77.6% e Kosovës kundër shkëmbimit të territoreve

Saturday, 29 September 2018 09:02

Nga hulumtimi i KDI-së, 77.6 përqind e qytetarëve të Kosovës janë kundër shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi. Kundër shkëmbimit të territoreve janë edhe serbët dhe pakicat e tjera të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaҁi, pas qëndrimit në Nju Jork, ku zhvilloi takime të shumta në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, tha, se “SHBA dhe Bashkimi Evropian e mbështesin parezervë arritjen e një marrëveshjeje paqësore përfundimtare Kosovë-Serbi. Një marrëveshje paqësore Kosovë-Serbi, që garanton stabilitet dhe perspektivë evropiane. Marrëveshje që ruan dhe promovon multietnicitetin në Kosovë dhe që e afron Kosovën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.” Ai tha, se “nuk do të ketë as shkëmbim, as ndarje dhe as Asociacion me elemente konstitutive”. Sipas tij “është konkludim i përbashkët që status-quoja e tashme është e paqëndrueshme dhe kjo situatë duhet ndryshuar.

Gjatë qëndrimit në SHBA në takime me zyrtarë të lartë të state departamentit amerikan, Thaҁi, – sikurse deklaroi –  ka prezantuar “vullnetin politik të liderëve nga komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që këto komuna të bashkohen me Kosovën”. E kjo sipas tij, mund të bëhet përmes demarkacionit të kufirit Kosovë-Serbi, kufi ky me një gjatësi të mbi 450 kilometra.

Një marrëveshje finale Kosovë-Serbi dhe ideja e Presidentit të Kosovës për korigjim kufiri, apo shkëmbim territori Kosovë-Serbi nuk po gjen mbështetje tek qytetarët e Kosovës. Një studim i publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, (KDI) që grumbullon rreth vetes shumë organizata të shoqërisë civile, nxjerr në pah se shumica e qytetarëve janë kundër një marrëveshjeje me Serbinë, që do të përfshinte “shkëmbimin e territoreve”.

“Në bazë të qëndrimit të qytetarëve, 77.6 përqind janë kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë si pjesë e marrëveshjes potenciale ndërmjet dy palëve, ndërsa vetëm 11.3 përqind e qytetarëve do të pranonin të kishte një shkëmbim të territoreve si pjesë e një marrëveshjeje potenciale midis dy palëve, Janë 11 përqind e qytetarëve që nuk e dinë apo refuzojnë të përgjigjen”, tha Jeta Krasniqi, (hulumtuese në KDI) gjatë prezantimit të të dhënave të hulumtimit.

Kundër shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, sipas publikimit, janë shprehur edhe shumica e pjesëtarëve të komuniteteve që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe serbët e Kosovës. “51 përqind kanë thënë se do të protestonin kundër një marrëveshjeje Thaçi- Vuçiç që do të përfshinte shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë në baza etnike. Janë rreth 20 për qind e qytetarëve që do të kërkonin referendum, janë 8.9 për qind e qytetarëve që do të pajtoheshin me këtë marrëveshje”, thuhet në raport.

Pakënaqësia e qytetarëve sipas raportit është shprehur edhe në mënyrën sesi Presidenti Thaci, po drejton procesin e bisedimeve dhe po ashtu sesi opozita i është qasur këtij procesi. “75 përqind e qytetarëve janë të pakënaqur për mënyrën sesi po ecën dialogu dhe tani kahjen që presidenti Thaçi është duke i dhënë këtij procesi. Ndërsa janë rreth 20 përqind e qytetarëve që janë të kënaqur me këtë proces. Po ashtu, 65 përqind e qytetarëve kanë kundërshtuar rolin edhe të opozitës kundrejt procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi.

Ndërsa të shtunën (29.09) në Prishtinë zhvillohen protesta kundër idesë së presidentit për korigjim kufiri me Serbinë. Protesta organizohet nga lëvizja Vetëvendosje në opozitë, por ajo nuk mbështetet nga partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo e fundit thotë se kundërshtimin mund ta bëjnë brenda institucioneve të Kosovës, ndërsa, nëse është nevoja ata mund të organizojnë protesta edhe në rrugë./Deutsche Welle

Login to post comments