Presidenti i porsa zgjedhur i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se qëndrimi i shtetit të tij karshi Kosovës, nuk ka ndonjë ndikim negativ në raportet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, ndërkohë ka paralajmëruar një takim të shpejtë me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq. “Ne e kemi njohur pavarësinë e Kosovës, dhe ne e kemi bërë këtë në përputhje me orientimin strategjik, duke pasur parasysh qëndrimin e komunitetit shqiptarë, që është i dyti për nga madhësia në vendin tonë”, ka thënë Pendarovski në një intervistë për të përditshmen beogradase ‘Politika’, trasnmeton Gazeta Express.
Ai e ka pranuar që raportet ndërmjet shtetit të tij dhe Serbisë nuk janë shumë të mira, dhe se do të bëjë gjithçka që të përmirësojë ato në drejtim pozitiv. “Do të ketë gjithashtu edhe një takim bilateral me presidentin Vuçiq, të cilin do ta realizojë menjëherë pas vendosjes në Zyrën e Presidentit të Maqedonisë Veriore”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se do të jetë president i të gjithë qytetarëve, duke potencuar qëllime te tij për integrimin në NATO dhe BE, që mbështete nga shumica e qytetarëve. Pendarovski ka thënë se orientimi Euro-Atlantik është zgjedhje e qytetarëve. Në këtë orientim sipas tij është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me Rusinë dhe Kinën, duke shtuar se do të bëjë gjithçka për të avancuar bashkëpunimin.