Haradinaj apel Mogherinit: Taksa ndaj produkteve serbe deri në njohje të pavarësisë

E Enjte, 22 November 2018 15:02

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka dërguar letër përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherinit dhe të gjithë ambasadorëve në Kosovë lidhur me vendosjen e masës prej 100 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Përmes kësaj letre, Haradinaj i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar të mbështesë përputhshmërinë me marrëveshjet ndërkombëtare.

Derisa u ka sqaruar se vendimi është një përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës që kërkojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës. Ai ka publikuar përmbajtjen e plotë të kësaj letre në Facebook.

"Sot, u kam dërguar ambasadorëve të akredituar dhe zyrtarëve të Zyreve Ndërlidhëse në Kosovë, letër me fakte dhe argumente të listuara për vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e masës prej 100% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina", ka shkruar Haradinaj.

Kjo është përmbajtja e plotë e letrës që Haradinaj i ka dërguar Mogherinit dhe ambasadorëve:
KOSOVA I BËN THIRRJE KOMUNITETIT NDËRKOMBËTAR TË MBËSHTESË PËRPUTHSHMËRINË ME MARRËVESHJET NDËRKOMBËTARE

Më 21 nëntor 2018, Kosova vendosi 100% tarifë doganore për të gjitha mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Ky vendim është marrë në pajtim me nenin 18 të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Vendimi është një përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës që kërkojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës.

Republika e Kosovës beson fuqimisht se dialogu i bazuar në vullnetin e mirë, respektin e ndërsjellë dhe besimin e mirë është e vetmja mënyrë për të ndërtuar besimin midis shteteve dhe popujve, duke nxitur paqen afatgjate, forcimin e stabilitetit rajonal dhe rritjen e prosperitetit.

Prandaj, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar fuqimisht për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse afatgjate të paqes me Serbinë, e cila adreson të gjitha çështjet politike, të sigurisë, ekonomike, tregtare dhe kulturore.

Kosova ka zbatuar vazhdimisht dhe vendosmërisht dhe ka respektuar të gjitha detyrimet e saj ndërkombëtare, duke përfshirë CEFTA-n dhe SAA-në e saj - dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.

Qeveria e Kosovës u bën thirrje përfaqësuesve të BE-së, si ndërmjetësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që të detyrojnë Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën të përmbushin angazhimet e tyre sipas CEFTA-s dhe marrëveshjeve të tjera.

ARSYJET PËR VENDOSJEN E TARIFAVE DOGANORE

Neni 18 i CEFTA-s u lejon anëtarëve të saj të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për "mbrojtjen e interesave thelbësore të sigurisë ose për zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare ose politikave të brendshme". Serbia, e mbështetur nga Bosnja dhe Hercegovina, vazhdimisht dhe në mënyrë aktive përpiqet të minojë sigurinë, sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Veprimet e saj shkelin zotimet e detyrueshme ligjore dhe politike, duke përfshirë Marrëveshjen e Brukselit mbi Normalizimin e Marrëdhënieve. Këto veprime kërcënuan interesat thelbësore të sigurisë së Republikës së Kosovës.

Ndër më të fundit, veprime të tilla janë si më poshtë:

• Fushata e Serbisë për t'i bërë presion vendeve për të revokuar njohjen e Kosovës.

• Përpjekja e suksesshme e Serbisë për të sabotuar kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, e cila gjithashtu u mbështet nga Bosnja dhe Hercegovina.

• Sulme fizike, të injoruara nga organet serbe te zbatimit te rendit, për mjetet e transportit kosovar dhe qytetarët e Kosovës, duke përdorur territorin e shtetit të Serbisë si transit në vende të tjera të Evropës.

• Arrestime, kërcënime dhe veprime të tjera kriminale nga ana e përfaqësuesve serbë ndaj pjesëtarëve serbë etnikë të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

• Shkelja e marrëveshjes për pjesëmarrjen në organizata dhe iniciativa rajonale duke u mohuar përfaqësuesve zyrtar të Kosovës (duke përfshirë anëtarët e parlamentit, ministra dhe përfaqësues të lartë të Qeverisë së Kosovës) të drejtën për të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara në Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë.

