Në takimin e datës 23 janar me ambasadorin e SHBA në Prishtinë, Philip Kosnett, në të cilin ishte i pranishëm kryeministri Ramush Haradinaj dhe kreu i Kuvendit Kadri Veseli, ky i fundit i dorëzoi edhe një dokument-kompromis, i cili përputhet në shumë pika edhe me deklaratat e ambasadorit.
Faktikisht diplomati që përfaqëson SHBA-në në Kosovë, nuk ka folur asnjëherë, për heqjen e taksës, por vetëm për pezullimin e përkohshëm të saj. Dokumenti që Veseli i la mbi tavolinë dhe që zbardhet i plotë për herë të parë, parasheh kushtet për pezullimin e taksës, masat gjatë periudhës së pezullimit, si dhe rikthimin e taksës 100 % dhe reciprocitetin e plotë me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Nëse e lexon me kujdes këtë dokument dhe kushtet që vendos ai, propozimi i Veselit për pezullimin e taksës në realitet del, që e rëndon edhe më shumë pozitë e Serbisë nëse ajo vazhdon që të qëndrojë në politikat e mosnjohjes totale të Kosovës dhe sabotimit që i bën sistematikisht, nëpër institucionet ndërkombëtare..
Dokumenti i plotë “Veseli” për taksën 100%
Kushtet
Rekomandohet pezullimi i përkohshëm i masës tarifore doganore për 120 ditë. Ky pezullim do të shërbejë si afat kohor për Serbinë, në mënyrë që brenda kësaj periudhe të përmbushë obligimet që këtij shteti i rrjedhin prej Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), si dhe Marrëveshjeve të arritura nëpërmjet Dialogut të Brukselit. Brenda këtij afati kohor prej 120 ditësh të pezullimit të përkohshëm, kërkohet nga Serbia që të ndryshojë pozicionin e saj armiqësor, dhe në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve dhe përpjekjeve për të siguruar një fqinjësi të mirë, të ndërmarrë veprimet e mëposhtme:
Të zbatojë marrëveshjen për vendkalimet e përbashkëta në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit dhe të tregohet bashkëpunuese në shkëmbimin e informatave dhe verifikimeve ndër-kufitare për qëllime të sigurisë dhe lehtësimit të tregtisë mes dy vendeve; Të pranojë dhe njohë të gjitha dokumentet e mallrave, licencave, vulat dhe dokumentacionin e lëshuar nga autoritet e Republikës së Kosovës; Të njohë barkodin dhe banderolat në produktet e Kosovës; Dogana e Serbisë të pushojë njëherë e mirë përdorimin e vulave të strukturave paralele serbe në Kosovë, dhe të respektojë plotësisht angazhimin e marrë në marrëveshjen e arritur më 2 shtator 2011 në Bruksel për njohjen reciproke të vulave, si dhe obligimin që rrjedh brenda CEFTA-s – ku palët kanë rënë dakord që të përdorin vetëm vulat e konfirmuara për të gjithë anëtarët e kësaj organizate; Të njohë targat e automjeteve të qytetarëve të Kosovës, si dhe dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës; Të eliminohen barrierat, standardet e dyfishta, ose keqtrajtimet që u bëhen pjesëtarëve të diasporës kosovare, të cilët kalojnë tranzit përmes Serbisë; Të bëhet e mundur për udhëtarë të vendeve të treta që të hyjnë tranzit përmes Kosovës për në Serbi; Në frymën e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona sovrane dhe në përputhje me angazhimet e marra përsipër në marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, Serbia duhet t’u japë fund përpjekjeve për të penguar dhe dëmtuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare; Të zbatohen Marrëveshjet e Brukselit për rivitalizimin e urës kryesore të Ibrit dhe rrugës kryesore në Mitrovicën veriore, duke liruar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave në të dy pjesët e qytetit; Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për Energjinë.
Ndaj Bosnje e Hercegovinës:
Rekomandohet pezullimi i përkohshëm i masës tarifore doganore për 120 ditë, duke nisur nga data _shkurt 2019. Ky pezullim do të shërbejë si afat kohor për Republikën e Bosnjës dhe Hercegovinës, në mënyrë që brenda kësaj periudhe të përmbushë obligimet që këtij shteti i rrjedhin prej Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), si dhe të dëshmojë vullnet të sinqertë për të kultivuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Republikën e Kosovës. Gjatë këtij afati pritet që Republika e Bosnjës dhe Hercegovinës të ndërmarrë veprimet e mëposhtme:
Prej këtij shteti kërkohet që të njihen dokumentet tona të identifikimit dhe që të hiqen barrierat për qarkullimin e qytetarëve e biznesmenëve kosovarë në të dyja anët e kufirit. Kosova do të bëjë të njëjtin veprim reciprok menjëherë pas; Angazhimi i Bosnjës dhe Hercegovinës që mos ta pengojë Kosovën në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, duke nisur nga lejimi i përfshirjes së saj në Kartën e Adriatikut dhe mos-pengimin në të tjera nisma rajonale e ndërkombëtare; Të pranojë dhe njohë të gjitha dokumentet e mallrave, licencave, vulat dhe dokumentacionin e lëshuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës; Të njohë barkodin dhe banderolat në produktet e Kosovës; Dogana e Serbisë të pushojë njëherë e mirë përdorimin e vulave të strukturave paralele serbe në Kosovë, dhe të respektojë plotësisht angazhimin e marrë në marrëveshjen e arritur më 2 shtator 2011 në Bruksel për njohjen reciproke të vulave, si dhe obligimin që rrjedh brenda CEFTA-s – ku palët kanë rënë dakord që të përdorin vetëm vulat e konfirmuara për të gjithë anëtarët e kësaj organizate; Të njohë targat e automjeteve të qytetarëve të Kosovës, si dhe të dokumenteve të udhëtimit të lëshuara nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës.
Dogana
Autoritetet doganore të Bosnjës dhe Hercegovinës të dëshmojnë vullnet bashkëpunimi në shkëmbimin e informatave dhe verifikimeve ndër-kufitare me autoritetet shtetërore kosovare për qëllime të sigurisë dhe lehtësimit të tregtisë mes dy vendeve. Këto janë masat gjatë periudhës së pezullimit të taksës, që parasheh dokumenti i Veselit: Ndërkohë që bëhet pezullimi i përkohshëm i tarifës doganore, autoritetet doganore do të autorizohen që të veprojnë në përputhje me interesin dhe ligjet e shtetit të Kosovës dhe normave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare sa u përket mallrave që do të hyjnë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo do të thotë se: Do të lejohen të hyjnë vetëm mallrat që importohen ose ri-eksportohen drejt Kosovës, nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat shoqërohen me dokumente të Republikës së Kosovës dhe i referohen me emrin e saj kushtetues.