Një ditë pas vendimit për ushtrinë, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë dhe mandatoi ekip negociator për bisedime me Serbinë. Ekipi do të ketë dy bashkëkryesues. Vuçiq thotë se Kosova e mbylli derën e dialogut.
Parlamenti i Kosovës mandatoi ekipin negociator për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por, rezoluta dhe ekipi negociator që do të ketë dy bashkryesues, u miratua pa pëlqimin e pjesës më të madhe të opozitës, e cila bojkotoi punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit. Rezoluta mori 59 vota nga 61 deputetë të pranishëm në sallë. Rezoluta e cila ishte nismë e partisë Socialdemokrate në opozitë, që iu bashkua grupit negociator, përfshinë parimet e bisedimeve me Serbinë dhe në të kërkohet që çdo marrëveshje e mundshme të kalojë detyrimisht përmes Parlamentit të Kosovës. Ligji që do të miratohet, do ta përcaktojë edhe rolin e Presidentit në bisedime me Serbinë. Grupi negociator i Kosovës do të udhëhiqet nga kryetari i Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti, që njëkohësisht është edhe kryetar i Prishtinës dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj. Pjesë e delegacionit do jenë edhe zëvendëskryeministri tjetër Enver Hoxhaj nga PDK, Avni Arifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ministri i jashtëm Behgjet Pacolli, ministri nga radhët e pakicës turke, Mahir Yagcilar, zëvendëskryeministri Dardan Gashi, një përfaqësues i shoqërisë civile, ndërsa, dy vende janë të rezervuara për dy partitë opozitare LDK dhe Lëvizjen Vetëvendosje, nëse ndërrojnë mendje dhe duan të bëhen pjesë e ekipit negociator. Deri në ardhjen e tyre, ata do të zëvendësohen nga Visar Ymeri dhe Dugagjin Gorani nga PSD.
Dlegacioni shtetëror
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate, nismëtare e rezolutës, Visar Ymeri, tha se vendimmarrja në këtë proces ka kaluar te delegacioni shtetëror i cili edhe mandatohet edhe i jep llogari Parlamentit të Kosovës.
"Me rezolutë zotohemi se me platformën shtetërore do të konfirmohen pacenueshmëria dhe patjetërsueshmëria e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe karakterit unitar të Republikës së Kosovës. Përmes këtij procesi të dialogut përfundimisht Serbia do të obligohet të njohë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran përndryshe nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë”, tha Visar Ymeri.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e përshëndeti miratimin e rezolutës nga Parlamenti dhe është i bindur se Kosova duhet të dialogojë me Serbinë, në të mirë të normalizimit të marrëdhënieve mes dyja vendeve.
"Miratimi në Kuvendin e Kosovës i rezolutës të propozuar nga PSD, është hap tejet i rëndësishëm për t'i dhënë peshë dialogut dhe legjitimitet institucional. Me veprimin e sotëm, këtij procesi i qasemi më të përgatitur, më të përgjegjshëm dhe më legjitim”, tha kryeministri Haradinaj, duke ftuar partitë politike, shoqërinë civile, organizatat dhe personalitete të tjera të rëndësishme që t'i bashkohen këtij procesi, për ta "përfunduar dialogun me një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë”.
LVV dhe LDK nuk pajtohet
Dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk po pajtohen që ky koalicion qeveritar të hyjë në dialog me Serbinë. Ata po kërkojnë zgjedhje të reja, pastaj sipas tyre, "të zgjedhurit e rinj të vendosin për dialogun”.
Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, thotë se Kosova ka Kushtetutën e saj dhe mbi të nuk mund të ketë asnjë dokument tjetër.
"Platformë e vetme për dialog është vetëm Kushtetuta e Kosovës, nuk mund të ketë kurrfarë platforme që del mbi Kushtetutën e Kosovës. Dhe e dyta, nuk mund të simulojmë ekipe për dialog, pasi ekip për dialog është vetëm qeveria që ka legjitimitet qytetarë, qeveri e shumicës që flet në emër të shumicës së qytetarëve normalisht me rolin shumë të rëndësishëm në atë ekip në të ardhmen të opozitës, të shoqërisë civile”, tha zoti Avdullah Hoti.
