Pas asaj që ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës, ku është hapur rruga për Ushtrinë e Kosovës, menjëherë ka ardhur edhe reagimi i NATO-s.
Një zyrtar i Aleancës Veriatlantike, i ka thënë RTK-së se pozicioni i NATO-s është i qartë: NATO mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nën mandatin e saj aktual. `Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale dhe një burim stabiliteti rajonal. Nëse ky mandat evoluon, Këshilli i Atlantikut të Veriut do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë. Është e rëndësishme që për çdo iniciativë në lidhje me mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të ketë konsultim të plotë me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe me aleatët e NATO-s. NATO mbetet e angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, përmes KFOR-it, operacionit tonë më të gjatë`, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s.