasja në kulmin e luftës të një koloneli më shumë se sabotim i lirisë së Kosovës është tradhti.
“Vrasja në kulmin e luftës të një koloneli, ministër të mbrojtjes, me qellim për të vendosur ministër të mbrojtjes një analfabet në fushën ushtarake, është më shumë se sabotim i lirisë se Kosovës, është tradhti. Dhe pjese e tradhtisë se madhe janë strukturat e shtetit të Republikës së Shqipërisë të cilët duke sabotuar intelektualet e Kosovës që po përpiqeshin të çlironin vendin me gjitha mjetet, krijuan dhe instaluan në strukturat ushtarake dhe politiken kosovare pjesën me primitive të Kosovës, e cila i veniti këtij vendi ardhmërinë; e cila ne vend se të zhvilloi vendin, e beri kulturë qeverisje krimin e organizuar, korrupsionin, vrasjet politike etj”, ka thënë ai.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, në fund potencon se, kjo klasë politike e cila në vitet e nëntëdhjeta ishte asgjë në politiken e Kosovës, po negocion me pavarësinë dhe territoret shqiptare, të fituara me jetën e 11 mijë shqiptarëve të vrarë.
“Kjo klasë politike e cila në vitet e nëntëdhjeta ishte asgjë në politiken kosovare, e instaluar me sportin e shtetit ame, këto ditë, mes tjerash, me armikun e shqiptarëve – Serbinë, po negocion me pavarësinë dhe territoret shqiptare, të fituara me jetën e 11 mijë shqiptarëve të vrarë kryesisht me torture, dhe të 20 mije grave të dhunuara”, ka përfunduar njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi për gazetën “Bota sot”.
Ndërkohë, kujtojmë se, kolonel Ahmet Krasniqi u vra në mes të Tiranës, diku në zonën e ish-shtëpisë së Partisë, në 21 shtator të vitit 1998, pak para mesnate.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...