Thomas Silberhorn (CSU), sekretari shteti parlamentar pranë ministres së mbrojtjes së Gjermanisë, në një intervistë ekskluzive për DW siguron vazhdimin e ndihmës gjermane për ndërtimin e ushtrisë së Kosovës.
Deutsche Welle: Z. Silberhorn, Parlamenti i Kosovës është duke vendosur bazamentin ligjor për Forcat e Armatosura të Kosovës. Si e shihni ju këtë hap?
Thomas Silberhorn: Termi "forca të armatosura" na kujton se bëhet fjalë për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Kosova nuk njihet nga të gjithë, për këtë ka mosmarrëveshje. Kjo është arsyeja, se përse për mua është e rëndësishme që të konstatoj se në nismat legjislative të parashtruara në parlament nuk shfaqet termi "forca të armatosura". Unë e shoh këtë si fillimin e një procesi transformimi në dhjetë vitet e ardhshme. Gjatë kësaj periudhe duhet të jenë zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet dhe pastaj mund të jemi më të qartë në lidhje me nocionin e forcave të armatosura.
DW: Serbia e sheh procesin e transformimit si kërcënim. Me çfarë argumenti do t'i qetësoni ju serbët?
Në Forcën e Sigurisë së Kosovës ka edhe anëtarë të pakicës serbe. Ajo ka për detyrë të kujdeset për sigurinë në të gjithë territorin. Këtu duhet formësuar një proces tranzicioni që merr parasysh interesat e pakicës serbe, por edhe faktin që partnerët e NATO-s nuk janë të një mendimi. Duhet të zgjedhim një rrugë që i përfshin të prekurit dhe çon në një zgjidhje bindëse.
DW: Mendoni se është momenti i përshtatshëm për të formuar Forcat e Armatosura, tani që raporti i besimit me pakicën serbe nuk është aq i mirë, sepse as dialogu serbo-kosovar nuk po bën përparime?
Nga këndvështrimi i qeverisë gjermane ne këtë e shohim të rezervuar. Por ne gjithashtu e kuptojmë se duhen njohur përparimet në çështjet e hapura dhe prandaj shpresojmë dhe po punojmë për këtë proces tranzicioni. Forca e Sigurisë së Kosovës është trajnuar profesionalisht dhe ajo duhet ta mbajë këtë nivel dhe ta zhvillojë duke krijuar struktura që funksionojnë pa mbështetje. Kësaj i shërben edhe angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Ne do të këshillojmë dhe japim mbështetjen tonë për të krijuar në Kosovë struktura vetë-qëndruese.
DW: Gjermania deri më tani ka mbështetur Forcën e Sigurisë së Kosovës me pajisje. Cila do të jetë ndihma e saj për Ushtrinë e Kosovës?
Ne jemi tashmë prej gati 20 vjetësh të pranishëm në Kosovë me ushtarë të Bundeswehr-it. Para ca kohësh kontingjenti i 50-të gjerman u largua nga Prizreni, por ne do të mbetemi në Prishtinë, me rreth 70 persona. Ne jemi të përfshirë edhe në ekipin e NATO-s (NALT) që këshillon FSK-në për t'i kryer detyrat e saj pa mbështetje nga jashtë. Po ashtu, mbështesim ngritjen e kapaciteteve, për shembull, në fushën e logjistikës dhe shërbimeve sanitare. Sa i përket pajimit, kur u larguam nga kampi i Prizrenit, lamë aty disa automjete. Por mbi të gjitha, ky kamp tani po shndërrohet në një park teknologjik dhe arsimor. Ky është një mesazh shumë i rëndësishëm për ne: mbi terrenin e stabilitetit, të arritur me mbështetjen e Bundeswehr-it ne mund të organizojmë rindërtimin civil dhe të investojmë kështu në brezat e ardhshëm, në arsim dhe novacion. Angazhimi ushtarak vijohet nga partneriteti i ngushtë civil.
DW: Çfarë roli do të luajë NATO kur të krijohet Ushtria e Kosovës?
NATO-ja ndjek politikën e dyerve të hapura. Shtetet janë të pavarura dhe duhet të vendosin vetë për aleancat dhe kontributet që duan të japin për sigurinë. Mali i Zi, si anëtari më i ri i NATO-s, mund të merret si shembull orientimi. Por kjo nismë duhet të vijë nga vendet partnere. Në lidhje me Kosovën, ekziston çështja e hapur e sovranitetit dhe marrëdhënieve me Serbinë. Ky është një parakusht për nisjen e këtij kursi kaq themelor.
DW: Aktualisht ekziston vetëm një propozim konkret për zgjidhjen e këtyre çështjeve: I ashtuquajturi korrigjim kufijsh, i propozuar nga Presidenti i Kosovës dhe homologu i tij nga Serbia. Si e shihni ju këtë?
Është me të vërtetë detyra e dy vendeve që të gjejnë një zgjidhje me konsensus. Sa i përket shkëmbimit të mundshëm të territoreve, ne jemi shumë të rezervuar. Me zgjidhje të tilla nuk kemi pasur përvojë të mirë në Europë. Duhet t'i evitojmë kufijtë përgjatë vijave etnike. Ato nuk janë të qëndrueshëm. Lufta në Jugosllavi e tregoi se ndërmjet grupeve të ndryshme etnike ekzistojnë ndërvarësi të forta. Synimi ynë është bashkëjetesa paqësore ndërmjet pjesëtarëve të grupeve të ndryshme etnike. Ajo nuk mund të ndahet me kufij dhe për këtë arsye nuk duhet të ketë shkëmbim popullsie, por duhet të punojmë që njerëzit të kenë një të ardhme në vendin që e ndiejnë si të tyren. Anila Shuka/DW