Kosovë, partitë në pushtet në kërkim të një rezolute për bisedimet me Serbinë

Diel, 07 October 2018 07:57

Udhëheqësit e partive politike të koalicionit qeverisës në Kosovë, kanë hartuar një projekt-rezolutë për siç thuhet, përmbylljen e bisedimeve në mes të Kosovës e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Teksti i projekt-rezolutës gjashtë pikëshe parasheh që, siç thuhet “dialogu të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht detyruese, përmes të cilit do të ndodhte njohja reciproke. Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe i pandashëm dhe se kufijtë e saj janë të pacenueshëm dhe të panegociueshëm”.
Në tekst është përfshirë edhe qëndrimi për mospranimin e një pushteti të tretë, përkatësisht mospajtimi që Asociacioni i komunave të ketë pushtet ekzekutiv.
Me këtë projekt-rezolutë synohet që të mandatohet edhe ekipi i krijuar nga qeveria e Kosovës për bisedimet me Serbinë, që pritet të kryesohet nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ndërsa në ekip janë rezervuar vendet edhe për partitë opozitare.
“Parlamenti i Kosovës është autoriteti më i lartë i cili do të ratifikojë marrëveshjen ligjërisht detyruese”,thuhet në pikën e fundit të projekt-rezolutës.
Takimi ndërmjet udhëheqësve të koalicionit qeverisës u përshëndet edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në një konferencë me gazetarë të shtunën në orët pasdites, tha se do të vazhdojë të punojë për të arritur një marrëveshje me Serbinë.
“E theksoj, se do të punoj që edhe në fazën përfundimtare të negociatave me Serbinë me të gjithë për një Kosovë të pavarur, sovrane, unike duke respektuar sovranitetin e saj, por në të njëjtën kohë, çdo marrëveshje eventuale në fund dhe është shumë herët të flitet për epilogun e një marrëveshje që nënkupton njohjen reciproke, do ta kalojë përmes parlamentit të Kosovës dhe nuk mundet askush të tejkalojë parlamentin por edhe mundësinë e referendumit”,tha presidenti Thaçi.
Ai polemizoi në distancë me kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili një ditë më parë në një akademi përkujtimore për dëshmorët e rënë gjatë luftës së fundit në Kosovë, tha se nuk do të lejohet ndryshimi i kufijve.
“Ajo që ne duhet të bëjmë është se kjo fazë përpos patriotizmit të paraqitur nëpër akademi përkujtimore kërkon mençuri, shkathtësi, largpamësi dhe përgjegjësi shtetërore. Pra dallon paraqitja në akademi përkujtimore nga përfaqësimi i Kosovës në tavolinë përballë Serbisë”,tha presidenti Thaçi.
Kryeministri Haradinaj, ritheksoi qëndrimin e tij pak pas konferencës së presidentit Thaçi, në një postim në rrjetin Facebook.
"Në pikën një dhe pikën gjashtë të Rezolutës së Qeverisë, të dakorduar sot me kryetarët e partive të koalicionit qeveritar, është definuar qartë se kufijtë e Republikës së Kosovës, shtet i pavarur, Sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm, janë të pacenueshme dhe të panegociueshme dhe se Kuvendi i Republikës së Kosovës, si autoritet suprem, me votat e 2/3 e të gjithë deputetëve, do të Ratifikojë Marrëveshjen Ligjërisht Obligative në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë", ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Presidentit Thaçi sërish përsëriti idenë e tij për "korrigjimin e kufirit", që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë me Kosovën.
Gjatë verës, ai dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ,që mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.

Por, presidenti serb, e shpalli ditë më parë të humbur politikën e tij për siç thuhet, kufizimin e serbëve dhe shqiptarëve, që nënkupton ndarjen e Kosovës.
Idetë për prekjen e kufijve reagime edhe në skenën ndërkombëtare. Një pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian, posaçërisht Gjermania dhe Britania e kundërshtojnë ndryshimin e kufijve nga droja për pasojat në pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit.
Zyrtarët amerikanë kanë ritheksuar disa herë se "Shtetet e Bashkuara duan t'u japin hapësirë të dyja palëve që të gjejnë një zgjidhje "krijuese", që do të jetë e qëndrueshme dhe e zbatueshme, por në fund do të thonë fjalën e tyre.
Edhe në Beograd edhe në Prishtinë, bartësit e këtyre bisedimeve thonë se kanë pak shpresë për të arritur ndonjë marrëveshje, por të dyja palët po përballen me trysni për një marrëveshje më të shpejtë, për shkak të zgjedhjeve brenda Bashkimit Evropian në pranverën e vitit të ardhshëm.
McAllister: pikëpamje shumë të ndryshme në Kosovë për marrëveshjen me Serbinë
Kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister tha të shtunën se ka dëgjuar pikëpamje shumë të ndryshme nga udhëheqësit e Kosovës për mënyrën e arritjes së një marrëveshjeje normalizimi me Serbinë.
Ai i bëri këto komente në Prishtinë, ku u takua me udhëheqës të institucioneve të Kosovës, një ditë pas qëndrimit në Beograd.
"Parlamenti Evropian thekson se do të ishte e pranueshme çdo marrëveshje, nëse palët bien dakord në mënyrë të ndërsjellë, duke marrë parasysh qëndrueshmërinë në rajon dhe ligjin ndërkombëtar”, tha zoti McAllister, duke cituar pjesë të raportit për Kosovën që do të diskutohet në Parlamenti Evropian.
Një ditë më parë presidenti serb i tha raportuesit të Parlamentit Evropian se Serbia është e gatshme për vazhdimin e bisedimeve, por, "nuk e di se çfarë duan prej saj faktorët ndërkombëtarë. Besoj e kanë të qartë se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës sikundër duan ata. Mund të marrin tri purteka dhe të më qëllojnë në kokë, unë nuk do ta pranojë atë", tha ai.
Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, nëntë vjet pas ndërhyrjes së forcave të NATO-s për t'u dhënë fund mizorive të forcave serbe.
Por, ajo është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që është kushti kryesor për integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...