Nga Lëvizja Vetëvendosja, Glauk Konjufca, Shefi i grupit parlamentar është i bindur se rezoluta dhe grupi negociator është për ta mbështetur Hashim Thaçin, Presidentin e Kosovës, i cili sipas tij duhet ndalur që mos të bisedojë me Serbinë.
E Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sapo Parlamenti miratoi rezolutën për procesin e dialogut me Serbinë, e përshëndeti miratimin e saj duke vënë në pah rolin që do ta ketë secili në këtë proces, përfshirë edhe atë si President.
Presidenti përshëndet vendimin
"Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, në krye me znj. Mogherini, i mbështetur nga SHBA dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, do të përmbyllet me marrëveshje ligjërisht obliguese ndërkombëtare, njohje reciproke si dy vende sovrane dhe anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Nuk do të jetë e lehtë, por së bashku si spektër politik, institucional, shoqëri civile dhe me besim tek miqtë ndërkombëtarë, do t'ia dalim me sukses. Bartësit e institucioneve me përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore, me legjitimitet qytetar, së bashku me ekipin negociator, do të koordinohen për udhëheqjen, mbarëvajtjen dhe përmbylljen me sukses të marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse”, shkroi në profilin e tij social, Presdenti Hashim Thaçi.
Vuçiq: Parlamenti mbylli derën e dialogut
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se me miratimin e rezolutës në Parlamentin e Kosovës, Kosova e mbylli derën e dialogut.
"Rezoluta e miratuar sot në Kuvendin e Kosovës, përmban tri elemente kyçe. Që secila marrëveshje duhet të çojë drejt pavarësisë së plotë të Kosovës, se nuk ka ndryshim kufijsh, që nënkupton se Kosova duhet të njihet brenda kufijve të tanishëm, dhe se duhet të ruhet integriteti territorial i Kosovës sipas parimit unitar, që nënkupton se disa pjesë të territorit nuk mund të kenë autonomi. Pra me këtë dokument ata qartë thanë i dëshirojmë të gjitha dhe me çdo çmim”, tha Aleksandar Vuçiq, gjatë një interviste për një televizion serb "TV Prva”.
Dy ditë më parë ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u dorëzoi ambasadorëve të vendeve më të industrializuara një "draft-libër të madh me kapituj”, që është një bazë e fortë institucionale për një marrëveshje gjithëpërfshirëse legalisht obligative me Serbinë.
Haradinaj dorëzon një "draft-libër"
"Javët e fundit, kam angazhuar një ekip të madh kolegësh të cilët kanë punuar intensivisht që ky dokument të jetë një draft final që përfshinë të gjitha temat e rëndësishme për të cilat ne duhet të dialogojmë me Serbinë. Ky dokument, është dokument i gjallë e i cili në ditët në vijim do të prezantohet tek të gjitha pjesët e shoqërisë sonë në mënyrë që të plotësohet dhe të përfshijë të gjitha temat, që sigurojnë avancim të ofertës sonë”, tha Ramush Haradinaj, duke mos shpalosur saktësisht se për çfarë temash bëhet fjalë. Por sipas tij, ky projekt "voluminoz”, është bazament pune për ekipin negociator në fazën e ardhshme të dialogut. Sidoqoftë dialogu Kosovë-Serbi, ka kohë që është ndërprerë, ndërsa tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vetëm sa janë ngritur.
E gjithë kjo pas angazhimit aktiv të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare si ishte rasti me mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol, ku Serbia e cilësoi fitore të saj, ndërsa, Kosova e fajësoi Serbinë. Pas këtij zhvillimi, qeveria e Kosovës vendosi taksë doganorë 100 përqind për të mallrat e Serbisë. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, tha se ai nuk do të dialogojë me Kosovën, pa hequr taksën ndaj mallrave serbe. E gjithë kjo situatë ka bërë që bashkësia ndërkombëtare disa herë tu bëjë thirrje palëve që të ulën dhe të gjejnë një zgjidhje, por tash për tash zgjidhja duket larg.