Prania ushtarake e Gjermanisë në Prizren që prej fillimit të vitit të ardhshëm do të zëvendësohet me praninë ekonomike, kanë bërë të ditur të enjten zyrtarët politikë e ushtarakë gjermanë, si dhe shefi i ekzekutivit të Kosovës, gjatë parakalimit festiv lamtumirës të paqeruajtësve gjermanë në qytetin historik, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo ceremoni ka shënuar fillimin e largimit të ushtarëve gjermanë të KFOR-it nga Prizreni, pas shërbimit 19- vjeçar. Paqeruajtësit gjermanë kanë parakaluar në sheshin e Shadërvanit, ndërkohë që qytetarët e pranishëm mirënjohjen e kanë shprehur përmes duartrokitjeve.
Mirënjohje për kontributin e shtetit dhe paqeruajtësve gjermanë ka shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka theksuar se flamuri i shtetit mik gjerman do të vazhdojë që të valojë lartë në Prizren edhe pa praninë ushtarake.
“Sot, ushtarëve gjermanë u them se kjo është dita e juaj dhe duhet të jeni krenarë. Keni shërbyer në emër të kombit tuaj në një vend gjatë kohërave të vështira dhe falë jush ky komb këtu jeton në paqe. Dhe ky është suksesi juaj”, ka thënë Haradinaj. Ai ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen në të gjitha fushat, gjë që, sipas tij, ka mundësuar që sot Kosova të jetë paqësore dhe njerëzit e saj të jetojnë në harmoni...