Kryeministri kosovar duket shumë i vendosur për të ruajt emrin e mirë të Kosovës dhe për të mos e lenë atë në dorën e presidentit serb Vuçiç dhe presidentit kosovar Thaçi, të cilët për interesa personale (Thaçi) dhe tjetri për interesa gjeopolitike (Vuçiç) t’i hapin udhën një Serbie të Madhe, pas së cilës është Rusia.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar edhe njëherë se taksa ndaj produkteve të Serbisë nuk do të hiqet, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën. “Kur në Beograd thonë ‘nikada’, i bie ‘kurrë, kurrë s’iu njohim’, ne nuk mundemi ne me përdorë fjalë tjetër. Nëse ai thotë kurrë nuk të njoh, çka të themi ne në Kosovë? Edhe ne mund t’i themi, epo kurrë nuk e heqim taksën. Pse po e them këtë? Kini parasysh, është treg i rëndësishëm Kosova. Kur e kemi vendosë taksën kanë bërë hajgare me ne. Njohja është vlera e heqjes së taksës”, ka thënë Haradinaj.
Ai foli edhe për mandatin e tij qeverisës, ku ndër të tjerash tha se kjo qeverisje ia ka shpëtuar fytyrën Kosovës.
“U takova me kolegët e mi të koalicionit qeverisës, me Kadri Veselin e Fatmir Limajn dhe kolegë të tjerë dhe i pyeta: më falni, a keni fytyrë kur dalim në rrugë Kadri? A je pa fytyrë sot, si të sheh populli? Edhe Fatmir, kur del në rrugë, qysh të sheh populli? Pra, qeverisja në Kosovë edhe pse ka qenë shumë e sfiduar, në një farë mënyre jo vetëm që e ka shpëtuar fytyrën e qeverisjes, jo timen, por të qeverisjes në vend, po e ka shpëtuar në të njëjtën mënyrë fytyrën e Kosovës”, ka thënë Haradinaj, raporton KP.
Haradinaj ka thënë se me këtë qeverisje Kosova është disa hapa përpara kundërshtarëve të saj. Sipas tij, Kosova është bërë vend me të cilin po konsultohen edhe ndërkombëtarët.
“Kosova po ndërmerr veprime me të cilat po i prin proceseve të veta, e përmes së cilave po e forcon pozicionin politik. Si dëshmi se jemi disa hapa përpara, iu marr vetë vizitën e Komisionerit Hanh, ditën kur në Beograd ishte Vladimir Putin, ai (Hanh) po të njëjtën ditë erdhi në Prishtinë, në mbrëmje, kishim një takim bashkë dhe u kthye për në Bruksel. Pse po e flas këtë? Se kemi arritur që në rajonin tonë nga një vend që ishte bukur i nëpërkëmbur e i lënë, kemi arritur të kthehemi në një adresë që duhet të shkohet e t’ia marrësh mendimin”, ka thënë Haradinaj, citon Express.
Këto deklarata Haradinaj i bëri në një tubim me degën e AAK-së në Ferizaj, teksa mirëpriti në partinë e tij rreth 150 anëtarë të rinj.