Pas 10 muajsh, është finalizuar raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq. Dokumenti që ka më shumë se 80 faqe, i siguruar nga Gazeta Express, saktëson 31 shkelje të cilat sipas deputetëve janë bërë në ditën e 29 marsit.
Gjithashtu janë dhënë edhe disa rekomandime. Presidenti i Kosovës ka shpëtuar nga ky komision, e aty saktësohet se Hashim Thaçi nuk ka dhënë dëshmi që vërteton ose mohon se ka ditur për operacionin. Një gjë e tillë u konsiderua si e pajustifikueshme
Arlena Krivenjeva
Deklaratat që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i bëri në komisionin parlamentar për hetim të deportimit të gjashtë shtetasve turq, e shpëtuan atë nga raporti që u finalizua sot nga deputetët.
Mospërgjigja e tij në pyetjet që iu bënë, ka bërë që në raportin përfundimtar për të të shkruhet se ka qenë e pamundur konstatimi për njohuritë e tij për operacionin, pasi që i njejti një gjë të tillë as nuk e ka mohuar as nuk e ka pohuar.
“Komisioni nuk ka mundur të marrë dëshminë e presidentit, z. Hashim Thaçi, lidhur me këtë pikë dhe nuk i është dhënë ndonjë provë tjetër që vërteton ose mohon se presidenti kishte qenë paraprakisht në dijeni për operacionin në fjalë”.
Një gjë e tillë u konsiderua si e pajustifikueshme pasi që në asnjë ligj nuk parashihet që dëshimitari të rezufojë që të përgjigjet.
Në konferencën që u mbajt për media pasi që u finalizua raporti, deputetët kanë kërkuar nga Prokuroria Speciale që të hetojë presidentin.
Kryetari i komisionit, Xhelal Sveçla, tha se tashmë është bërë e qartë që urdhërdhënësi për këtë çka ka ndodhur është presidenti i vendit.
“Tashmë është bërë e qartë se urdhërdhënës për këtë çfarë ka ndodhur është vet presidenti Hashim Thaçi”, ka thënë ai.
Sipas tij, prokuroria duhet të kryejë punën dhe të ftojë presidentin dhe bartësit e institucioneve , nga AKI dhe Policia e Kosovës, meqë skenari është nga ta.
Në raportin që ka siguruar Gazeta Express shkruhet se ka qenë e pamundur që të sigurohen prova nga ana e Komisionit në bazë të kërkesave që iu janë drejtuar AKI-së dhe Policisë së Kosovës.
Sipas asaj që shkruhet në raport, bëhet e ditur se nuk është marrë përgjigje nëse shtetasit turq paraqisnin rrezik për sigurinë kombëtare, pasi që AKI nuk i ka përcjellë dokumentet që e vërtetojnë një gjë të tillë.
Nga policia, Komisioni po thotë se nuk kanë marrë listën e provave të cilën e kanë kërkuar. Ato sipas tyre janë:
4 imazhe foto në CD të datës 29.03.2018 nga platforma e vjetër, 2 CD me nga 9 inçizime të kamerave nga platforma e terminalit të vjetër dhe terminalit të VIP të datës 29.03.2018. Mosdorëzimin e ketyre provave Policia e Kosovës e ka arsyetuar me faktin se të njëjtat janë dorëzuar në IPK.
Inçizimet e bisedave telefonike ndërmjet zyrtarit policor dhe zyrtarit të AKI-së gjatë aksionit. Gjitashtu, edhe në këtë rast Komisioni është njoftuar se bisedat telefonike të zyrtareve të lartcekur nuk i posedon zyrtari policor por ato mund të merren në postë.
Janë më shumë se 26 persona të cilët janë ftuar në intervistim, ndërkaq, lista fillon me krerët e shtetit.
Deputetët kanë hartuar raportin të bazuar në tri lloje të ndryshme të burimeve faktive që kanë qenë në dispozicion.
“Kopje të dokumenteve dhe komunikimeve, të natyrës primare, të dorëzuara nga institucionet shtetërore që kanë qenë të përfshira në dëbimin e gjashtë shtetasve turq;
Raporte zyrtare të nxjerra prej institucioneve mbikëqyrëse, të cilat e kanë marrë në shqyrtim këtë rast të dëbimit; dhe
Transkripte nga intervistat e dëshmitarëve të dëgjuar drejtpërsëdrejti prej Komisionit, lidhur me rolin e tyre personal, ose rolin e institucioneve të cilave u përkasin, në procesin e dëbimit”
Në bazë të këtyre provave, komisioni kanë bërë ttë ditur se disa prej tyre kanë qenë në mospërputhje të dukshme me njëra tjetrën, sidomos, në disa pohime të dëshmitarëve të intervistuar drejtpërdrejtë prej Komisionit.
Kjo sipas raportit thuhet se mospërputhjet në mes të provave kanë qenë pengesë serioze për arritjen e një konstatimi.
Në raport është filluar me konstatimin e AKI-së, se gjashtë shtetasit turq përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare, duke thënë se kjo nuk është konstatuar pas provave që janë dhënë nga AKI.
