Pavarësisht nga deklaratat të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiç, se takimet e tyre kanë qenë vetëm në raste publike në Bruksel, janë zbuluar detaje që tregojnë të kundërtën.
Thaçi dhe Vuçiç të cilët janë angazhuar fortë në një plan për ndarje kufijsh mes dy vendeve, në mënyrë sistematike janë takuar dhe kanë biseduar në mënyrë të fshehtë, veçanërisht në një kryeqytet të Europës shumë afër dy vendeve.
Ditën e djeshme ish-ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, ka deklaruar se sipas informacioneve të tij të sigurta, presidenti serbë dhe ai kosovar kanë pasur dhe kanë vazhduar edhe së fundmi, disa takime sekrete kokë më kokë.
Jeremiç në pozitën e një prej liderëve kryesorë të opozitës në Serbi, i ka bërë edhe një pyetje publike retorike, presidentit Vuçiç.
A je takuar me Hashim Thaçin, më 4 nëntor në kryeqytetin e Italisë në Romë?!
Ish ministri i Jashtëm serb ka qenë ndër të parët, që në fillim të këtij viti që ka denoncuar faktin, se mes Vuçiç dhe Thaçit po zhvillohen takime të fshehta, pa dijeninë e institucioneve të dy vendeve.
Burime të “Syri.net” në ambasadën e Kosovës në Romë na kanë konfirmuar, se Hashim Thaçi ka qenë në 4 Nëntor në Romë, ku ka fjetur një natë. Por gjatë kësaj periudhe që po diskutohet për një marrëveshje për ndarjen e kufijve, Thaçi ka qenë edhe të paktën dy herë të tjera në kryeqytetin e Italisë. Në të gjitha rastet thonë burimet e “Syri. net”, ai e ka trajtuar vizitën si personale dhe ambasadën e ka njoftuar, vetëm për të përdorur automjetin e saj për ta pritur dhe përcjellë në aeroport. Lëvizjet dhe takimet e Thaçit gjatë këtij qëndrimi në Romë, nuk i janë vënë në dijeni ambasadës.
Duket se Roma është përzgjedhur si “baza”, ku dy presidentët po shtjellojnë dhe po çojnë përpara planin e tyre për rikonfigurim kufijsh mes dy vendeve. I papritur ishte edhe shkarkimi pa asnjë motivacion prej Thaçit pak ditë më pare, i ambasadores së Kosovës në këtë vend, Alma Lama, dhe zëvendësimi i saj me një femër tjetër të besuar të presidentit prej shumë vitesh, Kimete Bytyçin.
Në qarqet politike të Prishtinës, Bytyçi njihet si beniamine e Hashim Thaçit, i cili e ka zgjedhur deputete të Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e katërt dhe njëkohësisht edhe anëtare të Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij, LDK, që nga viti 2006.
Është logjike që nëse Roma është zgjedhur prej Thaçit dhe Vuçiç, si “baza sekrete” ku ata mund të bisedojnë për ndarjen e Kosovës, edhe ambasadori i Kosovës në këtë shtet duhet të jetë një njeri besnik, për të shmangur çdo rrjedhje informacioni në publik.
Nuk është hera e parë që Roma përzgjidhet, si vendi ku janë hedhur idetë për një plan të ndarjes së Kosovës. Gjithashtu burime të besueshme të “Syri.net” kanë thënë se në datat që Thaçi ka qëndruar aty privatisht, në kryeqytetin italian është parë edhe Aleks Soros, djali i spekulantit miliarder, që sipas të gjitha indiceve dhe gjasave qëndron prapa këtij plani.
Gjithashtu nëse bën një kërkim të thjeshtë në faqen e presidentit të Kosovës dhe në llogarinë e tij në Twitter, rezulton se Hashim Thaçi dhe zyra e tij nuk ka bërë asnjë njoftim për aktivitete të Presidentit, nga data 31 tetor kur ai ishte në Bjellorusi dhe deri më 6 nëntor, kur ai takoi kancelarin austriak, Sebastian Kurz në Prishtinë.