Ambasada e SHBA-së në Prishtinë kërkon nga dy partitë opozitare, LDK-së dhe LVV-së, të përfshihen në dialogun me Serbinë.
Përfaqësia diplomatike e shtetit më të fuqishëm në botë ka deklaruar për gazetën “Zëri” se nuk është koha që opozita të qëndrojë anash këtij procesi dhe as të krijojë pengesa drejt zgjidhjes gjithëpërfshirëse.
“Jemi të inkurajuar të shohim angazhim më të gjerë politik lidhur me dialogun me Serbinë dhe shpresojmë se edhe partitë tjera opozitare do të vendosin të marrin pjesë. Siç thotë presidenti Trump në letrën e tij, “Kosova duhet të shfrytëzojë këtë moment unik dhe të flasë me një zë të unifikuar”, thuhet në përgjigjen e tyre për “Zërin”.
Ndër të tjera në këtë përgjigje theksohet se nuk është koha që të krijohen pengesa për dialogun me Serbinë.
“Tani nuk është koha për të qëndruar anash e as për të krijuar pengesa ndaj zgjidhjes gjithëpërfshirëse”, theksohet në reagim.
Pak ditë më parë, Kuvendi i Kosovës votoi një rezolutë për dialogun me Serbinë, përmes së cilës caktohet edhe ekipi shtetëror për dialogun, të cilin do ta bashkëdrejtojnë kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj.