Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro projektligjit të parë që transformon Ministrinë e FSK-së në Ministrinë e Mbrojtjes. Këtë veprim e ka përshëndetur edhe kapiteni ‘legjendar’ i kombëtares shqiptare, Lorik Cana.
Cana njihet për dashurinë dhe patriotizmin që e karakterizon, pasi e ka treguar në çdo stadium të madh botëror ku ka luajtur. Në një postimi në ‘InstaStory’ ai shpërndanë fotografinë e ushtarëve kosovarë të shoqëruar me flamurin kuqezi dhe atë të Kosovës. Po ashtu e ka shoqëruar edhe me disa emoje, një shqiponjë dhe një shenjë krahu që tregon forcën.
Në sallë ishin 102 deputetë, 101 prej tyre kanë votuar unanimisht pro Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes. Por, deputetët e Listës Serbe janë larguar nga seanca e Kuvendit pa nisur leximi i tre projektligjeve në lidhje me FSK-në.
Igor Simiç nga Lista Serbe gjatë seancës deklaroi se këto ligje janë në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe NATO-n, njëkohësisht edhe me Kushtetutën e Kosovës.
Simiç vlerësoi se më mirë është të kontribuohet në zhvillimin ekonomik se sa për FSK-në. Pas fjalës së tij deputetët e Listës Serbe u larguan nga salla.
Kuvendi i Kosovës ka votuar 3 projektligjet për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Projektligji u miratua me 96 vota pro.
Ky projektligj rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK. Një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, jo diskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.
Në Kuvend u votuan me 101 vota pro projektligji për krijimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Si dhe nga ana tjetër me 98 vota pro u miratua projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës.