Egzoni dhe Rajmondi, njëri 17 tjetri 19-vjeçar luajnë me orë të tëra lojëra përmes internetit. Ata gjatë kësaj kohe bisedojnë me lojtarë të tjerë nga e gjithë bota përmes mundësisë që këto lojëra ofrojnë të bashkëbisedimit ndërmjet përdoruesve.
“Luaj lojëra online rreth katër orë me telefon, gjatë lojës zhvilloj biseda me lojtarë tjerë, por vetëm rreth lojërave,” thotë Egzoni derisa po luante në telefon lojën e tij të preferuar- raporton REL.
“Luaj lojëra diku rreth pesë ose gjashtë orë në ditë dhe gjatë gjithë kohës kam kontakte me njerëz të huaj,” thotë Rajmondi derisa luan në një internet kafe në një lagje të Prishtinës.
Edhe pse Egzoni dhe Rajmondi thonë se bisedojnë me persona të panjohur kryesisht rreth lojës që luajnë, ekspertët e sigurisë kibernetike tërheqin vërejtjen se të rinjtë që bëjnë aktivitete të tilla online, janë të ekspozuar ndaj mundësisë së rekrutimit dhe indoktrinimit nga ana e ekstremistëve.
Ekspertët dhe organizatat që merren me mbrojtjen e fëmijëve në internet thonë se shumica e këtyre lojërave ofrojnë biseda ndërmjet përdoruesve dhe se në këtë mënyrë fëmijët dhe adoleshentët mund të jenë cak i grupeve të ndryshme të ekstremistëve.