Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka adresuar kritika të ashpra ndaj përfaqësisë diplomatike të Kosovës në Berlin para se të niste një takim me diasporën të dielën. Haradinaj nxori jashtë konsullin, Binak Berisha, nga takimi ku ishte dhe ambasadori Beqë Cufaj.
Gjithçka mori spunto nga kontakti që Haradinaj pati me dhjetëra qytetarë të Kosovës që prisnin në zyrat e Ambasadës dhe që shfaqën shqetësimin para tij për moskryerjen e detyrimeve. Kryeministri e dëgjoi ankesën dhe menjëherë në takim në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kritikuar Konsullin për viza në Ambasadën në Berlin. Haradinaj i është drejtuar konsullit duke i thënë të dalë jashtë dhe të merret me njerëzit.
Haradinaj, ambasadorit: A mundesh me u siguru që konsujt të shkojnë në punë dhe të merren me fëmijët që ishin te dera, kishin ardhur nga Danimarka dhe kamos. Nuk mu duk sjellje e mirë hiç. Nuk e di çfarë keni por nëse kanë ardhur njerëzit dhe nuk keni dit me i njoftu se nuk është ditë pune.
Ambasadori: I kemi njoftuar.
Haradinaj: Gra dhe fëmijë te dera si i pashë unë, turp. Ju e dini se çfarë bëni por nuk mu duk në rregull. Nuk mundeni të bëni ndonjë zgjidhej për ta? Kush është Konsull? Çfarë ka lidhje pritja jonë dhe puna e tyre? Shkoni, se marre. A i pengojmë ne këtu, se nëse i pengojmë e lëshojmë(sallën). Shkoni kush është konsull.
Nuk kam nevojë me u taku me Konsullin, me atë që ka me krye punë me këta njerëz. Mos u bëni abuzues. Kjo është praktikë që e kam parë në të kaluarën, fatmirësisht keni ardhur ju që duhet me i nejt gati njerëzve. I pe fëmijët e vegjël në këmbë në korridor.
Me qenë fëmijët e tu a i kishe pas qejf me nejt ashtu(i thotë konsullit). Shkoni dhe kur të dal dua ta shoh të kryme atë punë. Ndryshe po iki, nuk rri këtu. Pse ka ardhur Kryeministri. Ne jemi që në 11 këtu, ju kanë thënë hajdeni në 2. Kanë mbetur aty në këmbë gra dhe fëmijë të vegjël. Askush në botë nuk e bën këtë.