Ideja e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të jetë e pranishme në prapaskenë për aq kohës sa nuk do të ketë një alternativë, thotë analisti Agon Maliqi. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Maliqi theksoi se ideja për korrigjimin e kufirit ishte një veprim taktik që në njëfarë mënyre ka neutralizuar idenë e ndarjes së Kosovës, pa një parim të reciprocitetit në kontekstin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Zoti Maliqi, i cili ndodhet në Uashington në kuadër të një programi për studimin e demokratizimit të shoqërive, të organizatës amerikane Fondi Kombëtar për Demokraci, tha se bllokimi i dialogut është pasojë e ngecjes së procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe përçarjeve brenda tij./VOA