“Në bazë të provave të tjera në dispozicion të Komisionit, mund të nxirret si konstatim faktik se, çfarëdo kërcënimi që gjashtë shtetasit turq paraqisnin për sigurinë kombëtare nuk ishte i natyrës që krijonte rrezik për sulm terrorist apo ndonjë akt tjetër të dhunshëm. Ky konstatim bazohet në tri prova, si në vijim”, shkruhet në raport.
Kjo shkruhet se është konstatuar edhe në intervistimin e ish-shefit të AKI-së, Driton Gashit.
“Nuk ka qenë rrezik i një akti terrorist, nuk ka qenë rrezik. Akt terrorist jo, nuk ka qenë ajo”.[1] Z. Gashi vazhdoi të dëshmonte se anëtarët e grupit ideologjik të cilit i përkisnin gjashtë shtetasit turq “nuk janë të dhunshëm” dhe se ky grup “nuk është i dhunshëm ose nuk arrin ose nuk e ka . . . ideologji që me arrit synimet e veta me dhunë si i kanë organizatat tjera që janë po ashtu islamike”, citohet të ketë thënë.
Së dyti, një raport policor i dorëzuar vetëm një ditë pas kryerjes së dëbimit, shpjegoi se njësi të tjera policore jashtë Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj (në tekstin e mëtejshëm: “DMH”) të Policisë së Kosovës, nuk ishin përfshirë në operacionin e dëbimit, për arsye se kishte qenë “vlerësimi paraprak i AKI-së se këta shtetas nuk janë të kategorisë së personave të rrezikshëm.
Pastaj është vazhduar me vendimin e Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim për revokimin e lejeqëndrimeve të shtetasve turq.
“Më 23 mars, pas pranimit të shkresës së parë të AKI-së, ministri i MPB-së, z. Sefaj, zhvilloi një takim me sekretarin e përgjithshëm të MPB-së, z. Lulzim Ejupi, dhe drejtorin e DShAM-së, z. Krasniqi. Gjatë këtij takimi, z. Sefaj kërkoi që të procedohej kërkesa e AKI-së konform ligjit. Të njëjtën ditë, pas takimit me z. Sefaj, z. Krasniqi ftoi në zyrë z. Manaj, udhëheqësi i atëhershëm i Divizionit për të Huaj në kuadër të DShAM-së, bashkë me z. Susuri, zyrtar për të huaj i Divizionit për të Huaj. Gjatë këtij takimi, këta tre zyrtarë vendosën bashkërisht të nxirrnin vendime për revokimin e lejeqëndrimeve të pesë shtetasve turq që ishin subjekt i shkresës së parë të AKI-së”, shkruhet në raport.
Revokimi i leje qëndrimeve ishte i detyrueshëm pas pranimit të shkresës nga AKI-ja.
“Lidhur me shtetasin e gjashtë, z. Osman Karakaya, i cili kishte aplikuar për vazhdimin e lejeqëndrimit të përkohshëm, situata qëndron ndryshe. Nga të gjitha materialet e dorëzuara në Komision prej DShAM-së në lidhje me z. Karakaya, nuk ka asnjë shenjë që, deri më sot, është marrë ndonjë vendim zyrtar, as për miratimin, as për refuzimin e aplikimit të tij për vazhdimin e lejes”, shkruhet në raport.
Aty shkruhet në detaje edhe se kush ishin personat të cilët e kanë ditur për operacionin e 29 marsit.
Në raport gjithashtu janë shkruar edhe 31 shkeljet që janë bërë ditën e rrëmbimit.
Në fund është dalë me disa rekomandime që kanë rezultuar sipas deputetëve prej mangësive në Ligjet që janë në fuqi në Republikën e Kosovës.
Të ndryshojë dhe plotësojë Ligjin Nr. 04/L-219 për të Huajt, në mënyrë që të ndalojë dëbimin ose ekstradimin e të huajve në vendet ku ata mund t’i nënshtrohen torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese, në përputhje me parimin e së drejtës ndërkombëtare, non-refoulement.
Të krijojë një mekanizëm institucional, ose të ngarkojë një institucion ekzistues, me përgjegjësinë për të vlerësuar nëse të huajt, me rastin e dëbimit ose ekstradimit në një vend të caktuar, mund t’i nënshtrohen torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese, në atë vend.
Të ndryshojë dhe plotësojë Ligjin Nr. 04/L-219 për të Huajt, në mënyrë që të obligohet Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për t’iu komunikuar të huajve bazat faktike për vendimet për revokimin ose refuzimin e leje qëndrimeve, pa përjashtim.
Të ndryshojë dhe plotësojë Ligjin Nr. 04/L-219 për të Huajt, në mënyrë që të ndalohet dëbimi i të huajve përpara se të ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u ankuar kundër dëbimit të vet, tek një autoritet i pavarur.
Të ngarkojë zyrtarët policorë me kompetencën dhe përgjegjësinë ekskluzive për vërtetimin e identitetit të personave të ndaluar gjatë operacioneve të përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Të sqarojë, me anë të një ligji të ri, se në cilat rrethana institucionet e sigurisë e kanë për detyrë të informojnë krerët e shtetit, përkatësisht kryeministrin dhe presidentin e Republikës së Kosovës, lidhur me veprimtaritë që këto institucione ndërmarrin dhe informacionet e rëndësishme në posedimin e tyre.
Raport i hartuar do të përcillet për diskutim dhe miratim në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës, ndërkaq, do të përcillet edhe në prokurori./GazetaExpress