• Federatat sportive dhe artistët kosovarë të privuar nga e drejta për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare.

SHKELJET E TREGTISË SË LIRË QË TANI JUSTIFIKOJNË TARIFAT DOGANORE

Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë shkelur në mënyrë të përsëritur CEFTA-n dhe nuk kanë reaguar ndaj ankesave të sjella nga Kosova. Kosova i është përmbajtur rreptësishtë kushteve të CEFTA-s. Megjithatë, veprimet e Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës kanë bërë të kotë krijimin e një zone të ligjshme të tregtisë së lirë. Shkeljet më të fundit përfshijnë:

• Serbia ka hedhur poshtë me dashje marrëveshjen mbi Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ndërsa refuzon të shfrytëzojë objektet kufitare të financuara nga BE, duke shkaktuar humbje prej 12 milion euro në financimin e donatorëve për Kosovën

• Serbia refuzon të respektojë marrëveshjet mbi procedurat doganore, duke përfshirë ato që lidhen me vulat doganore. Si rezultat, produktet serbe po hyjnë në Kosovë pa paguar tarifa doganore dhe TVSH, duke e privuar Kosovën nga të ardhurat dhe duke mundësuar avantazh anti-konkurrues për produktet serbe.

• Mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina - sidomos ushqimet dhe materialet e ndërtimit - marrin ndihma shtesë shtetërore të paligjshme dhe janë plasuar në mënyrë të paligjshme në Kosovë, duke çrregulluar më tej tregun e brendshëm.

• Produktet kosovare nuk kanë qasje në tregun serb dhe boshnjak ose përballen me barriera të ndryshme jo-tarifore. Për shembull, autoritetet serbe dhe boshnjake:

o Abuzojnë me procesin e certifikimit sanitar dhe fito sanitar duke marrë mostrat nga çdo kamion i prodhuesit të pijeve, në krahasim me praktikën standarde të inspektimit të 3-5 kamionëve për çdo 100.

o Nuk i njohin analizat e testimit të eksportuesve kosovarë.

o Refuzojnë dhënien e licencave për mallrat e specializuara të bëra në Kosovë, siç janë prodhimet farmaceutike.

o Refuzojnë të njohin certifikatën e origjinës të lëshuar nga autoritetet e Kosovës dhe kërkojnë një vërtetim të origjinës së mallrave që do të lëshohet nga një autoritet serb, duke shkelur ligjin e Kosovës, ligjin serb dhe atë boshnjak dhe CEFTA-n.

• Serbia imponon pengesat e transportit që bllokojnë ose vonojnë seriozisht importin e mallrave në Kosovë nga BE. Si rezultat, vëllimi i mallrave serbe të shitura në Kosovë është në mënyrë jo-proporcionale më i lartë se mallrat kosovare të shitura në Serbi, edhe kur janë përshtatur për prodhimin dhe madhësinë e tregut.

• Kamionët e Kosovës nuk lejohen të përdorin Serbinë si transit në tregun e BE.

• Në mënyrë të ngjashme, Bosnja dhe Hercegovina eksporton vëllime të konsiderueshme në Kosovë, ndërkohë që vendosin barriera ekstremë jo-tarifore për importet nga Kosova.

• Kompanitë kosovare nuk lejohen të konkurrojnë në ofertat publike në Serbi. Nga ana tjetër, ka më shumë se 100 oferta publike që kompanitë serbe kanë fituar në Kosovë.

• Serbia ka refuzuar zbatimin e marrëveshjes energjetike të vitit 2013, e cila u konfirmua në vitin 2015. Si rezultat, qeveria e Kosovës ka pësuar humbje direkte mbi 30 milionë euro në vit dhe bizneset e Kosovës kanë humbur 300 milionë euro në vit.

PËRFUNDIMI

Republika e Kosovës është e përkushtuar ndaj parimit të tregtisë së lirë. Megjithatë, tregtia e lirë kërkon respekt të ndërsjellë, bashkëpunim të vërtetë dhe reciprocitet. Republika e Kosovës për shumë vite ka demonstruar durim të konsiderueshëm përballë armiqësisë gjithnjë në rritje dhe provokimit. Tarifat e vendosura më 18 nëntor janë rezultati i pashmangshëm i veprimeve të tilla.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...