Autoritetet greke thonë se në gjysmën e parë të këtij viti, ka sekuestruar më shumë se gjashtë tonë kanabis, me prejardhje kryesisht nga Shqipëria.
Në raportin gjashtëmujor, të publikuar të martën, thuhet se afërsia gjeografike me Shqipërinë, e ka shndërruar Greqinë në një pikë transiti për ngarkesat e paligjshme me kanabis, sa nga toka edhe nga deti. Destinacionet kryesore janë vendet europiane, por edhe Turqia.
Ndërkaq, në raportin e policisë greke vërehet se Greqia nuk është i vetmi kanal i kalimit të drogës, pasi trafiku realizohet edhe nëpërmjet kufijve të tjerë, tokësorë dhe detarë të vendit fqinj.
Sipas policisë greke, Shqipëria “është vendi kryesor i prodhimit të kanabisit në natyrë, dhe furnizuesi më i rëndësishëm i tregut europian”.
Gjithsesi, sasia e kanabisit që është sekuestruar për gjashtë muajt e këtij viti, është dukshëm më e vogël, në raport me vitin e kaluar. Gjatë 12 muajve të 2017-s policia kishte sekuestruar plot 31 tonë, dhe “pjesa e luanit” i takonte natyrisht, Shqipërisë.
Nga janari në qershor të këtij viti, autoritetet greke kanë sekuestruar, në shifra precize:
6067 kg kanabis,
95 kg heroinë,
76 kg kokainë
Si dhe kanë asgjësuar 21.794 fidanë kanabi