Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur për mediat e Çekisë, gjatë kohës sa ishte atje në një vizitë zyrtare e ku takoi edhe homologun e tij, Milan Stech.
Në një intervistë për agjencinë çeke të lajmeve, e që është shpërndarë edhe në mediat tjera të këtij vendit, Veseli ka thënë se qytetarët e Kosovës presin që sa më shpejt brenda këtij viti të hiqen vizat për lëvizje në zonën Schengen.
Ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë duke përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij se nuk do të ketë kurrfarë cenimi të territorit të Kosovës.
Veseli ka thënë se nga ky dialog, që tashmë ka hyrë në fazën finale, presin që të ketë njohje reciproke me Serbinë, si dhe ulëse në OKB, NATO dhe BE, njofton Klan Kosova.
“Është në interes edhe të Serbisë që të kemi njohje reciproke dhe ecje përpara në agjendën evropiane”, ka thënë ai, duke shtuar se ka shumë politikanë serbë që e kuptojnë se Kosova tashmë është fakt, është shtet i pavarur dhe se nga kjo nuk ka kthim.
Për këtë, shprehet ai, ata duhet të komunikojnë sinqerisht me qytetarët e Serbisë dhe t’ua thonë të vërtetën.
Duke folur për raportet me Çekinë, Veseli tha se ato janë shumë të mira dhe se ka bashkëpunim. Në këtë pikë ai ka përmendur diskutimet për një marrëveshje në fushën e ekonomisë, si dhe përkrahjen e Çekisë për Kosovën në heqjen e vizave, anëtarësim në UNESCO dhe INTERPOL.