Taksisti i zhdukur prej tre ditësh nga veriu i Mitrovicës, i cili dyshohet se është vrarë, është familjar i politikanit të vrarë para më shumë se një viti, Oliver Ivanoviq.
KP ka kontaktuar me lideren e Iniciativës ‘SDP’ në veri, Ksenija Bozhoviq, e cila ka konfirmuar lidhjen familjare të të zhdukurit me ish-politikanin serb po ashtu të vrarë para një viti. “Jemi të shqetësuar tej mase. Ka qenë njeri i ndershëm dhe i sinqertë, ndërsa ka pasur kontakte të vazhdueshme me Oliverin dhe ka ardhur shpesh te ne në seli. Nuk e di arsyen e vërtetë pse ka ndodhur, por kjo është e trishtueshme”, ka thënë Bozhoviq.
Ajo ka apeluar tek organet gjegjëse që ta ndriçojë rastin dhe të gjejë sa më parë personin në fjalë. Sipas këtyre burimeve, në automjetin e gjetur nga policia, janë gjetur gjurmë të gjakut dhe një gëzhojë plumbi, që dyshohet se personi i lajmëruar në polici si i zhdukur, është vrarë.
Zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka konfirmuar vetëm se është gjetur automjeti, se policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke zhvilluar hetimet.
Ai theksoi po ashtu se në automjet janë gjetur gjurmë të caktuara që mund të përbëjnë vepër penale, duke mos precizuar për çfarë gjurmësh bëhet fjalë.
“Njësitë policore nga dje janë duke siguruar vendin e ngjarjes deri në procedurat e mëtejme të cilat do të zhvillohen gjatë ditës së sotme. Në automjet janë gjetur gjurmë të caktuara të veprës penale, ndërsa rasti në polici evidentohet si person i zhdukur deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes”, ka thënë Hoti.